
MILOT– Ka dështuar tenderi për të dhënë me koncesion “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje, rehabilitim dhe transferim i segmentit rrugor Milot-Thumanë-Kashar- Luzi i Vogël- Fier.
Gazetarja Eliza Gjidiku, ka mësuar se Ministria e Infrastrukturës ka skualifikuar ofertën e vetme në garë, pasi sipas saj nuk plotësonte kushte teknike. Ndërkohë mësohet oferta e vetme e prezantuar ishte nga kompania greke ‘TERNA”. Oferta është shpallur e pasuksesshme pasi nuk plotësonte kushtet teknike, ndërkohë investimi në këtë projekt ishte parashikuar të arrijë në 1.2 miliardë euro.
Kompania greke u denoncua nga Partia Demokratike, se do të kërkonte për çdo automjet që kalon në këtë rrugë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje, duke shtuar se më shumë se gjysma e rrugës është e ndërtuar me para publike.
Gjatësia e rrugës është 115 kilometra, nga të cilat 53 kilometra rrugë e re dhe 62 të tjerat gjatësi që do të rehabilitohen. Tenderi ishte ndërkombëtar dhe pjesë e projektit madhor të autostradës Adriatiko-Joniane. Rruga Milot-Fier pritet të përfundojë deri në vitin 2026. Ky investim do të bëhej i gjithi nga privati ndërsa shteti garantonte 10% të investimit në 16 vitet e para nëse nuk plotësohej trafiku prej 32 mijë automjetesh. Ndërkohë mësohet po ashtu se tenderi do të rihapet përsëri për të gjitha kompanitë e interesuara.
(A.k.dosja.al)