Politike

Shqipëria merr kryesimin OSBE-së, Rama: Moment historik e inspirues për ne. E gjitha për njerëzit! (VD)

Kryeministri Edi Rama ka përmendur edhe detaje nga plani që vendi ynë ka hartuar për drejtimin e institucionit ndërkombëtar duke rikthyer në qendër të vëmëndjes konfliktet në Ukraninë, të drejtat e grave dhe luftën kundër korrupsionit.  

Shqipëria ka marrë zyrtarisht kryesimin e OSBE-së. I pari që ka marrë fjalën ka qënë kryeministri Edi Rama, i cili është shprehur se kjo është një përgjegjësi e madhe. 

Në fjalën e tij, Rama ka përmendur edhe detaje nga plani që vendi ynë ka hartuar për drejtimin e institucionit ndërkombëtar duke rikthyer në qendër të vëmëndjes konfliktet në Ukraninë, të drejtat e grave dhe luftën kundër korrupsionit.  

Kreu i qeverisë, nuk harroi pa përmendur faktin që Shqipëria është një vend mikpritës duke sjellë shembullin e strehimit të hebrenjve gjatë luftës së Dytë Botërore dhe harmoninë fetare. 

“Për Shqipërinë është një moment historik. Shqipëria është një vend me histori të pasur dhe të shumëllojshme, tradita të forta dhe me një vizion eksplorator për të ardhmen. Pasi ka përballuar shumë sfida në shekullin e 20-të, populli ynë tani aspiron për begati, siguri dhe paqe kohëgjatë. Të gjitha këto varen shumë nga marrëdhëniet e mira me fqinjët tanë dhe me partnerët më larg,”-tha ndër të tjera Rama. 

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

DEKLARATA E PLOTË:

A nuk është vërtetë e mrekullueshme? Shqipëria do të marrë zyrtarisht më 1 Janar Presidencën e OSBE-s, saktësisht, 45 vite pas themelimit të saj. E dini që 45 vite më parë, Shqipëria me zërin e diktatorit komunist Enver Hoxha ishte i vetmi shtet europian që jo vetëm refuzonte të bëhej pjesë e OSBE-së, por edhe e mohonte. Jo vetëm refuzonte të ishte pjesë e OSBE-së, por edhe ta kundërshtonte krijimin e saj, si më poshtë:
Shpresa e vetme e të gjitha sateliteve të sovjetikëve është që të forcojnë miqësinë e tyre me SHBA-në dhe Perëndimin, të kërkojnë investime nga ata në formën e kredive, pa kufizime, të lejojnë kishën të zërë vendin që kishte më parë, për të thelluar degjenerimin moral, etj., etj.
Unë isha 11 vjeç në atë kohë. Pionier, siç i quanin fëmijët në Shqipërinë e asaj kohe. Sot jam Kryeministri 55-vjeçar i Shqipërisë së re, që është krenare për anëtarësinë e saj në OSBE e që përgatitet të drejtojë këtë organizatë me 57 vende anëtare dhe me më shumë se 1 miliardë njerëz, nga Vankuveri në Vladivastok. A nuk është e mrekullueshme?
I nderuar Zoti Lajcek dhe i nderuar Miro!
Së pari dhe mbi të gjitha, faleminderit për mikpritjen e ngrohtë!
Faleminderit për 10 urdhëresat tuaja, që më dhatë para se të hyja në këtë dhomë. Ju falenderoj edhe për amanetin që më dhatë, se në fund të fundit, OSBE-ja është për njerëzit. Nuk janë pak, por më shumë se 1 miliardë.
I nderuar Sekretar i Përgjithshëm!
Kolegë të nderuar!
Zonja dhe zotërinj!
Në mbledhjen tonë këtu, në Bratislavë, arritëm konsensus mbi shumë vendime të rëndësishme, gjë që më jep besimin, se pavarësisht ndasive tona, arritjet janë të mundshme, nëse jemi të duruar, këmbëngulës dhe të gatshëm të krijojmë hapësirën e nevojshme diplomatike. 
Në veçanti përshëndesim vendimin e Presidencave të ardhshme Suedeze dhe Polake, që përmirësojnë aftësinë tonë për t’i dhënë drejtim strategjik OSBE-së në vitet e ardhshme. Shpresoj që nisma jonë për të ndryshuar emrin e grupeve të kontaktit me partnerët nga Azia dhe Mesdheu do të miratohet. Nga ana tjetër na vjen keq që ka disa vendime kyçe mbi të cilat nuk kemi rënë dakord. Ka ende fraktura të thella në çështje kyçe politike dhe të sigurisë, ku shtetet pjesëmarrëse rreth kësaj tavoline ndihen sikur asnjë kompromis nuk është i pranueshëm, ose që parimet e OSBE-së po shkelen.
Presidenti shqiptar në detyrë do të ketë përgjegjësinë të shohë përpara drejt vitit të ardhshëm.
Për Shqipërinë është një moment historik. Shqipëria është një vend me histori të pasur dhe të shumëllojshme, tradita të forta dhe me një vizion eksplorator për të ardhmen. Pasi ka përballuar shumë sfida në shekullin e 20-të, populli ynë tani aspiron për begati, siguri dhe paqe kohëgjatë. Të gjitha këto varen shumë nga marrëdhëniet e mira me fqinjët tanë dhe me partnerët më larg.
Toleranca fetare dhe mikpritja dallohen lehtë tek shqiptarët. Papa Françesku erdhi në Shqipëri për vizitën e tij të parë zyrtare jashtë vendit, për të lëvduar atë që ai e quajti vëllazëri fetare mes myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve e të tjerë. Për më tepër, ne ishim i vetmi vend me numrin më të madh të popullsisë hebreje pas Luftës së Dytë Botërore, sesa në fillim të luftës. Asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve.
Por nuk është nevoja të kthehemi kaq mbrapa në kohë, për të vënë re mikpritjen tonë. Në 1999-ën, në një vend me jo më shumë se 3 milionë banorë, ne mirëpritëm dhe strehuam më shumë se 500 000 shqiptarë të Kosovës, në atë që sot duhet të shërbejë për të gjithë si një kujtesë e diçkaje që nuk duhet të përsëritet kurrë më.
Nga një komb nën një regjim mizor, që kundërshtoi frymën e Helsinkit, ne tani jemi të nderuar që na keni dhënë besimin dhe drejtimin e organizatës sonë. Presidenca e OSBE-së shënjon kulmin e një transformimi kaq domethënës.
Vizioni ynë për Presidencën Shqiptare drejtohet nga 3 pika të rëndësishme; Së pari, synojmë të përqendrohemi tek bazat, duke vënë në zbatim sëbashku me mirëbesim, një tërësi gjithëpërfshirëse të angazhimeve tona politike. Thelbësisht kjo do t’i shërbejë kredibilitetit të OSBE-së, si organizata më e madhe rajonale e sigurisë dhe për të gjithë ne, shtetet anëtare të saj. Receta e Helsinkit për paqe në Europë është e thjeshtë, por efektive: respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial dhe respektimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Nëse duam siguri dhe paqe në Europë duhet të mbajmë përgjegjësi për t’i zbatuar plotësisht angazhimet tona.
Së dyti, OSBE-ja ka vërtetuar që e ka aftësinë të pozicionohet shpejt dhe ndonjëherë aty ku askush tjetër nuk arrin. Ky është një aset shumë i madh, diçka që bën ndryshimin në terren, qoftë në parandalimin e një konflikti, në monitorimin e zgjedhjeve, apo kur mbështet reforma, duke përmirësuar sigurinë dhe begatinë e qytetarëve tanë. Ky është një avantazh unik i organizatës sonë dhe Presidenca Shqiptare do të promovojë punën e OSBE-së aty ku është më afër me njerëzit.
E treta, frymëzuar nga përvjetori i tretë i Kartës së Parisit, do të vazhdojë përpjekjet për forcimin e dialogut, si e vetmja mënyrë për të rindërtuar besimin tek njëri-tjetri, masat për rritjen e kredibilitetit dhe përdorimi i plotë i dialogut të strukturuar janë kritike për këtë sipërmarrje.
Programi ynë i detajuar i prioriteteve për vitin 2020 do të shpërndahet në fillim të vitit, por do të doja të përdorja këtë mundësi për të përmendur disa çështje kyçe, që do të shfaqen në axhendën tonë;
Kriza në Ukrainë dhe rreth saj mbetet sfida më urgjente e sigurisë në Europë. Është e papranueshme që konfliktet e zgjatura në rajonin tonë vazhdojnë të marrin jetë njerëzish. Prandaj përpjekjet për rezoluta të zgjidhjes së konfliktit do të jenë në krye të axhendës për Presidencën Shqiptare.
Gratë vazhdojnë të vuajnë më shumë pasojat e destabilitetit dhe konfliktit, janë edhe të përjashtuara në mënyrë të padrejtë nga diskutimet për paqen. Prandaj do të fokusohemi si në luftën kundër dhunës ndaj grave, ashtu edhe në promovimin e rolit të grave në fushën e sigurisë dhe paqes. Do të bëjmë pjesën tonë, duke caktuar më shumë gra në pozicione me përgjegjësi në OSBE. Gjithashtu ju ftoj edhe ju, meqenëse shumë vende do të jenë të lira vitin e ardhshëm, ju lutem, emëroni sa më shumë kandidate të kualifikuara femra që të jetë e mundur. Mbi këtë temë jemi krenarë që sjellim një shembull të mirë këtu, si një vend që renditet në 5-shen më të mirë në botë për pjesëmarrjen e grave në qeveri dhe po ashtu renditemi në pozicion të lartë në botë për pjesëmarrjen e grave në çështjet publike.
Korrupsioni shkatërron themelet e demokracive tona dhe ka ndikim të kundërt mbi sigurinë dhe begatinë e rajonit tonë, bashkë me kërcënime të tjera ndërkombëtare, natyrisht. Duke vazhduar punën e nisur nga presidenca të mëparshme, do të shtojmë përpjekjet e OSBE-së për të luftuar korrupsionin dhe për të promovuar mirëqeverisjen.
Trafikimi i qenieve njerëzore është po aq shkelje e të drejtave të njeriut, saç është rrezik për sigurinë. OSBE-ja është tashmë lider botëror në luftën kundër trafikut të qenieve njerëzore. Në 2020-n do të vazhdojmë të mbajmë lart veprimtarinë e OSBE-së në këtë drejtim.
E fundit, intoleranca dhe shprehje që nxisin urrejtje po përhapen në Europë. Duhet të dyfishojmë përpjekjet për të luftuar diskriminimin dhe për të promovuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Si antisemitizmi, edhe sjelljet dhe qasjet anti-islamike janë tërësisht të papranueshme në këndvështrimin tonë dhe ne i kemi luftuar e duhet t’i luftojmë sëbashku. Besoj se kemi hartuar një program realist dhe të balancuar, pasi kemi zhvilluar konsultime të zgjeruara me kryeqytetet dhe në Vjenë.
Përgjatë vitit të ardhshëm, Shqipëria do të jetë një drejtues i hapur dhe përfshirës. Dua t’ju garantoj që zëri i çdo shteti pjesëmarrës do të dëgjohet me respekt dhe vendimet do të merren në mënyrë plotësisht transparente. Gjithsesi, një presidencë nuk mundet ta drejtojë me sukses OSBE-në, nëse mungon vullneti politik për të bërë kompromise. Nëse qasja jonë është që konsensusi i përbashkët është i mundur vetëm përmes zhvatjes së lëshimeve, nëse ne ulemi në tryezën e negociatave me vija të kuqe, ajo që ju kërkoj është të angazhoheni në mënyrë konstruktive në jetën e organizatës sonë, të sillni fleksibilitet dhe një mendje të hapur dhe mundësisht të mos harrojmë, gjithçka e bëjmë për njerëzit tanë.
Ndajmë përgjegjësitë ndaj OSBE-së, le të garantojmë funksionalitetin e saj dhe le ta fillojmë duke miratuar një buxhet të balancuar dhe në kohë, nga fundi i këtij viti. Do të punojmë me arritjet dhe përvojat e presidencave të mëparshme dhe sëbashku me ekspertizën e partnerëve tanë jam i sigurt se do ta bëjmë vitin e ardhshëm të suksesshëm. Suksesi ynë do të jetë suksesi i të 57-të shteteve. Të gjithë kemi përgjegjësi këtu, jo vetëm përgjegjësi për një grup njerëzish, por për më shumë se 1 miliardë njerëz.
Ju faleminderit shumë!

Ditën e sotme Shqipëria mori kryesimin e OSBE-së.  Përveç ministrit të Jashtëm në detyrë Gent Cakajt, i pranishëm në Sloveni ishte edhe kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili e cilësoi këtë moment historik dhe inspriues për vendin. Nga ana tjetwr ministri Cakaj thotë se Shqipëria është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive

(k.m/dosja.al)

Shto Koment