Sociale

“Solidariteti” i punëtorëve të Call Center për kushte më të mira në punë

Prej thuajse 6 muajsh punonjës të kësaj industrie kanë themeluar “Solidaritetin”, një sindikatë e pavarur që synon mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të punëmarrësit në sektorin “Call Center”.
Featured image of article: “Solidariteti” i punëtorëve të Call Center për kushte më të mira në punë Protesta para Alba Call

TIRANË- Call center-i është një sektor i cili prej vitesh lulëzon në Shqipëri. Aty janë të punësuar mbi 25 mijë persona, kryesisht të rinj por jo vetëm, sektor i cili ka ardhur duke u rritur. Puna si operator telefonik, shpesh paraqitet si mundësi e vetme  të ardhurash për të rinjtë të që ndjekin studimet, të rinjtë  të cilët hasin vështirësi në tregun e punës pas diplomimit por edhe për persona të tjerë të cilët zotërojnë mirë një gjuhë të huaj.

Prej thuajse 6 muajsh punonjës të kësaj industrie kanë themeluar “Solidaritetin”, një sindikatë e pavarur që synon mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të punëmarrësit në sektorin “Call Center”.

Në datën 3 qershor 2019, punonjësit e “Albacall”, një prej kompanive më të mëdha në këtë sektor, u njoftuan nëpërmjet e-mailit, për disa ndryshime në pagën e tyre mujore.

“Ne ishim pushim, kur jemi kthyer ne datën 4, kemi lexuar komunikatën që për muajin maj do të hiqet pjesa e vjetërsisë së punës”, tregon Enxhi Boraj, punonjëse në “Albacall” prej 3 vitesh, duke shtuar se ky element i hequr përbën thuajse 20% të rrogës.

Ç

farë është vjetërsia e punës?

“Vjetërsia e punës fillon që ditën e parë. Ne firmosim 275 lekë ora dhe paguhemi që ditën e parë 290

lekë ora. 15 lekë konsiderohen vjetërsi që ditën e parë. Dhe pastaj, çdo 6 muaj rritet derisa arrin pas 2

vjetësh 345 lekë ora, që është gati 70 lekë rritje. Këtë vjetërsi e marrin të gjithë operatorët”

Të gjendur përpara një situate të tillë, operatorët e kësaj kompanie  filluan të organizohen duke lidhur kontaktet me sindikatën “Solidariteti” e cila është themeluar në datë 17 shkurt 2019. Akti i parë ishte parashtrimi i kërkesave ndaj kompanisë “Albacall”, firmosja e peticionit dhe lënia e një afati për t’u përmbushur kërkesat e tyre. Brenda 3 ditëve, 522 operatorë kanë firmosu dhe i peticioni i është dorëzuar kompanisë.

Në peticionin drejtuar kompanisë, punonjësit paraqitën 9 kërkesa që lidhen me lejet, pagat, shëndetin në punë dhe oraret, duke i argumentuar me dispozitat e Kodit të Punës.

Kërkesat e parashtruara përmes peticionit

Operatorët merrnin pauzën, pushim e tyre prej 10-15 minutash dhe vinin firmosnin, pushim i cili supozohej që ishte për të pirë kafe, cigaren apo për të ngrënë” tregon për Citizens Channel Ardit Hodaj, një ndër themeluesit e sindikatës “Solidariteti”.

Ndonëse operatorët i lanë një afat për plotësimin e kërkesave të parashtruara, kompania nuk ktheu asnjë përgjigje, çka bëri që ata të vijonin me aksionin e radhës. Punëtorët u paraqiten në punë të veshur të gjithë me bluza të bardha, duke u dhënë mesazhin se ata ishin bashkë dhe se nuk donin të dëmtonin procesin e punës por kërkonin të kishin një ambient i cili i motivon dhe i stimulon.

Një ditë më pas, teksa kompania ende nuk i ishte përgjigjur kërkesave të parashtruara në peticion,  operatorët vijuan më aksionin pasues. Të nesërmen, punonjësit e kompanisë “Albacall” filluan orarin zyrtar veshur me dorashka të bardha.

Të gjithë operatorët që kishin firmosur peticionin i shkuan me doreza farmacie në punë edhe për t’i thënë kompanisë që jemi të gjithë bashkë, pa dëmtuar dhe cenuar procesin e punës” tregon Tonin Preçaj për Citizens Channel, i cili po ashtu është një ndër themeluesit e sindikatës “Solidariteti”.

Të gjendur përballë heshtjes së kompanisë dhe kushteve të pa përmirësuara, aksioni i radhës ishte shkrimi I kërkesave në sticker-a dhe ngjitja e tyre në postacion, kompjuter, çantë apo edhe në bluzë si mënyrë për të artikuluar çdo problem i cili pengonte zhvillimin normal të punës.

Hapi i rradhës nga punëtorët ishte thirrja e Inspektoratit të Punës, thirrje e cila nuk mori përgjigje.  Pasi u kontaktuan nga vetë kompania “Albacall”, Inspektorati i Punës zhvilloi një takim me operatorët, duke tentuar t’i bindë se po dëmtojnë kompaninë dhe vetë pozicionin e punës. Ndërkohë, kërkesat e punëtorëve të sektorit të qendrave të kontaktit në “Albacall” u anashkaluan edhe nga ky institucion. Pas refuzimit institucional hapi i radhës ishte reduktimi i produktivitetit. “Ne punojmë aq sa paguhemi” ishte banderola e shpalosur, ku operatorët në formë simbolike vendosën të ulin ritmin e punës deri në plotësimin e kërkesave apo përgjigjes së Inspektoratit të Punës.

Gjatë një deklarate të dhënë për mediat në datën 5 qershor 2019, Irena Qosja, përfaqësuese e Inspektoratit të Punës ka bërë me dije se kompanisë “Albacall” i është lënë afat deri në datën 11.07.2019 për të sqaruar konfliktet me operatorët por këta të fundit shprehen se kanë qene në dijeni të këtij ultimatumi të dhënë dhe ende janë në pritje të përgjigjes së kompanisë.

I pyetur nga Citizens Channel, Irdi Ismaili operator dhe njëkohësisht anëtar i sindikatës “Solidariteti” shprehet se protesta do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave. Ai gjithashtu na tregon se operatorët janë të gatshëm edhe të ndërmarrin hapin e fundit, grevën, në rast se kërkesat e nënshkruara në peticion nuk zbatohen.

Greva është masa e fundit të cilën ne nuk e duam, por nëse do të na detyrojnë atëherë grevë le të ketë!” shprehet Tonin Preçi, duke na bërë me dije se sindikata “Solidariteti” të cilët duan kanë si qëllim të mbrojnë punëtorët e këtij sektori duke favorizuar punëtorin në mënyrë që kompanitë të mos pushojnë se ekzistuari por t’u ofrojnë kushte dinjitoze secilit punëmarrës.

(Marrë nga Citizen Channel)

Shto Koment