Rajoni

Shtimi i rasteve të reja me Covid-19/ Drejtori i SHKSUK-së: Gjendja po rëndohet çdo ditë, Kosova mund të bëhet edhe me një tjetër spital COVID

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë për KosovaPress është shprehur se tashmë kjo ambulancë është e gatshme për të ofruar shërbime.
Featured image of article: Shtimi i rasteve të reja me Covid-19/ Drejtori i SHKSUK-së: Gjendja po rëndohet çdo ditë, Kosova mund të bëhet edhe me një tjetër spital COVID Drejtori i SHKSUK-së, Valbon Krasniqi

KOSOVË– Shtimi i rasteve të reja ditë pas dite në Kosovë ka bërë që situata e pandemisë së Covid-19 të rëndohet edhe më shumë.

Për këtë shkak gjatë javëve të fundit autoritetet përgjegjëse po shqyrtojnë mundësinë e krijimit edhe të një spitali tjetër Covid në vend. Deri më tani si masë e riorganizimit, Ambulanca Specialistike në QKUK pritet që shumë shpejt të kthehet në një ambulancë COVID-19, ku do kenë mundësi të trajtohen të gjithë pacientët e prekur nga ky virus.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë për KosovaPress është shprehur se tashmë kjo ambulancë është e gatshme për të ofruar shërbime.

Në kuadër të riorganizimit të hapësirave, ne përveç shtretërve kemi menduar ta riorganizojmë edhe më mirë shërbimin e pranimit të ashtuquajtura ambulancat COVID do të vendosen tek ambulanca specialistike, është bërë orari dhe janë përcaktuar ekipet që do punojnë aty. Tash pacientët kur të arrijnë në QKUK do e kenë një adresë të vetme ku do të drejtohen dhe jo të shëtisin nëpër klinika, dhe aty stafi mjekësor në bazë të kritereve të vlerësimet për pacientët që do kenë nevojë për t’u shtrirë në spital do kenë mundësi për t’u shtrirë… Shumë shpejt brenda këtyre ditëve ne do ta funksionalizojmë këtë shërbim të ri si organizim. Situata është duke u rënduar për ditë dhe më shumë jemi në një situatë shumë të vështirë sa i përket krijimit të hapësirave të reja me shtretër dhe angazhim të stafit shtesë shëndetësor për t’i trajtuar, po ashtu edhe manifestimet klinike tek pacientët janë jashtëzakonisht të rënda. Kemi pacientë me gjendje shumë të rëndë shëndetësore, mbi 400 pacientë nga 600 sa janë të shtrirë në Qendrën Universitare dhe spitalet rajonale mbi 400 prej tyre janë me oksigjenoterapi dhe kjo flet për një situatë jashtëzakonisht të rënduar.”– është shprehur Krasniqi.

Sipas tij Ministria e Shëndetësisë dhe qeveria kanë shqyrtuar mundësinë e krijimit të një spitali COVID-19 jashtë QKUK-së me qëllim të trajtimit të të prekurve me koronavirus.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Ne i kemi aktualisht në total që i kemi destinuar për pacientët me COVID rreth 750 shtretër në nivel të Kosovë, pra përfshirë QKUK-në dhe spitalet rajonale varësisht nga shkalla e rritjes së rasteve dhe nevojave të pacientëve ne duhet të krijojmë edhe hapësira të tjera dhe kemi plane për zgjerim të këtyre shtretërve. Por qytetarët duhet ta dinë se çdo shtrat i ri, çdo rritje e numrit të pacientëve e vë në vështirësi të mëdha sistemin shëndetësor pasi nuk është çështja vetëm e një shtrati por duhet angazhim shtesë i personelit për të trajtuar ato raste, infermierë shtesë, shërbime logjistike tjera shtesë për të mbështetur shërbimet ndaj këtyre pacientëve…. Kemi plan edhe për QKUK, kemi plan edhe për disa spitale regjionale për të zgjeruar ende kapacitetet, kemi bllokun internistik që e kemi këtu në Qendrën Klinike, po ashtu qeveria dhe Ministria e Shëndetësisë ka diskutuar edhe opsione të tjera qoftë krijimin e një spitali të themi jashtë QKUK-së për trajtim të pacientëve me COVID. Mirëpo njëherë për njëherë jemi duke menaxhuar me kapacitete tona vetanake që i kemi.“- tha ai.

Gjithashtu mes të infektuarëve nuk ka shpëtuar as stafi mjekësor, që janë edhe në vijë të parë të fronit në luftimin e pandemisë. Krasniqi ka thënë se nga fillimi i përhapjes së pandemisë në mars të këtij viti e deri më sot mbi 700 personel mjekësor janë infektuar me COVID-19, dhe se shumica e tyre tashmë janë shëruar dhe janë kthyer në detyrë.

“Kapacitetet janë jashtëzakonisht të limituara dhe po ashtu edhe numri i madh i të infektuarve e vështirëson edhe më shumë. Në nivel vendi që nga fillimi i pandemisë janë diku mbi 700 personel shëndetësorë që kanë qenë të infektuar dhe tashmë shumica prej tyre janë shëruar dhe janë rikthyer punë.”– përfundoi ai.

A.C/Dosja.al

Shto Koment