Aktualitet

Skandali/ Denoncon burrin për dhunë në karantinë, gjyqtarja urdhëron të mbajnë distancë 2 metra

Dhuna në familje është shtuar këto ditë sipas statistikave të policisë, edhe për shkak të izolimit nga pandemia e Covid-19.
Featured image of article: Skandali/ Denoncon burrin për dhunë në karantinë, gjyqtarja urdhëron të mbajnë distancë 2 metra Foto ilustruse

TIRANË-“Kush më garanton mua që ky njeri nuk më merr jetën nesër?”, gruaja i bën apel “Stop”-it për ndihmë

Dhuna në familje është shtuar këto ditë sipas statistikave të policisë, edhe për shkak të izolimit nga pandemia e Covid-19.

Një qytetare nga Durrësi tregon se prej 15 vjetësh është viktimë e dhunës në familje. Rasti më i fundit ishte në 13 prill 2020, kur bashkëshorti ka shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe ka goditur djalin dhe më pas edhe atë vetë. Pas këtij momenti e ka nxjerrë jashtë në ballkon dhe e ka lënë për 3 orë. Të nesërmen gruaja e denoncoi në Drejtorinë e Policisë Durrës dhe është pajisur me urdhër mbrojtjeje.

“Jam një qytetare nga Durrësi, e cila prej 15 vitesh kam qenë e dhunuar nga bashkëshorti.  Por ditët e fundit, mbyllja në shtëpi ka bërë që dhuna të ekzistojë akoma edhe më shumë. Më 13 Prill 2020 bashkëshorti im ka ardhur i pirë në shtëpi, ka filluar me djalin, sherrin, i kam dalë përpara për të mbrojtur djalin, më është vërsulur mua, më ka goditur mua, ka goditur djalin, mu kthye mua, më ka gjuajtur nga këmbët me shqelma. 3 orë të tëra ka qenë dhunë. Më ka mbyllur në ballkon. Më thoshte hidhu që lart, mos të të hedh unë. Atë natë nuk bëra dot asnjë gjë, sepse kisha shumë frikë. U mbylla tek dhoma me djalin. Të nesërmen bëra denoncimin pasi u largua personi nga shtëpia”, thotë denoncuesja.

Por absurdi qëndron në faktin, se gjyqtarja Dhurata Bilo është shprehur, se bashkëshorti duhet t’i qëndrojë gruas 2 metra larg.

“Ky urdhër është absurd, kush më garanton mua jetën. Ky njeri dhunues për 14 vite me radhë dhe zonja gjyqtare Dhurata Bilo më jep këtë vendim. Mund të rri unë me këtë person 2 metra larg, ku do hyjë ky? A do të hyjë në derë? A do t’ia hap unë? Kush më garanton mua që ky njeri nuk më merr jetën nesër? Ju lutem “Stopi” më ndihmoni, dua të rishikohet ky urdhër mbrojtjeje sepse distanca 2 metër është absurde.

Zonja thotë, se nuk ka asnjë siguri për jetën nga dhuna e përsëritur e burrit. Për këtë problematikë iu drejtuam Drejtorisë së Policisë Durrës, ku pyetëm OPGJ–në e këtij rasti. Ai tha, se i ka referuar të gjitha materialet në Prokurori dhe situata monitorohet nga Inspektori i Zonës i Rendit.

Oficeri i Policisë Gjyqësore- Kur vjen qytetarja bën kallzim për dhunë në familje, në fillim merret “Urdhri i Mbrojtjes” nga Inspektori i Zonës i Rendit. Pastaj mbasi mbarojnë këto procedurat, bëhet procedura e kallëzimit penal.

Gazetarja: Puna juaj si OPGJ është deri tek marrja e deklaratës, kaq?

Oficeri i Policisë Gjyqësore-Jo marrja e deklaratës, me vazhdimin e hetimeve të domosdoshme.

Gazetarja: Juve ia keni dorëzuar materialet prokurorit? Kush është prokurori?

Oficeri i Policisë Gjyqësore- Janë referuar në Prokurori.

Gazetarja: Keni dijeni kush është prokurori i çështjes?

Oficeri i Policisë Gjyqësore-Nuk e di!

Gazetarja: Çfarë garancie i jepni ju si komisariat zonjës?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Oficeri i Policisë Gjyqësore-Këto “Urdhrat e Mbrojtjes” monitorohen nga Inspektori i Zonës i Rendit.

Ndërsa Inspektori i Zonës i Rendit tha se nuk mund të ndryshojë vendimin e gjyqtares, por vetëm të monitorojë situatën. Por ai nuk shpjegon sesi e monitoron situatën e zonjës së dhunuar.

Gazetarja: Tani gjyqtarja ka dalë me një vendim që pas konfliktit që kanë pasur, bashkëshorti t’i qëndrojë 2 metra larg bashkëshortes.

Inspektori i Zonës i Rendit- Unë s’mund të komentoj dot mbi vendimin e Gjykatës.

Gazetarja: Jo e kuptoj, e keni monitoruar situatën? Ndodhi konflikti, por është prapë i nxehtë.

Inspektori i Zonës i Rendit- Po patjetër, patjetër! Patjetër, që e kemi monitoruar. Unë kam bërë të gjitha veprimet, që më takojnë mu si Inspektor Rendi. Ia kam përcjellë organit kompetent.

Gazetarja: Çfarë garancie i jep ti si komisariat me e mbrojt?

Inspektori i Zonës i Rendit- I jap atë garanci, sa më jep ligji.

Gazetarja: Kush është mënyra pra, kush është mënyra?

Inspektori i Zonës i Rendit-Zonjë! Të lutem, se jam në një konflikt, duke e shqyrtuar. Të lutem! ( Mbyll telefonin…)

Gazetarja: Po zgjidhe këtë konfliktin more zotëri, se edhe unë për konflikt të mora.

OPGJ-ja bën punën e vet, i dërgon materialet në prokurori, inspektori bën monitorimet, por a ekziston një mekanizëm që i jep garanci zonjës për distancën 2 metra? Zonjën duket se e “mbron” shkresa zyrtare dhe email-i.

As gjyqtarja Dhurata Bilo nuk përgjigjet për vendimin e distancës dy metra, edhe pse flitet për dhunë të përsëritur dhe jo për rrezikun nga coronavirusi.

Marrë nga TV Klan

Shto Koment