Politike

“S’jam këtu as për interesin e familjes sime”, Hajdari sulmon Bashën: Kriminelët në Kuvend i futën kryetarët e partive… Blihet kollaj një politikan i pasur e jo dhjetë mijë qytetarë

VIDEO
Rudina Hajdari mori si shembull faktin se pas vitit 2009, numri i deputetëve me probleme me ligjin kapi majat. 

TIRANË- Deputetja Rudina Hajdari tha se qëndrimi i saj për listat e hapura nuk ka ndryshuar. Teksa sulmoi Lulzim Bashën gjatë një komunikimi që pati sot me gazetarët, Hajdari tha se janë listat e mbyllura të kryetarëve ato që futën në Kuvend kriminelë, e jo listat e hapura. Për këtë, Hajdari mori si shembull faktin se pas vitit 2009, numri i deputetëve me probleme me ligjin kapi majat.

“Kanë interesa të ngushta familjare. Unë s’jam në Kuvend për interesin e familjes Basha, Meta, Rama apo edhe interesin e familjes sime. Jam për interesin e familjeve shqiptare. Unë nuk mendoj se listat e hapura do të fusin në Kuvend kriminel. Nga 2009-a kush i futi këta deputetë kriminelë në Shqipëri? Qytetari i thjesht, apo kryetarët? Pretendimi i tyre s’ka asnjë lloj logjike.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Sipas tyre, dhjetra mijëra qytetarë mund të blihen, ndërsa këta që jetojnë në vilra e kodra nuk blihen këta. Unë mendoj se blihet një politikan i pasur. Shqiptarët nuk do zgjidhnin të votonin një kriminel. Këto janë argumentet që po përdorin sot këta njerëz për listat e hapura. Më vjen keq që lideri i PD-së të ketë lartësinë e duhur për të përfaqësuar dhe mbështetur këtë iniciativë për listat e hapura. Më 2017 e tha dhe e premtoi, dhe nuk arriti të mbajë të premtim dhe sot godet premtimin që ka bërë vetë. Një politikan duhet të ketë kohezion dhe qendrueshmëri. Jam këtu për çdo lloj pyetje.”,-tha Hajdari. 

Konferenca e Hajdarit u zhvillua një ditë pasi Komisioni i Ligjeve me një seancë të beftë, e me një votim të dyshimtë hodhi poshtë marrëveshjen e 5 qershorit.  Maxhoranca ka mbështetur opozitën e re, për të votuar paketën me ndryshimet kushtetuese, ku miratohen 3 ndryshime të kundërshtuara nga opozita PD-LSI. E para, ndalimi i koalicioneve parazgjedhore, së dyti, listat e hapura dhe së treti pragu 5% për partitë e vogla. Drafti me ndryshime do të kalojë në Kuvend, ndërsa PS dhe kryeministri Edi Rama kanë dalë publikisht hapur këtij vendimi. Komisioneri Oliver Varhelyi ka kundërshtuar këtë akt, duke thënë se e vetmja marrëveshje që duhet të miratohet është ajo e 5-qershorit, ndërsa propozime të tjera, duhet të diskutohen më vonë, ndërsa kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Rama i ka propozuar pazar, (njëri kryeministër, tjetri president) që të ndaloheshin koalicionet.

(F.g./dosja.al)

Shto Koment