Factcheck

Skandali/ Anulimi i Kardhiq-Delvinë, ‘Gjoka construction’ falsifikoi dokumentet, si ndërhyri Balluku

Dosja.al denoncon skandalin që ka ndodhur me ndërtimin e Rrugës së Arbërit. Gjoka Sh.p.k, u zbulua teksa ka falsifikuar dokumentet, kur konkurroi për ndërtimin e tunelit Kardhiq-Delvinë. ARRSH zbuloi se Gjoka nuk i kishte ndërtuar asnjëherë këto sisteme në rrugën e Arbërit. Kjo është arsyeja pse Belinda Balluku urdhëroi anulimin e tenderit.
Featured image of article: Skandali/ Anulimi i Kardhiq-Delvinë, ‘Gjoka construction’ falsifikoi dokumentet, si ndërhyri Balluku Belinda Balluku, ministre e Insfrastruktures dhe Gjoka Construction
Përditësuar:

TIRANË- Ndërtimi i tunelit lidhës Kardhiq-Delvinë, është një nga premtimet e qeverisë Rama që do të mbetet në letër dhe në “3D”. Ministria e Infrastrukturës ka anuluar tenderin 23 milionë euro për lotin e 7 të rrugës Kardhiq-Delvin, pasi paratë siç u shpreh Belinda Balluku, ministre e Energjisë dhe Infrastrukturës, duhet të shkojnë për të tjera projekte që kanë më shumë prioritet.

Spekulimet dhe denoncimet për anulimin e këtij tenderi janë të shumta, por të përqëndrohemi në mënyrë kronologjike, tek ajo që ka ndodhur.

Tenderi për lotin e shtatë të kësaj rruge, u zhvillua më datën 17 qershor. Në tender morën pjesë 6 kompani, me oferta të cilat varionin nga 15 deri në 19 milionë euro, pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar, (TVSH).

Autoriteti Rrugor Shqiptar skualifikoi 5 ofertat më të ulëta, me pretendimin se nuk përmbushnin kriteret teknike duke shpallur fituese në tender ofertën me çmimin më të lartë, përkatësisht atë të kompanisë italiane IRCOP në konsorcium me tre kompani të tjera shqiptare.

Ky konsorcium kishte ofruar ta ndërtonte tunelin e Kardhiqit për një çmim prej 19 milionë euro pa përfshirë tatimin mbi vlerën e shtuar ose 4 milionë euro më shumë se sa oferta më e ulët.

Vendimi u ankimua në Komisionin e Prokurorimit Publik nga 4 shoqëri shqiptare, të kryesuara nga Gjoka Shpk, (e skualifikuar nga tenderi), të cilat pretendonin se vendimi i ARRSH ishte i padrejtë. KPP e pranoi kërkesën e tyre, duke ndryshuar fituesin.

Në këtë moment, ministria e drejtuar nga Balluku bën anulimin e tenderit, me arsyetimin se qeveria nuk ka para.

Por çfarë ka ndodhur mes ARRSH, Gjoka dhe Ballukut? Një megaskandal u zbulua nga ARRSH

Ditën e djeshme, ARRSH kërkoi nisjen e hetimit për kompaninë “Gjoka construction”, pasi sipas ARRSH, kjo firmë ka paraqitur të dhëna fiktive, për tenderin për ndërtimin e tunelit të rrugës Kardhiq-Delvinë, që është ‘loti 7’ dhe që u anulua nga Balluku.

Dosja.al ka mësuar se kompania “Gjoka sh.p.k”, ka konkurruar duke paraqitur dokumentacion të rremë, në kundërshtim me kërkesat e tenderit për të vërtetuar punime të ngjashme për tunele automobilistike.

Dokumentet e paraqitur nga Gjoka, i përkisnin punimeve që kjo kompani ka realizuar në “Rrugën e Arbërit”, punime që sipas kontrolleve, nuk kanë përfunduar sipas kontratës.

Punimet nuk kanë përfunduar sipas kontratës. Ka zëra punimesh që janë pasqyruar si të përfunduar, por në fat puna vijon. Të dhënat e paraqitura nga firma ‘Gjoka’ janë fiktive dhe jo reale dhe nuk përputhen me punimet e kryera në terren. Tunelet në ndërtim quhen të papërfunduara prandaj kërkojmë fillimin e një procedure hetimi administrativ lidhur me informacionin e rremë që paraqiti “Gjoka Construction” thuhet ndër të tjera në shkresën e firmosur nga ARRSH-ja në 12 shtator, që kërkon nisjen e hetimit administrativ. Gjoka sh.p.k ka pretenduar, se ka kryer punime, por në realitet ato nuk ekzistojnë.

Bëhet fjalë për ndërtim drenazhi, torkretim me llaç, çimento, vendosje rrjete teli në skarpata zgarë hekuri, sistemi në ndriçim për njoftim evakuimi, sistemi i njoftimit të emergjencave në tunele, sistemi i detektimit të alarmit të zjarrit dhe ai i tokëzimit.

Po të njëjtat burime, i thanë Dosja.al, se është kjo arsyeja pse Balluku ka kërkuar anulimin e tenderit. Zbulimi nga ARRSH i skandalit me Gjoka Construction, kompani e cila ka marrë paratë për ndërtimin e rrugës së Arbërit, është një ‘gropë’ e zezë e cila duhet zbardhur sa më parë.

Kjo kompani ka marrë me koncesion ndërtimin e rrugës së Arbërit me 225 milionë euro. Sipas kontratës, “Gjoka” duhet të gjejë paratë, por duket se zgjidhja ka qenë më e thjeshtë. Kompania Gjoka ka falsifikuar dokumentet dhe ka marrë 70 miliardë lekë nga buxheti, për punë që nuk janë bërë kurrë. Grupi i ARRSH që ka zbuluar skandalin ka kërkuar dhe nisjen e hetimeve.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment