Aktualitet

Shpërndanë fletushka për minatorët në TEG, OP: Policia ndalon avokatët të takojnë të rinjtë e arrestuar (FOTO)

OP thotë se policia po përdor si pretekst një deklaratë noteriale nga familjarët e të rinjve, ndërkohë që thekson se të ndaluarit janë mbi 18 vjeç.
Featured image of article: Shpërndanë fletushka për minatorët në TEG, OP: Policia ndalon avokatët të takojnë të rinjtë e arrestuar (FOTO) Tre te rinjte e ndaluar

TIRANË– Aktivistët e Organizatës Politike denoncojnë në rrjetet sociale se policia e Shtetit ka penguar avokatët që të takojnë të rinjtë e ndaluar për shpërndarjen e fletushkave pasditen e djeshme në ambientet e TEG. Në një postim në rrjetet sociale, OP thotë se policia po përdor si pretekst një deklaratë noteriale nga familjarët e të rinjve, ndërkohë që thekson se të ndaluarit janë mbi 18 vjeç.

Postimi i plotë:

Policia e Edi Ramës po pengon avokatët që të takojnë aktivistët e arrestuar. Pavarësisht se djemtë janë maxhorenë, kërkohet deklaratë noteriale nga familjarët e të arrestuarve. Sot është ditë pushimi për noterët dhe familjarët e shokëve tanë ndodhen në qytete larg Tiranës. Po ashtu, policia e komisariatit nr.1 nuk ka thërritur ende mjekun ligjor që do të verifikonte shenjat e dhunës së rojeve të Samir Manes. Samir Manja dhe shërbëtorët e tij në qeveri, prokurori dhe polici nuk na ndalin dot! Lironi Frenklin Elinin, Bislim Laknën dhe Enriko Peçulin! *Në foto janë sendet personale të shokëve tanë, të sekuestruara nga policia.

Fotoja e postuar nga OP

Dje në qendrën tregtare TEG, aktivistët e Organizatës Politike zhvilluan një aksion simbolik kundër biznesmenit Samir Mane, ku shpërndanë fletushka të vogla që vinin në mbrojtje të minatorëve, të Bulqizës të cilët janë prej javësh në një betejë me pronarin e “Albchrome”, Samir Mane. Frenklin Elini, Enriko Peçuli dhe Bislim Lakna, ndodhen ende në Polici.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

 

PERPLASJA ALBCHROME- MINATORET

Pak javë më  më parë,kompania Albchrome pushoi nga puna pa asnjë paralajmërim Elton Debreshin, punonjës prej 6 vitesh në AlbChrome, vetëm 5 ditë pasi ky i fundit u zgjodh si kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Në një shpjegim për Dosja.al, Debreshi sqaroi situatën e krijuar mes minatorëve dhe Albchrome, ku denoncoi edhe kushtet e punës për mbi 600 punonjës. Ndërsa në reagimin e saj “AlbChrome”  u shpreh se protesta ka në fokus përplasjen mes sindikatave, dhe thotë se ata që janë në grevë, janë pakicë, që nuk përfaqësojnë minatorët.  Më pas Sindikata e Minatoreve të Bashkuar në Bulqizë nëpërmjet një deklarate i bëri thirrje kompanisë që të kthejë në punë minatorët pasi edhe Inspektorati i Punës ka nisur hetimet. Deri më tani janë shkarkuar nga puna 4 minatorë.

(F.g/dosja.al)

Shto Koment