Aktualitet

Shkuan në Itali për të luftuar koronavirusin, ‘La Stampa’ interviston mjekët shqiptarë: Kur të fitojmë ‘luftën’ do pi një shishe verë

Disa prej tyre janë marrë në intervistë dhe janë pyetur se përse kanë zgjedhur që të vijnë në Itali për ndihmë, dhe si e kanë pritur familjarët e tyre vendimin.

ITALI– Gazeta italiane “La Stampa” i ka kushtuar një reportazh mjekëve shqiptarë që kanë mbërritur në spitalin e Brescia-s për të luftuar Covid-19. Disa prej tyre janë marrë në intervistë dhe janë pyetur se përse kanë zgjedhur që të vijnë në Itali për ndihmë, dhe si e kanë pritur familjarët e tyre vendimin.

Secili jep arsyet e vetë por nuk e fsheh faktin që arsyeja kryesore ka qënë dashuria që kanë pasur për Italinë, ndaj kanë zgjedhur që të ndihmojnë me aq sa munden.  

“Kanë një moshë mesatare rreth 27 vjeç, sy të mbushur me entuziazëm dhe një buzëqeshje të fshehur nën maskat mbrojtëse. “Ne jemi këtu sepse e duam Italinë”, thonë disa prej tyre. Në shtëpi ata kanë familje që i presin, por janë të vetëdijshëm për misionin e tyre,”-shkruhet në hyrje të reportazhit për ekipin shqiptar.

INTERVISTAT ME MJEKËT:

Ornela Gela

Unë mendoj se për të gjithë shqiptarët Italia është shtëpia e dytë. Si thotë edhe Nënë Tereza, ne nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha por mund të bëjmë gjëra të vogla me shumë dashuri. Unë kam studiuar në Itali, kam jetuar këtu dhe mendoj se kam lidhje më të forta se të tjerët me Italinë dhe sapo ma propozuan nxitova për të ardhur. Të dy prindërit e mi janë mjekë dhe nuk e kundërshtuan vendimin tim. I’u thash që do shkoj dhe se shpresoj se do të fitojmë. Dhe më thanë jo shpresoj por do ta fitojmë, nëse shkon ti sigurisht që do ta fitojmë. Pres të fitojë jeta, të fitojë njerëzimi dhe që Italia të shkojë përpara dhe të jetë më e bukur se më parë. Pasi të kemi fituar këtë luftë? Do pi një shishe verë. Kjo është e sigurt. Shpresojë të fitojmë sa më shpejtë të jetë e mundur.

Doina Jano

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Gjithmonë kam dashur ta vizitojë Italinë. Fati donte që për herë të parë ta vizitoja pikërisht tani për herë të parë, për të ndihmuar njerëzit dhe mjekët italianë. Kjo eksperiencë do të jetë për mua edhe një përvojë profesionale. Sigurisht që kemi frikë. Por ne jemi mjekë dhe kjo është detyra jonë. Çdo ditë të jetës sonë ne luftojmë kundër armiqve të padukshëm. Për ne gjithmonë është luftë. Edhe pse kam frikë dua të bëj më të mirën për popullin italian.

Alma Zelo

Në momentin që nga Ministria e Shëndetësisë më pyetën nëse doja të isha pjesë e një ekipi mjekësh dhe infermierësh që do të vinin në Itali për të ndihmuar popullin italian, pa u menduar dy herë thashë “PO” sepse ne shqiptarët e duam Italinë. Po ashtu edhe unë.  Në fillim i thashë vetëm bashkëshortit tim dhe jo prindërve sepse kisha merak se do të shqetësoheshin dhe nuk do më linin të vija. Ata nuk e dinin derisa shkova në aeroport. Megjithatë tani kam mbështetjen e tyre. Unë pres të jap më të mirën time popullit italian. Për momentin bëj teste tamponi për të zbuluar rastet me Covid-19 duke shpresuar që të rezultojnë negativ.

Erxhyment Lofca

Kur më propozuan të vija këtu m’u desh ta mendoja për pak çaste. Nuk pranova menjëherë. Pastaj ndjeva që duhej ta bëja. Familjes timë i thashë që kjo është puna që bën një mjek.

Disa ditë më parë, u nisën nga Rinasi drejt Italisë 10 mjekë dhe 20 infermierë shqiptarë, për t’i ardhur në ndihmë shtetit fqinj, pasi është nga vendet më të prekura nga COVID-19. Ky vendim i qeverisë shqiptare u mirëprit nga qeveria e shtetit fqinj. Giuseppe Conte falënderoi kryeministrin Edi Rama për këtë ndihmë. Aktualisht i gjithë stafi mjekësor nga Shqipëria ka nisur punë në spitalin e Breshias.

(k.m/dosja.al)

Shto Koment