Blog

Si e treti vapa e 30 qershorit lëvizjen #Edheunë, ku humbën intelektualët që do bënin namin duke penguar zgjedhjet

Pak ditë më parë në një studio televizive, nga të cilat vijnë me mijëra deklarata boshe dhe pa bereqet, një prej tyre tërhoqi vëmendjen. Shqipëria ngriu…
Featured image of article: Si e treti vapa e 30 qershorit lëvizjen #Edheunë, ku humbën intelektualët që do bënin namin duke penguar zgjedhjet Disa nga personazhet e levizjes #edheune

Nën dritën e hënës së një nate qershori nga ato kur qielli është i kthjellët dhe yjet shkëlqejnë si fanarë ndriçues, një aktor dhe regjisor i njohur në Shqipëri, Bujar Kapexhiu tha me zë dhe me figurë:

“Më 30 qershor unë do të shkoj në qendrën e votimit. Por do shkoj t’u tregoj të tjerëve që të mos votojnë. Do t’i pengoj ata në mënyrë që të dënohem 10 vjet që të mos shkoj jashtë shtetit. Kam vendosur të mos shkoj më jashtë shtetit. As më bën përshtypje fare. Jam kaq mirë këtu në Shqipëri. Le që nuk më lë gazeta të dal jashtë shtetit sepse më do çdo ditë një karikaturë”.

Njësoj si ajo alergjia e pranverës, kur lulet pjalmohen, ashtu u tërbuan edhe shumë figura të tjera të njohura që mbështetën nismën dhe krijuan hashtagun #Edheunë.

Aktorë, regjisor, gazetar, ekspertë të ndryshëm, gjithologë, patriotë, DJ, marangozë dhe hidraulikë, u përbetuan se do shkonin pas Kapexhiut, do “terrorizonin” qytetarët, do t’i ndalonin ata që të votonin, do të  përlesheshin me ta dhe në fund do kërkonin vetë që të dënoheshin. Por nga këto asnjë nuk ndodhi.

Zhegu i vapës, mizat dhe mushkonjat ishin dhuna e 30 qershorit. Muzikë, valle, disa pijanecë dhe njerëz me shpirt të lirë kundërshtuan simbolikisht për protestë.

Të tjerët ishin në shtëpi, plazh apo pishina.

Gjithçka që ziente në rrjet me #Edheunë, u tret njësoj si inati i Lulzim Bashës.

Sëbashku me #Edheunë në Facebook dhe Instagram, rriteshin tensionet dhe temperaturat, njësoj si ai i sëmuri që gulçon në krevatin e spitalit duke pritur që të japë shpirt.

#Edheunë përfundoi njësoj si ato gratë që ankohen për vjehrrën, e kurrë s’mund të ndahen prej saj, por vetëm e shajnë nëpër dhëmbë.

Siparin e qetësisë publike, e bëri kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, dhe të gjithë shpirtrat e indinjuar nga pushteti kriminal i qeverisë që blen votat dhe trafikon drogë, u bën hi.

Ushqimi për militantët e partive opozitare ishte një lëvizje në dukje intelektuale, por qartësisht e vakët, e mefshtë, e vdekur që në thelb të saj ishte militantizmi i thekur partiak.

Njësoj sa fajtor është një qeveri e papërgjegjshme që s’ofron alternativë dhe zhvillim, po aq e tillë është një opozitë e vrarë, apo një shoqëri civile që nuk e kemi.

Një grupim njerëzish që marrin përsipër të ngrejnë zërin, për t’u bërë varka shpëtuese e partive pragmatiste në Shqipëri. Këta njerëz që përdorin idealet e pastra të një pakice morale duhet të qëndrojnë larg… larg nga e drejta morale për të fyer inteligjencën e kujtdo!

Shto Koment