Ekonomi

Sigurimet, kompanitë paguan 17 milionë euro dëme në janar-mars, rritje e lartë e atyre motorike

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se ndryshe nga panorama e një viti më parë kur përqendrimi i portofolit të dëmeve në këtë tremujor ishte për pagesat e tërmetit në këtë vit kanë rifituar peshë sërish motoriket.
Featured image of article: Sigurimet, kompanitë paguan 17 milionë euro dëme në janar-mars, rritje e lartë e atyre motorike Foto ilustruese

TIRANË -Kompanitë e sigurimit kanë paguar në tremujorin e parë të këtij viti 17 milionë euro për dëmet.

Të dhënat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se ndryshe nga panorama e një viti më parë kur përqendrimi i portofolit të dëmeve në këtë tremujor ishte për pagesat e tërmetit në këtë vit kanë rifituar peshë sërish motoriket.

“Gjatë periudhës janar-mars 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 2,083 milionë lekë, ose 8.27% më pak se në periudhën janar-mars 2020. Gjatë periudhës janar-mars 2021, dëmet e paguara bruto të sigurimit motorik kapën vlerën 1,007 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 50.29% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në raportimin e AMF.

Nga ana tjetër vihet re një rritje e kontratave dhe e primeve të shkruara bruto për janar-mars 2021 në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas AMF të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-mars 2021 kapën vlerën 4,039 milionë lekë, ose 12.52% më shumë se në periudhën janar-mars 2020. Gjatë periudhës janar-mars 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 202,944 me një ulje prej 15.61% krahasuar me periudhën janar-mars 2020.

“Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.71% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.27%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 44.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 55.90% të totalit të tregut”, thuhet në njoftim.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Sipas AMF primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë periudhës janar-mars 2021 arritën rreth 2,258 milionë lekë, ose 8.36 % më shumë se në periudhën janar-mars 2020.

“Produkti MTPL e brendshme, në periudhën janar-mars, pati një rritje prej 13.16% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 15.44% krahasuar me periudhën janar-mars 2020.

Produkti Karton Jeshil në periudhën janar-mars pati një ulje prej 20.38% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 35.92% krahasuar me periudhën janar-mars 2020.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Produkti Sigurim Kufitar, në periudhën janar-mars, pati një rritje 43.38% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me periudhën janar-mars 2020. Edhe numri i kontratave u rrit me 36.71%”.

Sigurimi Vullnetar

Sa i takon primeve të sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-mars 2021 arritën rreth 1,781 milionë lekë, 18.26% më shumë se në periudhën janar-mars 2020. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 37.83% krahasuar me periudhën janar-mars 2020.

“Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-mars 2021, patën rritje me 19.9% kundrejt periudhës janar-mars 2020.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-mars 2021 siguruan mbi 969 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 71.2%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 18.73% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë periudhës janar-mars 2021, vihet re një rritje prej 79.79% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 8.59% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-mars 2020.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-mars 2021, arritën në rreth 265 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 8.5% në krahasim me periudhën janar-mars 2020.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-mars 2021, arritën rreth 294 milionë lekë, ose 10.34% më shumë se në periudhën janar- mars 2020”njoftoi AMF./ N.Maho

Monitor

Shto Koment