AktualitetEkonomi

Shkarkimet në det tek Lungomare, KLSH kërkon verifikim në Fier e Vlorë, verifikim edhe tek kanalizimet

Në raport sillet në vëmendje edhe Lungomare, një nga investimet më të lakuara në zonën e Vlorës ku nuk kanë munguar as sekuencat e përmbytjeve.
Featured image of article: Shkarkimet në det tek Lungomare, KLSH kërkon verifikim në Fier e Vlorë, verifikim edhe tek kanalizimet Foto ilustruese

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kërkuar që autoritetet në Bashkinë e Fierit dhe Vlorës të verifikojnë investimet e bëra në kanalizime dhe të parandalojnë shkarkimet në det. Ndër të tjera, në raport sillet në vëmendje edhe Lungomare, një nga investimet më të lakuara në zonën e Vlorës ku nuk kanë munguar as sekuencat e përmbytjeve.

Auditimi i KLSH ka konstatuar se Drejtoria Rajonale e ISHMPUT Vlorë për vitin 2018 dhe 2019, “nuk ka përfshirë inspektimin e Ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime, njësi vartëse e Bashkisë së Vlorës, e cila mbulon edhe kanalizimet e ujërave të zeza me ndikim të lartë në mjedis, duke e lënë jashtë planifikimit dhe inspektimit, në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e mjedisit, i ndryshuar.

Lënia jashtë planit e këtij subjekti, i cili mbulon një vijë të gjatë bregdetare, në një nga zonat më turistike në vend, ka lënë jashtë mbikëqyrjes dhe kontrollit menaxhimin e ujërave të zeza, mundësitë e shkarkimit në det në mënyrë të jashtëligjshme, si dhe verifikimin e investimeve dhe ndërhyrjeve përgjatë punimeve civile të veprave të ndërtuara së fundmi në zonën e plazhit publik “Lungomare”, Vlorë, mbi rrjetin e kanalizimeve, veprime të cilat bien në kundërshtim me përcaktimet ligjore të bëra në seksionin 2 të nenit 62-66 në Ligjin nr. 10431 datë 09.06.2011 “Për Mbrojtjen e Mjedisit”, i ndryshuar” thuhet në auditm.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Në lidhje me këtë, KLSH ka rekomanduar që Drejtoria Rajonale e Mjedisit në Fier, në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës dhe Ndërmarrjen e KUZ, të marrë masa urgjente për planifikimin e inspektimeve përgjatë vijës bregdetare, të mbikëqyrë dhe inspektojë menaxhimin e ujërave zeza, të evidentojë dhe parandalojë raste të mundshme të shkarkimit në det në mënyrë të jashtëligjshme, duke i sanksionuar, si dhe verifikimin e investimeve dhe ndërhyrjeve, mbi rrjetin e kanalizimeve, në zonën e plazhit publik Lungomare Vlorë.

Auditimi i KLSH ka dalë në përfundimin se nga 362 subjekte të kontrolluar për leje mjedisore për vitin 2019 kanë rezultuar pa një të tillë 192 subjekte me një dëm prej 57 milionë lekësh.

Marrë nga Monitor

Shto Koment