Diaspora

Shqiptarët etnikë dënohen për terrorizëm në rigjykimin e çështjes “Përbindëshi”

Pesë shqiptarë etnikë u dënuan për vrasjet e vitit 2012 të pesë maqedonasve etnikë në Shkup pas një rigjykimi të profilit të lartë në një çështje që ka shkaktuar tensione etnike në vend.
Featured image of article: Shqiptarët etnikë dënohen për terrorizëm në rigjykimin e çështjes “Përbindëshi” Pamje nga gjyklimi

Gjykata Penale e Shkupit dënoi të martën Agim Ismailoviçin, Afrim Ismailoviçin dhe Alil Demirin me burgim të përjetshëm, duke i shpallur ata fajtorë për terrorizëm për kryerjen e vrasjeve të pesë maqedonasve etnikë – një krim që tronditi kombin në 2012 dhe ka vazhduar të shkaktojë tensione ndëretnike dhe spekulime në lidhje me ndërhyrjet politike.

Vetëm Agim Ismailoviç ishte në sallën e gjyqit për të dëgjuar vendimin e rigjykimit, pasi dy të tjerët u gjykuan në mungesë dhe besohet se fshihen në Kosovë.

Dy të pandehurit e tjerë, Fejzi Aziri dhe Haki Aziri, u dënuan përkatësisht me 15 dhe nëntë vjet burg pasi u gjetën fajtorë për ndihmën e të tjerëve në kryerjen e vrasjeve. Ata fillimisht ishin dënuar me burgim të përjetshëm në gjykimin e parë.

Një i pandehur i gjashtë, Samir Ljuta, u lirua nga akuza për ndihmën për të kryer krimin pasi prokurorja tërhoqi të gjitha akuzat në fillim të këtij viti, duke përmendur mungesën e provave.

Pesë maqedonasit u vranë me pushkë automatike dhe një pistoletë afër Shkupit në Pashkën Ortodokse në 2012.

“Ky nuk ishte një veprim i rregullt kriminal, kjo ishte një vrasje monstruoze sadiste, marrja e jetëve të fëmijëve që sapo kishin hyrë në moshën e pjekurisë”, i tha gjykatës kryetari i trupit gjykues Ognen Stavrev pak para shpalljes së vendimit.

Prokurorja Fatime Fetai tha se dënimet ishin “adekuate”.

Por avokati mbrojtës Naser Raufi përsëriti pretendimet e bëra gjatë gjykimit se “çështja ishte e sajuar” dhe se provat u vendosën në skenën e krimit nga policia.

“Ne nuk u befasuam nga lirimi nga akuzat i Samir Ljutës, por jemi të befasuar që edhe pjesa tjetër e të pandehurve nuk u liruan gjithashtu”, i tha Raufi gjykatës.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Avokatët e të pandehurve, të cilët u vetëdeklaruan të pafajshëm në rigjykim, njoftuan se do të apelojnë në një gjykatë më të lartë.

Trupat e pajetë të viktimave Filip Slavkovski, Aleksandar Nakjevski, Cvetanco Acevski dhe Kire Trickovski, të gjithë të moshës midis 18 dhe 20 vjeç, u zbuluan afër liqenit Smilkovci afër Shkupit në 2012. Trupat e tyre ishin rreshtuar dhe duket se ishin ekzekutuar. Trupi i 45-vjeçarit Borce Stevkovski u gjet pak larg nga të tjerët.

Rasti shkaktoi protesta të dhunshme në kryeqytetin e këtij vendi multi-etnik ku shqiptarët përbëjnë rreth një të katërtën e popullsisë.

Çështja ishte gjithashtu subjekt i spekulimeve se të pandehurit u përdorën si desh kurbani për krimin e profilit të lartë nga qeveria autoritare në atë kohë, e cila drejtohej nga kryeministri i atëhershëm Nikola Gruevski.

Të pandehurit u gjetën fajtorë në vendimin fillestar të gjykimit në qershor 2014 dhe u dha dënimi më i gjatë i mundshëm për veprat e terrorizmit, burgim i përjetshëm. Dënimet shkaktuan më shumë protesta nga shqiptarët etnikë dhe pati përplasje të dhunshme midis policisë dhe demonstruesve në rrugët e Shkupit.

Mbrojtja shpresonte se mund të kishte një progres në këtë çështje në vitin 2015, kur lideri i atëhershëm i opozitës Social Demokrate Zoran Zaev, i cili tani është kryeministër, bëri me dije se disa nga mijëra biseda të përgjuara fshehurazi që partia e tij po i publikonte mund të mbështesnin pretendimet e një kurthi të motivuar politikisht.

Një rigjykim filloi në maj 2018 pasi prokuroria kërkoi nga Gjykata e Lartë që dënimet me burgim të përjetshëm të anuloheshin, duke përmendur rrethana të reja dhe prova të diskutueshme në çështje.

Por pavarësisht shpresave të mëdha të mbrojtjes, gjatë rigjykimit, përgjimet dhe dëshmia e vetë Zaevit në gjykatë nuk ofruan pista të reja të rëndësishme dhe nuk e ndryshuan rrjedhën e çështjes.

Marrë nga TEMA

Shto Koment