Politike

Shqiptarët e bllokuar në kufi, Meta: Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme

Meta shkruan se është shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës
Featured image of article: Shqiptarët e bllokuar në kufi, Meta: Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme Ilir Meta, President i Shqipërisë

TIRANË- Presidenti Ilir Meta ka kërkuar zgjidhje të menjëhershme nga autoritetet shqiptare për të gjithë qyetarët që janë bllokuar në kufi. Në një reagim në Facebook, Meta shkruan se është shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kreu i Shteti shton kërkon nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës.

“Jam shumë i shqetësuar mbi situatën e qytetarëve shqiptarë të cilët vijojnë ende të bllokuar në pikat e kalimit kufitar të Kakavijës dhe Kapshticës. Kjo situatë duhet të marrë zgjidhje të menjëhershme.

U bëj thirrje sërish të gjithë qytetarëve shqiptarë të respektojnë kushtet e urgjencës dhe domosdoshmërisë të imponuara nga pandemia e COVID-19 në pikat tona kufitare e njëkohësisht kërkoj nga autoritetet tona përgjegjëse të respektojnë, jo vetëm kërkesat e situatës së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, por edhe detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare që shteti ka ndaj qytetarëve të vet në një situatë të tillë. Edhe njëherë kërkoj nga të gjithë më shumë bashkëpunim e mirëkuptim, solidaritet e përgjegjësi mes qytetarëve dhe autoriteteve tona në dobi të interesit publik dhe sigurisë së jetës. 🇦🇱“, shkruan Meta.

Reagimi i Presidentit bëhet pasi në kufi janë të bllokuar dhjetara emigrantë. Nga 33 persona që prisinin në Kapshticë, 6 prej tyre janë kthyer në Greqi. Ndërsa 10 të tjerë janë lejuar që të hyjnë në territorin e Shqipërisë, pasi kishin marrë leje. 10 të tjerë kanë hyrë në vendin tonë në mënyrë të paligjshme dhe janë gjobitur, për t’u shoqëruar më pas nga Policia për në banesat e tyre, ku edhe do të vetë-karantinohen. Ndërkohë në zonën neutrale kanë mbetur 7 persona të tjerë, të cilët vazhdojnë të presin që të hyjnë në Shqipëri.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Grupi i emigrantëve shqiptarë, prej ditësh në pritje në kufi të vendit. Një tjetër shqetësim i tyri është edhe gjoba që mund të pësojnë pasi kanë kaluar afatin 90 ditor të qëndrimit, dhe mund të gjobiten. Dhe pse Rama u shpreh se asnjë emigrant në Greqi nuk do penalizohet me gjobë, disa prej qytetarëve që kanë kaluar kufirin janë detyruar që të paguajnë 1200 euro.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment