
ITALI-Autoritetet policore italiane të antimafias kanë zhvilluar operacionin “Blue Bos”, gjatë së cilit është shkatërruar një grup italo-shqiptar, i cili merrej me trafikun e drogës mes vendeve të Ballkanit përfshirë dhe Shqipërinë, Spanjën dhe Italinë.
Ndërkohë bëhet e ditur se në hetim janë vënë 28 persona, ndaj 15 prej tyre është lëshuar urdhër-arresti. Prej këtyre të fundit, 6 janë shqiptarë, njëri prej të cilëve është identifikuar me inicialet C.L., 59 vjeç, dhe njihej me nofkën “Luli”.
Mësohet se anëtarët e këtij grupi akuzohen për prodhim e trafik ndërkombëtar droge të tipit marijuanë, hashash e kokainë dhe pjesëmarrje në grup kriminal, falsifikim dokumentash identifikimi dhe parash.
Operacioni ka çuar në sekuestrimin e të mirave materiale me vlerë 3.5 milionë euro mes të cilave 14 automjete, një mjet lundrues dhe 1 motor. Për trafikun e lëndës narkotike përdoreshin automjete të modifikuara e mjete lundruese.
Ndërsa për magazinimin e saj përdornin një garazh në komunën Bisceglie si dhe një shtëpi që e kishin blerë me fondin e përbashkët të parave të fituara nga biznesi i drogës e për të cilën ndanin bashkë shpenzimet e ishte në dispozicion të gjithë anëtarëve të këtij grupi trafikantësh.
(k.a/dosja.al)