Aktualitet

Shkarkimi i prokurorit Bujar Memia/ Artur Metani paraqet kërkesën KLP-së: Shkeljet disiplinore janë kryer me “dashje direkte”

Metani ka paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë parashtresën lidhur me kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Bujar Memia me detyrë Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.
Featured image of article: Shkarkimi i prokurorit Bujar Memia/ Artur Metani paraqet kërkesën KLP-së: Shkeljet disiplinore janë kryer me “dashje direkte” Artur Metani

TIRANË– Inspektori i Lartë të Drejtësisë Artur Metani ka paraqitur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë parashtresën lidhur me kërkesën për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Bujar Memia me detyrë Prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Metani shprehet se veprimet e kryera nga ana e Memisë janë bërë me dashe, ndaj kërkon nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë që të pranohet kërkesa për fillimin e procedimit disiplinor ndaj Memisë.

ARTUR METANI: Hetimi i kryer nga ILD arrin në konkluzionin se shkeljet disiplinore janë kryer nga ana e magjistratit B.M. me “dashje direkte”. Kërkojmë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë të administrojë provat e paraqitura dhe të pranojë kërkesën së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj magjistratit Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkeljet disiplinore të parashikuara nga neni 148/d pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nga neni 102, pika 1 shkronjat “ç”, “dh” dhe neni 102, pika 2, shkronja “a” të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe caktimin ndaj tij të masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”.

KËRKESA E PLOTË E ILD

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur më datë 15.06.2020 verifikimin e fakteve të bëra publike nga media elektronike dhe ajo e shkruar gjatë transmetimit të lajmit për vrasjen në datën 11.06.2020 të shtetasit Hekuran Billa, mbi gjendjen gjyqësore të këtij shtetasi me burgim të përjetshëm nga ana e autoriteteve gjyqësore të huaja, si dhe njohja e këtyre vendimeve nga ana e autoriteteve gjyqësore shqiptare. Pas verifikimit të të dhënave shtesë të administruara nga Gjykata Rrethit Gjyqësor Krujë apo gjykatave të tjera lidhur me proceset gjyqësore të zhvilluara për rastet e paraqitura në media, më datë 16.07.2020, Inspektori i Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar fillimin e hetimit disiplinor me iniciativë për magjistratin Bujar Memia, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për shkelje të rënda profesionale që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.

Në raport me faktet e provuara gjatë hetimit hetimi disiplinor dhe pas një vlerësimi të hollësishëm të çdo prove veçmas dhe të gjitha provave së bashku, konstatohet se nga ana e magjistratit subjekt hetimi disiplinor Bujar Memia janë ndërmarrë veprime/mosveprime të cilat kanë të bëjnë me:
– Mospërmbushje të pajustifikuar të funksioneve gjatë dhe pas gjykimit.
– Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit dhe mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor në kundërshtim me ligjin.
– Mospërmbushje e pajustifikuar e funksioneve gjatë gjykimit, mosveprime e sjellje të magjistratit, që kanë sjellë përfitim të padrejtë për palët në një proces gjyqësor.
– Mosrespektim i rëndë dhe i vazhduar i legjislacionit material dhe procedural penal.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nga shqyrtimi i dosjeve e akteve gjyqësore dhe vendimeve të administruara nga ILD si dhe 9 vendimeve gjyqësore me objekt “Njohje e ditëve të paraburgimit për të dënuarit jashtë shtetit” dhe 25 vendime me objekt “Përfitim amnistie” sipas Ligjit nr.141/2016 “Për dhënie amnistie” me përfaqësues të prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë magjistratin Bujar Memia, duke marrë parasysh shkallën e pakujdesisë (fajësisë); shpeshtësinë e kryerjes së veprimit ose mosveprimit apo sjelljes; përvojën dhe pozicionin e magjistratit në sistem; dëmtimin, mundësinë e shkaktimit të dëmtimit ose shkallën e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi apo mosveprimi; si dhe çdo situatë që është jashtë kontrollit të magjistratit dhe që mund të lidhet me mosfunksionimin e sistemit gjyqësor ose të prokurorisë, konstatohet se:

– Ushtrimi i pa rregullt i detyrës nga ana e magjistratit ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, cenimin e prestigjit jo vetëm të gjykatës dhe humbjen e besimit ndaj tij, por dhe të prokurorisë, si përfaqësuese e interesit publik në gjykim, duke cenuar besimin e publikut te drejtësia. Referuar “teorisë së dukjes”, drejtësia jo vetëm duhet të bëhet por edhe duhet të shihet. Në këtë kuptim, veprimet e kryera nga një prokuror si përfaqësues i organit të akuzës i vetë shtetit në përmbushje të detyrës së tij marrin rëndësi edhe në raport me çfarë shoqëria mendon.

– Zhvillimi i procedurave me objekt “Lirim me kusht” nga ana e gjykatës si dhe mungesa e ankimimeve të këtyre vendimeve është shoqëruar me një pasqyrim të gjerë mediatik, duke risjellë veprat penale të personazheve në fjalë. Mediat përmes raportimeve, analizave apo emisioneve të posaçme kanë ndjekur me vëmendje ecurinë e veprimeve me lirimet e tyre. Rrjedhimisht, sjellja konkrete jo vetëm e gjykatës, por dhe pasiviteti dhe mosveprimi i prokurorit për të kontrolluar ligjshmërinë e kësaj vendimarrje ndikoi në uljen e besimit publik tek sistemi gjyqësor, dhe nxiti hakmarrjen ndaj të dënuarit. Është fakt i njohur tashmë, ekzekutimi i të dënuarit H.B. më datë 11.06.2020.

– Sjellja e papërshtatshme e magjistratit subjekt hetimi disiplinor nuk është shtrirë vetëm tek magjistrati subjekt i hetimit disiplinor por ka krijuar terren për sjellje të papërshtatshme edhe në rastet të tjera të ngjashme. Standardet e gabuara të qëndrimeve pasive të prokurorit ndaj vendimeve gjyqësore të kësaj natyre të Gjykatës së Rrethit Krujë, mund të aplikohen edhe nga magjistratë të tjerë, si dhe njëkohësisht mund të shërbejë si praktikë për edhe shumë të dënuar të tjerë me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore të pretendojnë në kundërshtim me parashikimet e legjislacionit penal në fuqi për lirimin para kohe të tyre me kusht, përfitim amnistie, llogaritje kohe paraburgimi gjatë periudhës së qenies të dënuar, apo aplikimet alternative të dënimit pa marrë provat thelbësore.

(a.b)/dosja.al

Shto Koment