Aktualitet

Shumë familje në qytetin e Durrësit, “peng” i ekspertizave për fatin e apartamenteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit

Janë banorët e pallatit nr. 8 , në lagjen numër 5, që ende nuk kanë asgjë të qartë se çfarë do të bëhet me pallatin e tyre. Janë 48 familje, që kërkojnë zgjidhje, pasi sipas tyre pallati ka një çedim mbi 52 centimetra.
Featured image of article: Shumë familje në qytetin e Durrësit, “peng” i ekspertizave për fatin e apartamenteve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit Foto nga ekspertiza

DURRËS- Rreth 9 muaj pas tërmetit të 26 nëntorit, në qytetin e Durrësit, i cili u prek më shumë nga lëkundjet e tokës, shumë qytetarë durrsakë, vazhdojnë të enden në dyert e institucioneve vendore, pasi nuk kanë ende një përgjigje përfundimtare për fatin e apartamenteve të tyre të dëmtuara. Me anë të një videodërguar në faqen zyrtare të Portës Vendore, në rrjetin social “Facebook”, një tjetër banor i këtij pallatikërkon ndihmë, pasi nuk di se çfarë do të ndodhë me apartamentin e tij. “Ju lutem keni mundësi që ta publikoni. Është pallat, në Durrës, afër fushës së rërës. Po bëhet viti dhe akoma nuk kemi një përgjigje se çfarë do të bëhet”, shkruan banori.

Porta Vendore pas denoncimit të këtij banori nisi menjëherë kërkimet në terren për pallatin në fjalë.

Janë banorët e pallatit nr. 8 , në lagjen numër 5, që ende nuk kanë asgjë të qartë se çfarë do të bëhet me pallatin e tyre. Janë 48 familje, që kërkojnë zgjidhje, pasi sipas tyre pallati ka një çedim mbi 52 centimetra. Pallati është vlerësuar nga ekspertiza me dëmtime të riparueshmedhe normalisht, duhet të nisë puna për riparime, por kjo nuk i ka bindur banorët, ndaj dhe me anë të një letre dërguar kryeministrit Rama, kërkojnë ekspertizë më të thelluar.

Pallati me numër 8, në lagjen nr. 5, në qytetin e Durrësit. Foto: E.Azizolli


Osman Braçe, një prej banorëve të këtij pallati, i cili nisi edhe videon e tij ankuese në adresë të Portës Vendore, thotë se nuk do të lejojnë askënd që të vërë në pikëpyetje jetët e tyre.

“I kemi bërë që të gjitha. I jemi drejtuar prokurorisë, institucioneve vendore, së fundmi i shkruam kryeministrit Rama, pasi nuk kemi zgjidhje tjetër”, thotë ai për Portën Vendore.

Braçe apelon për ndihmë, duke kërkuar fjalën e fundit të ekspertëve, bazuar në fakte se apartamenti i tij mundet të riparohet dhe nëse riparohet a jep garanci.

“Ne mund të kemi gabuar që blemë apartamente pa ditur nëse kishin siguri dhe në rast rënie tërmeti, por nuk ishim mësuar me këto gjëra, por sot nuk mund të lejojmë që të riparojmë pa ditur shkallën reale të dëmit, mënyrën e riparimit”, thotë Braçe.

Po ashtu, Lumturi Çela është banore e këtij pallati, ndërkohë që apartamenti dhe biznesi i saj në katin e parë të ndërtesës u dëmtuan nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Tashmë, ajo banon në lagjen me numër 18 në qytetin e Durrësit, në një shtëpi private me qira dhe e konsideron veten me fat që mundi të gjejë një banesë me qira, vetëm pak metra larg pallatit të dëmtuar, ndaj dhe e kishte më të lehtë për të transportuar gjithë orenditë e shtëpisë së dëmtuar. Ajo, ende 9 muaj pas tërmetit, vazhdon të qëndrojë në pritje të fjalës së fundit, se çfarë do të bëhet me pallatin, të cilin e shikon disa herë në ditë me trishtim, pasi është investimi i një jete punë, për të dhe gjithë familjen.Hyrja e pallatit të dëmtuar në lagjen 18, të qytetit të Durrësit. Foto: E.Azizolli


“Është konsideruar me dëme të riparueshme, por duhet të presim ekspertizën e thelluar”, thotë mes trishtimit dhe lodhjes gruaja.

Prej muajsh jeta e familjes Çela, por dhe shumë të banorëve të tjerë të pallatit është vështirësuar, pasi u është dashur që të presin ekspertiza në fillim nga specialistët në terren, më pas nga Instituti i Ndërtimit.

Ky i fundit sipas banorëve ka thënë fjalën e tij, se dëmet e pallatit janë me shkallë të lartë, të riparueshme, por ndërhyrjet duken ende të largëta, pasi dhe për to nevojiten të tjera ekspertiza, për të mbërritur deri tek nisja e punës.

Por, për Çelën dhe banorë të tjerë të pallatit, momenti i nisjes së punimeve, duket i largët dhe pallati i mbetur në këmbë, me dëmtime të mëdha, nga të gjitha anët u fut ende frikë.

“I kemi plotësuar që të gjitha, me aplikime për të përfituar nga rindërtimi, me ekspertë kemi kërkuar, tani jemi të lodhur, nuk dimë se si do të shkojë fati i këtij pallati, sepse po nxjerrin çdo ditë gjëra të reja dhe ne nuk kemi më as fuqi t’i ndjekim, as para se çdo lek e kemi investuar në shtëpinë dhe biznesin familjar”, thotë mes lotësh Lumturia.

Me një ekspertizë që tregon se dëmet janë të mëdha, por që kërkojnë studime të veçanta për procesin e riparimit, kërkesat për vëmendje, tashmë banorët i kanë kthyer në lutje.

Raste të tilla në qytetin e Durrësit ka disa, ndaj dhe gjatë muajit gusht në këtë qytet janë zhvilluar disa protesta të banorëve, banesat e të cilëve janë dëmtuar dhe 9 muaj pas tërmetit. Ata nuk kanë ende asgjë të qartë për fatin e shtëpive, ndërkohë qëreflektojnë lodhje dhe pasiguri.

Për objektet e klasifikuara me dëme relativisht të mëdha, por pa dëmtime në strukturë, bashkia i ka referuar rastet në Institutin e Ndërtimit, specialistë të së cilit sugjerojnë përforcime të godinave, në hapësirat e përbashkëta.

“Për këto objekte, ne kemi kërkuar një fond pranë Ministrisë së Shtetit për Rindërtim, i cili do na shërbejë për të bërë projekt- preventivat e detajuara, në bazë të rekomandimeve që japin ekspertizat e thelluara. Pas hartimit të projekt preventivave ne do t’i drejtohemi sërish Ministrisë së Shtetit për Rindërtim, për rehabilitim dhe realizimin e këtyre punimeve”, argumentoi kryetarja e emëruar e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, në një dalje të fundit publike për këtë çështje.

Ekspertiza, projekte rehabilitimi, aplikime, dokumente, noterë, banka, janë këto hallet që mbushin të përditshmet e shumë banorëve në Durrës, të cilët janë duke kaluar muajit më të vështirë të jetës së tyre.

“Jemi të lodhur. Kjo e keqe na zuri, por dhe shteti duhet t’i kishte bërë pak të lehta gjërat, kështu nuk ia dalim dot më, nuk po mundemi më”, thotë mes lotësh Lumturi Çela.

Në lagjen numër 5 të qytetit të Durrësit, të tjerë banorë kërkojnë zgjidhje, pasi pallati i tyre ka pësuar çedim, por 9 muaj pas tërmetit, banorët nuk kanë asgjë të qartë se çfarë do të ndodhë me 30 apartamentet e tyre.

Ekspertiza e thelluar e ka klasifikuar me dëmtime të riparueshme, ndërkohë që çedimi prej 70 centimetrash, sipas banorëve shihet me sy të lirë dhe kjo i shkakton pasiguri.

“Çdo ditë, vijmë tek pallati, se kemi investimin e një jete, s’mund të rrimë gjithë kohën me qira. Shohim dëmet dhe kemi frikë se ata nuk janë të pariparueshme dhe mund të na vënë në rrezik jetën”, thotë një banor i pallatit për Portën Vendore.

Edhe në këtë rast, duhet pritur një tjetër vlerësim për atë se çfarë i nevojitet pallatit, më pas do aplikohet për projekt-preventiv dhe më pas për riparim, gjë e cila përkthehet në pritje për banorët, të cilët kanë frikë se do të mbushet viti dhe sërish zgjidhje nuk do të gjejnë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nga një tjetër lagje e qytetit të Durrësit, të tjerë banorë në listën e gjatë të karvanit të ngritjes së zërit e protestave, kanë zgjedhur së fundmi që t’i shkruajnë Kryeministrit Edi Rama, për fatin e pallatit të tyre.

Banorët e një tjetër pallati, në lagjen më numër 17, pranë ish URT-së, kërkojnë ekspertizë më të thelluar, për pallatin e konsideruar me dëme DS3. Më 18 gusht banorët e këtij pallati u mblodhën në një protestë, përpara godinës së bashkisë, duke kërkuar ekspertizë më të thelluar.

Në pritje të një përgjigje zyrtare nga ana e bashkisë, banorët ndjejnë pasiguri për të ardhmen, pasi gjithë kjo situatë u ka shkaktuar konfuzion.

“Objekti mendoj që ka nevojë për të thënë qartë, se çfarë shkalle dëmi ka, sepse një herë u fol DS3, një herë DS4 dhe nuk dimë se çfarë të besojmë, sepse bëhet fjalë për jetët tona. Ai fondi prej pesë milionë lekësh, është i pamjaftueshëm për riparime, por dhe nëse e pranojmë, kemi frikë se mos godina është më e dëmtuar se sa flitet dhe do të jemi sërish në rrezik”, thotë një prej banorëve për Porta Vendore.

Për të pasur një ekspertizë të thelluarvetë banorët i janë drejtuar Institutit të Ndërtimit, por që ky Institut, të kryejë një ekspertizë, duhet të jetë bashkia ajo që të bëjë kërkesën, ndaj dhe banorët ndihen në rrugë të madhe.

“Nuk di më asgjë. Kam kaq shumë informacione që më vijnë. Kam një mal me dokumente, kam aplikime, por nuk di një gjë, më të rëndësishmen, a mundet të riparohet pallati dhe a jep siguri, të cilën nuk e kam”, thotë një tjetër banor për Portën Vendore.

Një tjetër pallat i dëmtuar në zonën e Durrësit. Foto: Erjola Azizolli


Këto raste në qytetin e Durrësit po denoncohen ditë pas dite dhe kanë një problematikë të përbashkët dëmtimet e mëdha, veç apartamenteve dhe në ambientet e përbashkëta, si sheshpushimet, shkallët, ashensorët, fasadat, muret, ndaj dhe riparimi i tyre kërkon ekspertiza të tjera.

Ndonëse nuk ka një numër të saktë të pallateve që kanë këto problematika, Porta Vendore, konstatoi disa të tilla, nëpërmjet videove, fotove dhe prononcimeve të vetë banorëve.

“Është faza që do të hartohen projekt-preventiva për ambientet e përbashkëta që do të riparohen nga shteti në bazë të ekspertizës të Institutit të Ndërtimit, çka do të thotë se pallati ka nevojë për përforcime dhe do ndiqen të gjitha procedurat”, bën me dije Bashkia e Durrësit.

Foto nga postimi i Bashkisë Durrës, për nisjen e riparimeve në apartamentet e dëmtuara nga tërmeti.


Më 23 gusht kjo bashki deklaroi se nisi procesin e riparimit të dëmeve në apartamentet e dëmtuara nga tërmeti. Me anë të një postimi në faqen zyrtare të Bashkisë Durrësi, në rrjetin social “Facebook”, shihet kryetarja e bashkisë, Emiriana Sako, duke inspektuar punimet.

“ Përmes grantit të rikonstruksionit, në qytetin e Durrësit, ka nisur puna për riparimin e dëmeve në apartamentet e dëmtuara nga tërmeti. Janë gjithsej 10,220 familje që kanë përfituar nga granti i rikonstruksionit, për dëmet të klasifikuara si DS1-DS2-DS3, dhe deri tani janë likuiduar rreth 6100 familje, të cilat me fondet e marra po kryejnë punimet në apartamentet e tyre”, shkruan bashkia e Durrësit në postimin e saj.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, sipas postimit, ka deklaruar se paralelisht po punohet për procesin e riparimit edhe të ambienteve të përbashkëta të pallateve, por se për sa raste bëhet fjalë, sa do të zgjasë ky proces nuk bëhet e ditur.

“Ky është një proces shumë i rëndësishëm, dhe aktualisht jemi duke kryer procedurat përkatëse”, shkruan Bashkia Durrës.

Por, aq sa ç’ishin dëmet e këtij tërmeti në Durrës, aq të mëdha janë dhe problemet që kanë ngelur më pas, të cilat sot nëntë muaj pas lëkundjeve, janë ende të prekshme në çdo pjesë të qytetit.

E ndërsa bashkia deklaroi nisjen e punës për riparimin e dëmeve me likuidimin e 6100 familjeve të para, me një vlerë prej 20 milionë dollarësh, ka ende familje emigrantësh që ngelen të papërfshirë në skemën e aplikimit për përfitimet e rindërtimit.

Sipas bashkisë së Durrësit, në 10 ditët e para të muajit gusht u miratua një listë tjetër e personave që aplikuan gjatë muajit korrik, të cilët ishin ata që kishin ngelur prapa në proces, emigrantët, të cilët e kishin të pamundur që të paraqiteshin përpara njësive në muajt janar, shkurt.

Kjo listë ende nuk është bërë publike nga bashkia e Durrësit se sa familje ka, por më 14 gusht përpara bashkisë së Durrësit, një grup prej 50 familje emigrantësh, protestuan përpara bashkisë, pasi nuk arritën që të aplikonin as në fazën e dytë.

Si çdo stinë vere, në muajin gusht emigrantët rikthehen në Durrës, për shkak të pushimeve në vendet ku punojnë dhe jetojnë, por në muajin gusht ishte mbyllur aplikimi i dytë për të përfituar nga granti i rindërtimit.

Pandemia e COVID-19,që kufizoi lëvizjet ishte një tjetër shkak që la jashtë aplikimeve emigrantët, ndaj me kthimin në Durrës, ata kërkuan shtyrje të afateve të aplikimit.Pas letrave dërguar krerëve të shtetit, ata zhvilluan një protestë, e cila deri në nisje të javës së fundit të muajit gusht ra në vesh të shurdhët.

Me shumë probleme, me shumë pasiguri, shumë familje në Durrës po kalojnë një stine vere tepër të vështirë, ndërsa shpresojnë se muaji shtator do të jetë më i mbarë për ta dhe pasojat që la pas tërmeti i 26 nëntorit.

Marrë nga portavendore.al 

Shto Koment