Politike

SPAK reagon zyrtarisht pas padisë nga AMT: Jemi në fazën paraprake të hetimeve, po kryejmë veprime të gjithanshme

Përmes një shkrese, të publikuar në rrjetet sociale nga AMT, shihet se SPAK konfimron se kallëzimi i muajit maj është bashkuar me procedimin penal të regjistruar më 23 janar 2020, dhe se është në fazën e hetimeve paraprake në lidhje me ngjarjen.
Featured image of article: SPAK reagon zyrtarisht pas padisë nga AMT: Jemi në fazën paraprake të hetimeve, po kryejmë veprime të gjithanshme Veliaj, Lleshaj dhe Ardi Veliu

TIRANË– Prokuroria e Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK, ka reaguar zyrtarisht në lidhje me padinë që Aleanca Për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë në muajin janar dhe në muajin maj të këtij viti kundrejt kryebashkiakut Erion Veliaj, Kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe ministrit të Brendshëm Sandër Leshaj, për shembjen e Teatrit Kombëtar.

Përmes një shkrese, të publikuar në rrjetet sociale nga AMT, shihet se SPAK konfimron se kallëzimi i muajit maj është bashkuar me procedimin penal të regjistruar më 23 janar 2020, dhe se është në fazën e hetimeve paraprake në lidhje me ngjarjen.

“SPAK ka reaguar zyrtarisht për kallëzimin e bërë në dhjetor dhe në maj nga pjestarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Përmes kësaj letre e cila konfirmon lajmin e shpërndarë në media dje, institucioni në fjalë bën të ditur që kallëzimi i muajit maj është bashkuar me procedimin penal të regjistruar më 23 janar 2020. Procedimi penal është në fazën e hetimeve paraprake dhe nga ana jonë janë duke u kryer veprime hetimore të plota dhe të gjithanshme,”- shkruan AMT, krah shkresës së vulosur nga Arben Kraja.

Shkresa e publikuar nga AMT

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Dy javë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit depozitoi në SPAK një padi për tentativë vrasje dhe shpërdorim detyre ndaj kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kreu të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Artistët janë shprehur se fadroma filloi të shembte godinën, ndërsa brenda saj kishte akoma njerëz. Ata pretendojnë se efektivët e policisë kanë përdorur edhe armët, për t’i larguar nga godina.

Më herët AMT ka depozituar edhe dy padi të tjera në SPAK për prishjen e Teatrit Kombëtar. Aleanca ka paditur 3 inxhinierët të cilët firmosën akt-ekspertimin për shembjen e godiës, si dhe nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbjan Maznikun për shpërdorim detyre. 

Ndërkohë prej ditësh, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka nisur mbledhjen e firmave për rindërtimin e Teatrit ashtu siç ishte dhe aty ku ishte. Deri më tani, artistët kanë mbledhur firma në Tiranë, Durrës, Shkodër, Kukës, Burrel dhe Lushnje, ndërsa turi do të vijojë edhe në qytetet e tjera.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment