Politike

Opinioni final i ‘Venecias’/ Presidenca: Raporterët s’kanë pranuar asnjë ndryshim nga ai parapraku, kërkohet zbatimi i rekomandimeve për “Anti-Shpifjen”

Blushi shprehet e presidenti Meta është i fokusuar totalisht te situata e shkaktuar në vend, si pasojë e përhapjes së pandemisë së COVID-19. Ai thekson se parlamenti holandez ka kërkuar që qeveria shqiptare të zbatojë edhe rekomandimet e opinionit paraprak të 6 marsit, përfshirë edhe ato për paketën”Anti- Shpifje”.
Featured image of article: Opinioni final i ‘Venecias’/ Presidenca: Raporterët s’kanë pranuar asnjë ndryshim nga ai parapraku, kërkohet zbatimi i rekomandimeve për “Anti-Shpifjen” Presidenca

Tiranë- Presidenca ka reaguar pas lajmit të publikuar në media se është shtyrë publikimi i draft-opinionit final nga Komisioni i Venecias, për çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese. Nëpërmjet një njoftimi në Facebook, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka sqaruar se raporterët nuk kanë pranuar asnjë ndryshim nga raporti paraprak i 6 marsit. Sipas tij arsyeja e vërtetë e shtyrjes është se parlamenti holandez ka kërkuar që qeveria shqiptare të zbatojë krahas 9 kushteve të Bundestagut për çeljen e negociatave edhe rekomandimet e opinionit paraprak të 6 marsit, përfshirë edhe ato për paketën”Anti- Shpifje”.

REAGIMI

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta është i fokusuar në masat e marra për përballimin e COVID 19 dhe tejkalimin e kësaj situate kritike, duke patur prioritet kryesor vetëm mbrojtjen e shëndetit të çdo qytetari.

Por fatkeqësisht konstatojmë se dhe në këtë situatë të vështirë “burime” nga mazhoranca gjejnë kohë për t’u marrë me politikë të papërgjegjshme dhe të pacipë duke serivur në media lajme të pavërteta nga Venecia.

Me përgjegjësi të plotë sqarojmë se “burimi i Strasburgut” është Taulant Balla, i cili edhe pse është kryetar i vetëm një grupi parlamentar politik në Kuvend është personi i kontaktit në emër të Kuvendit edhe me Komisionin e Venecias, tamam për të provuar se Kuvendi aktual është njëpartiak.

Burimet e vërteta nga Strasburgu konfirmojnë se raporterët nuk kanë pranuar ndryshimin e opinionit të 6 marsit. Ndërkohë në Parlamentin holandez është kërkuar të përfshihet si kusht i qartë për Qeverinë shqiptare: zbatimi i rekomandimeve të opinionit të datës 6 mars, dhe opinionit për ligjin e ashtuquajtur “anti-shpifje”, përveç 9 kushteve të Bundestagut. Në këto rrethana është shtyrë edhe publikimi i raportit përfundimtar nga Komisioni i Venecias.

Presidenti Meta uron që situata me pandeminë COVID 19 të kalojë sa më shpejt, dhe se vëmendja dhe angazhimi i Tij do të vazhdojë të jetë 100% në kapërcimin e saj të menjëhershëm dhe me pasoja sa më të lehta për qytetarët.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Exit news ka raportuar së fundmi se Komisioni i Venecias hoqi nga kalendari i tij i punimeve, miratimin e opinionit përfundimtar për emërimet në Gjykatën Kushtetuese, pasi i është bërë një presion nga qeveria shqiptare, pas publikimit të draftit paraprak.

Komisioni i Venecias ende nuk ka një raport final për çështjen e emërimit të anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, por mësohet se në opinionin paraprak konstatohet se mënyra e veprimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është e dyshimtë dhe se ligji për ndryshimin e betimit tek Presidenti është antikushtetues. Në opinion paraprak thuhet se Meta ka vepruar sipas Kushtetutës me emërimin e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk e ka shkelur atë.

Përplasja për Kushtetuesen

Prej shumë muajsh Gjykata Kushtetuese është futur në ngërç, për shkak të mënyrës së emërimit të një prej anëtarëve të saj. Presidenti ka zgjedhur Marsida Xhaferllafin si anëtare, ndërkohë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe maxhoranca njohin Arta Vorpsin. KED dhe maxhoranca shprehen se Vorpsi është anëtare e ligjshme, pasi Presidenti zgjedhjen e Xhaferllarit e ka bërë jashtë afateve dhe emri i anëtares ishte publikuar në fletoren zyrtare.

Pas përplasjeve mes Presidentit dhe maxhorancës, kjo e fundit vendosi që këtë çështje ta shtonte në objektin e hetimit të Komisionit Parlamentar Hetimor për Presidendit dhe ta dërgonte në Komisionin e Venecias. Po ashtu, PS vendosi të ndryshojë dhe ligjin për betimin e gjyqtarëve e prokurorëve, duke shmangur procedurën e betimit tek Presidenti.

Meta këtë ligj e ka quajtur antikushtetues dhe e ka kthyer në Kuvend. Po ashtu Presidenti ka bërë një kallëzim penal për kreun e KED, Ardian Dvoranin, ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonajn dhe dy zyrtarë të tjerë. Meta po ashtu ka nisur dhe një fushatë, kundër asaj që ai e quan “grushti i shtetit”, duke zhvilluar dhe një manifestim në 2 mars. Kreu i Shtetit ka publikuar disa dokumente kanë dalë nga zyrat e atyre që i quan rilindas dhe për të kanë shkelur Kushtetutën. Meta akuzon maxhorancën se kërkon të kapë Gjykatën Kushtetuese, ndërsa PS shprehet se Presidenti po shkel Kushtetutën.

J.V/Dosja.al

Shto Koment