Aktualitet

Skandali në Lundër/ Rreh brutalisht drejtoreshën dhe mësuesen shtatzënë, agresori i lirë… Dëshmitë ekskluzive

TIRANË- Dosja.al sjell të plotë historinë e pazakontë që vjen nga fshati Lundër në Tiranë, aty ku pak ditë më parë u dhunuan 2 mësuese dhe drejtoresha e Shkollës 9-vjeçare.

Denoncimi i ish-kryeministrit Berisha ishte se një person i njohur si një eksponent pranë Partisë Socialiste ka dhunuar drejtoreshën.

Dosja.al udhëtoi në Lundër, pa nga afër mësueset të cilat deklarojnë se janë dhunuar, dhe drejtoreshën e shkollës.

Në këtë zonë mbizotëron frika. Frika për të folur. Që në momentin e parë që takon banorët e zonës, ata hezitojnë të tregojnë atë çfarë ka ndodhur. Pas disa tentativash, disa prej tyre pranojnë të flasin dhe të tregojnë atë që ka ndodhur.

Drejtoresha e shkollës, Alma Kaziu, mësuesja Hyjrie Gjyla dhe mësuesja Ersuela Kërçuku denoncojnë se janë dhunuar nga prindi i një fëmije.

Bardh Xixi është qytetari që ato kanë njohur si agresorin. Sulmi, sipas tyre, ka ndodhur më datën 25 prill në orën 11:45. Në gjendje të dehur, ai ka dhunuar, ka qëlluar, ka shtyrë edhe mësuesen shtatzënë, Ersuela Kërçuku.

Ato thonë se nuk kanë informacion për shkakun e irritimit të babait, ndërkohë që thonë se s’kanë dijeni për të. I vetmi, informacion që ato kanë është se ai është babai i njërit prej fëmijëve të kopështit.

Banorë të Lundrës, i thanë Dosja.al se Xixi është një qytetar model i zonës, dhe se ngjarja i ka befasuar.

Disa prej tyre, kanë thënë se ngjarja ka ardhur pasi fëmija i tij ka patur shenja të nxirash në trup. Ky fakt, është mohuar nga drejtoresha dhe mësueset, të cilat janë shprehur se fëmija është rrëzuar në shtëpi.

Ndërkohë, skandali thellohet kur mësueset tregojnë se pavarësisht denoncimit që kanë bërë në polici, agresori është ende i lirë.

A.S/Dosja.al

Shto Koment