Ekonomi

Shtohen shpenzimet familjare/ INSTAT nxjerr shifrat: Një familje shpenzoi rreth 75 mijë lekë në muaj për konsum

Sipas INSTAT krahasuar me një vit më parë, shpenzimet familjare për konsum janë rritur me 3.5 për qind në terma monetarë, por nëse zhvishen nga efekti i inflacionit atëherë rritja reale rezulton vetëm 1.5 për qind.
Featured image of article: Shtohen shpenzimet familjare/ INSTAT nxjerr shifrat: Një familje shpenzoi rreth 75 mijë lekë në muaj për konsum Foto ilustruese

TIRANË- Një familje shqiptare e përbërë nga 3.7 vetë shpenzoi mesatarisht 75 mijë e 935 lekë në muaj për konsum gjatë vitit të kaluar.

Të dhënat janë bërë publike nga Instituti I Statistikave në Anketën e Buxhetit të Familjeve.

Sipas INSTAT krahasuar me një vit më parë, shpenzimet familjare për konsum janë rritur me 3.5 për qind në terma monetarë, por nëse zhvishen nga efekti i inflacionit atëherë rritja reale rezulton vetëm 1.5 për qind.

Të dhënat nga anketa tregojnë se në rang qarqesh Shqipëria është e pabarabartë. Niveli më i lartë i jetesës në vend regjistrohet në Tiranë, ku një familje shpenzon për konsum mesatarisht 88 mijë e 600 lekë në muaj, ndërsa qarku më i varfër rezulton Dibra, ku shpenzimet familjare për konsum janë vetëm 58 mijë e 460 lekë.

Megjithatë sipas INSTAT krahasuar më një vit më parë niveli i pabarazisë në Shqipëri është ulur. Kjo pasi diferenca në konsum mes familjeve të pasura dhe atyre të varfra është ngushtuar.

Por për çfarë i shpenzojnë paratë e tyre shqiptarët? Sipas INSTAT, pjesa më e madhe e buxhetit të familjeve shqiptare ose 44 përqind, shkon për ushqim. Kjo është një nga normat më të larta në Evropë, gati 4 herë më shumë se sa mesatarja e Bashkimit Europian, çka tregon dhe nivelin e ulët të të ardhurave në Shqipëri.

Pas ushqimeve, zëri i dytë që merr pjesën më të madhe të shpenzimeve familjare për konsum është strehimi dhe faturat e utiliteteve publike si energjia apo uji me 10.5 për qind, ndërsa në vendin e tretë renditet shpenzimet për transport me 6.8 për qind.

Një Koment në “Shtohen shpenzimet familjare/ INSTAT nxjerr shifrat: Një familje shpenzoi rreth 75 mijë lekë në muaj për konsum

  1. Pse genjeni,nuk jane te verteta shikoni ne total jo selective.

Shto Koment