Aktualitet

‘Shkeljet nuk mbarojnë’/ Furnizon gjithë jugun, si dyfishohen tarifat e energjisë elektrike vetëm për një prodhues mielli

“Mulliri i Artë” është i vetmi në treg që ka një kapacitet të madh prodhimi me transformator 35 kV. Kjo ngre dyshimet se ERE dhe drejtuesi i saj Petrit Ahmeti, ka goditur vetëm një kompani për të favorizuar kompanitë e tjera.
Featured image of article: ‘Shkeljet nuk mbarojnë’/ Furnizon gjithë jugun, si dyfishohen tarifat e energjisë elektrike vetëm për një prodhues mielli Petrit Ahmeti

Në kulmin kur klima e biznesit është në momentin më të vështirë, institucionet shqiptare vijojnë të rëndojnë pozitat ndaj prodhuesve të vendit. I tillë është rasti i Entit Rregullator të Energjisë (ERE), i drejtuar nga Petrit Ahmeti, ku përdor tarifa të ndryshme për një prodhues mielli.

Bëhet fjalë për kompaninë shqiptare “Mulliri i Artë”, e themeluar që në vitin 1994 dhe lider në prodhimin e miellit. Kjo fabrikë sot ndodhet në qytetin e Fierit dhe mbulon me prodhimin vendas të gjithë jugun e Shqipërisë.

Por ndërkohë, në redaksinë e Gazetës SHQIP, përfaqësuesit e saj kanë denoncuar një skandal me tarifat e energjisë elektrike. Sipas vendimit të Entit Rregullator të Energjisë, nëpërmjet një vendimi të janarit 2017 tarifa për prodhuesit e miellit ishte 7.1 lekë/kwh. Për shkak të rritjes së kapacitetit prodhues, “Mulliri i Artë” përdor transformator 35 kV dhe tarifohet nga ERE me vlerën 9.5 lekë/kwh.

Kjo është absurde në llogjikën e biznesit, për dy arsye. E para “Mulliri i Artë” është i vetmi në treg që ka një kapacitet të madh prodhimi me transformator 35 kV. Kjo ngre dyshimet se ERE dhe drejtuesi i saj Petrit Ahmeti, ka goditur vetëm një kompani për të favorizuar kompanitë e tjera. E dyta, nëse vendoset një fashë lehtësie për prodhimin e miellit, atëherë kjo duhet të jetë e unifikuar për të gjithë prodhuesit, qoftë i madh apo i vogël.

Vijojmë më tej, pasi shkeljet nuk mbarojnë!

Edhe në vitin 2019, prodhuesit e vegjël të miellit kanë të njëjtin çmim, pra 7.1 lekë/kwh. Sërish goditet kompania “Mulliri i Artë”, pasi ndaj saj rritet çmimi me një tjetër vendim të Entit Rregullator të Energjisë. Nga 9.5 lekë/kwh bëhet në 16.57 lekë/kwh, pra pothuajse dyfishin e çmimit. Gazeta SHQIP publikon edhe një fature të energjisë elektrike, të muajit Dhjetor 2019, ku shihet tarifimi prej 16.57 lekë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ky është abuzimi më i madh i ERE dhe drejtuesit të saj Petrit Ahmeti, ku dëmtohet vetëm një prodhues, “Mulliri i Artë”, duke paguar 16.57 lekë/kwh, ndërkohë që të gjithë prodhuesit e tjerë të kësaj kategorie paguajnë 7.1 lekë/kwh.

Këtu shkelja thellohet edhe më tej nga Enti Rregullator i Energjisë, pasi për të çertifikuar rritjen e çmimit në 16.57 lekë për muajin dhjetor, ka nxjerrë një vendim më 10 janar 2020. Kjo është absurde edhe në konceptin e vendimeve, pasi kurrësesi nuk mund të kenë fuqi prapavepruese. Pra, për të bërë një ndryshim tarife, fillimisht duhet të nxjerrësh një vendim dhe më pas të aplikosh çmimin e ndryshuar. Kjo saktësohet edhe në fund të vendimit. Por, Ahmeti ka bërë të kundërtën, ka aplikuar çmimin dhe më pas ka nxjerrë vendim për të çertifikuar këtë abuzim.

Skandali thellohet edhe më tej, ku ERE luan sërish me vendosjen e çmimeve. Në muajin janar, Gazeta SHQIP ka siguruar edhe faturën e “Mulliri i Artë” dhe shihet se çmimi i faturimit ndryshon sërish. Në faturë, shihet që ky subjekt është faturuar me 12.49 lekë/kwh. Nuk dihet se me çfarë vendimi e ka bërë këtë ERE, por diçka është e sigurtë, që brenda 3 viteve, tarifa e energjisë elektrike për fabrikën “Mulliri i Artë” është ndryshuar 4 herë.

Kjo barrë mbi prodhuesin e miellit vjen pas goditjeve të rënda që ndërmorri qeveria me importin e miellit serb, duke futur në Shqipëri produkt jashtë çdo standarti. Ky denoncim vlen edhe për Autoritetin e Konkurrencës, për të nisur një hetim mbi procedurat e aplikimit të tarifës së energjisë vetëm ndaj një prodhuesi mielli.

Marrë nga Gazeta Shqip

Shto Koment