PolitikeSociale

Shfrytëzimi ekonomik i fëmijëve, Këshilli i Ministrave del me vendim ‘special’/ Çfarë duhet të bëjë policia

Qeveria në mbledhjen e fundit të saj, ka marrë një sërë vendimesh, mes të cilave edhe atë për "Procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge". Sipas këtij vendimi policia është e detyruar të marrë fëmijën në mbrojtje.
Featured image of article: Shfrytëzimi ekonomik i fëmijëve, Këshilli i Ministrave del me vendim ‘special’/ Çfarë duhet të bëjë policia Foto ilustruese

TIRANË- Një ndër problemet më të hasura në vendin tonë është ajo e shfrytëzimit të fëmijëve për përfitime ekonomike, sidomos ato në rastet e rrugëve.

Nisur nga kjo, Qeveria ka përpiluar një vendim për “Procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge”.

Duke u nisur nga kjo, në këtë VKM parashikohen mes të tjerave që çdo punonjës i Policisë që e konstaton një fëmijë në rrezik të lartë dhe të menjëhershëm, merr fëmijën në mbrojtje dhe njofton menjëherë punonjësin e mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është fëmija.

Ndërkohë janë një sërë procedurash që duhen ndjekur për t’u ardhur në ndihmë fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht.

Vendimi i plotë:

V E N D I M
PËR

PROCEDURAT PËR IDENTIFIKIMIN, NDIHMËN E MENJËHERSHME DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 64, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

1. Ky vendim përcakton rregullat dhe procedurat për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht në sektorin formal dhe informal, përfshirë fëmijët në situatë rruge, si dhe rolet e përgjegjësitë e institucioneve përgjegjëse.
2. Në kuptim të këtij vendimi termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a. “Fëmijë në situatë rruge”, fëmija që varet nga rruga për të jetuar dhe/ose punuar vetëm, me moshatarë ose me familjen.
b. “Punë e ndaluar e fëmijës”, çdo punë e kryer nga fëmija, e cila është në kundërshtim me legjislacionin e punës dhe i shkakton dëm apo rrezikon shëndetin, zhvillimin mendor, fizik, shoqëror e social të fëmijës. Këtu përfshihet çdo punë e detyruar, si dhe çdo punë, e cila nuk lejon ose pengon fëmijën të ndjekë arsimin e detyruar.

II. ORGANIZIMI I PUNËS PËR IDENTIFIKIMIN PROAKTIV DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE

1. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki është institucioni përgjegjës për organizimin e veprimtarisë lidhur me planifikimin e punës në terren, marrjen e masave për identifikimin, ndihmën e menjëhershme dhe referimin e rasteve të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge.
2. Kjo strukturë harton një herë në vit hartën e zonave ku kryhet identifikimi i fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge. Harta përpilohet e përditësohet nga kjo strukturë në këshillim me institucione të tjera përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi.
3. Drejtori i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki ngre grupet e skuadrave të terrenit, harton dhe miraton planin e punës së strukturave të mbrojtjes së fëmijës në nivel vendor dhe skuadrave të terrenit për identifikimin në mënyrë proaktive në terren të fëmijëve të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, sipas aneksit 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Në planin e punës përcaktohen sektorët e zonat ku identifikohen fëmijët që shfrytëzohen ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, ora dhe kohëzgjatja e shërbimit mbi baza një mujore, kontaktet e punonjësit të mbrojtjes së fëmijës, kontaktet e anëtarëve të skuadrave të terrenit, kontaktet e koordinatorit të skuadrave të terrenit dhe personat e kontaktit në drejtorinë vendore të policisë ose në komisariatin e policisë që mbulon zonën.
4. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki shkëmben me drejtorinë vendore të policisë/komisariatin e policisë që mbulon zonën dhe inspektoratin, që mbulon fushën e punës, kontaktet e punonjësit të mbrojtjes së fëmijës dhe të shërbimeve sociale ditore e rezidenciale për fëmijët e shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge, si dhe kontaktet e anëtarëve të skuadrave të terrenit.
5. Struktura përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki pajis skuadrat e terrenit me mjetet e punës për realizimin e procedurave të parashikuara në këtë vendim.
6. Drejtori i strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki, ngarkon një punonjës të Njësisë për Mbrojtjen e Fëmijës, me detyrën e koordinimit dhe të mbikëqyrjes së skuadrave të terrenit.
7. Koordinatori i skuadrave të terrenit garanton zbatimin e planit për identifikimin në terren të fëmijës në nevojë për mbrojtje, si edhe mbledh të dhëna nga skuadra e terrenit për rastet e identifikuara të fëmijëve në nevojë për mbrojtje. Një kopje e planit të skuadrave të terrenit i dërgohet drejtorisë vendore të policisë.
8. Koordinatori i skuadrave të terrenit i paraqet drejtorit të strukturës përgjegjëse për shërbimet shoqërore në bashki raportin mujor për veprimtarinë e skuadrave të terrenit dhe rastet e referuara. Ky raport u shpërndahet edhe drejtorëve të institucioneve të përfshira në këtë proces.
9. Skuadra e terrenit ngrihet në çdo bashki dhe përbëhet nga punonjës socialë të strukturave të mbrojtjes së fëmijës, të përcaktuara në ligjin nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës” dhe/ose përfaqësues të organizatave jofitimprurëse. Numri i anëtarëve të secilës skuadër terreni nuk duhet të jetë më shumë se tre.
10. Skuadra e terrenit mbikëqyr zonat që njihen si më të frekuentuara nga fëmijët që shfrytëzohen ekonomikisht, përfshirë fëmijët në situatë rruge.
11. Skuadra e terrenit jep ndihmën e parë, plotëson formën e vëzhgimit dhe vlerësimit të shpejtë, sipas aneksit 2, që i bashkëlidhet këtij vendimi, dhe raporton me shkrim brenda 24 (njëzet e katër) orëve nga momenti i identifikimit të fëmijës në nevojë për mbrojtje tek koordinatori i skuadrës së terrenit dhe punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, që mbulon zonën ku është identifikuar rasti sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

III. PROCEDURAT PËR IDENTIFIKIMIN, NDIHMËN E MENJËHERSHME DHE REFERIMIN E RASTEVE TË SHFRYTËZIMIT EKONOMIK, PËRFSHIRË FËMIJËT NË SITUATË RRUGE

1. Identifikimi proaktiv në terren nga skuadra e terrenit përfshin veprimet, si më poshtë vijon:
a) Vëzhgim i rregullt i fëmijës në mjedisin ku punon ose qëndron në rrugë; kontakt me fëmijët që punojnë nën moshën dhe kushtet e përcaktuara në legjislacionin e punës e me fëmijët dhe familjet e fëmijëve që janë në situatë rruge; vlerësim i shpejtë i situatës së fëmijës për të përcaktuar rrezikun e moshën;
b) Mbledhje e informacionit shtesë për fëmijën dhe gjendjen familjare, përfshirë dhe të rriturit që nuk janë kujdestarë ligjorë, me të cilët fëmija mund të jetë i lidhur;
c) Informim i kujdesshëm i fëmijës dhe të të rriturit të pranishëm për të drejtat e ndihmën që mund t’i ofrohet, për detyrimin ligjor që kanë kujdestarët për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe detyrimet që ka shteti për mbrojtjen e fëmijës që konsiderohet në situatë rreziku.
ç) Informim për alternativat e mundshme të ndihmës dhe dhënia e ndihmës së menjëhershme për ta larguar fëmijën nga situata e rrezikshme e shfrytëzimit ekonomik dhe/ose ajo e rrugës.
d) Referimi i rastit brenda 24 (njëzet e katër) orëve te koordinatori i skuadrës së terrenit dhe te punonjësi për mbrojtjen e fëmijës, që mbulon zonën ku është identifikuar rasti.
dh) Kryerjen e kallëzimit penal ndaj prindit/kujdestarit apo çdo personi tjetër, në rastet kur fëmija vazhdon të jetë në situatë rruge edhe pas njoftimit, referimit ose ofrimit të alternativave për ndihmë.
2. Kur skuadra e terrenit, përgjatë daljes në terren, identifikon një rast fëmije të shfrytëzuar ekonomikisht, përfshirë fëmijë në situatë rruge dhe vlerëson se fëmija është në rrezik të lartë e të menjëhershëm, sipas parashikimeve të vendimit nr.578, datë 3.10.2018, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e referimit e të menaxhimit të rastit, hartimin dhe përmbajtjen e planit individual të mbrojtjes, financimin e shpenzimeve për zbatimin e tij, si dhe zbatimin e masave të mbrojtjes”, e referon menjëherë rastin pranë punonjësit për mbrojtjen e fëmijës.

IV. ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E POLICISË SË SHTETIT

1. Çdo punonjës i policisë, që konstaton një fëmijë në rrezik të lartë dhe të menjëhershëm, merr fëmijën në mbrojtje dhe njofton menjëherë punonjësin e mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është fëmija.
2. Skuadrat e terrenit dhe/ose punonjësi i mbrojtjes së fëmijës njoftojnë punonjësin e strukturave të Policisë së Shtetit në territorin ku veprojnë, në rastet kur:
a) fëmija është në situatë rreziku të lartë dhe të menjëhershëm;
b) skuadrat e terrenit organizojnë verifikime ose ndërhyrje në orët e vona të natës;
c) shfaqet qëndresë apo kundërshtim nga prindi, ose person tjetër i rritur, që mbikëqyr punën e fëmijës në sektorin informal ose shoqëron fëmijën në rrugë.
3. Në rastet kur punonjësit e skuadrës së terrenit dhe/ose punonjësi i mbrojtjes së fëmijës kanë bindjen ose dyshimin se ndaj fëmijës është kryer vepër penale, njoftojnë menjëherë me telefon sallën operative të Policisë së Shtetit.
4. Strukturat vendore përgjegjëse të Policisë së Shtetit shkëmbejnë informacion me strukturën përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijës në bashki, për kontaktet e punonjësit të Policisë së Shtetit, të ngarkuar për të ndjekur çështjet e fëmijëve në nevojë për mbrojtje.

V. ROLI DHE PËRGJEGJËSITË E INSPEKTORATIT QË MBULON FUSHËN E PUNËS PËR IDENTIFIKIMIN DHE REFERIMIN E FËMIJËVE TË SHFRYTËZUAR EKONOMIKISHT

1. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore është struktura kryesore përgjegjëse për identifikimin e rasteve të fëmijëve që shfrytëzohen ekonomikisht.
2. Në rast se gjatë procesit të inspektimit të subjektit, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore konstaton se ka fëmijë që kryen/kryejnë punë të ndaluar, raporton menjëherë rastin pranë punonjësit të mbrojtjes së fëmijës në territorin ku është kryer inspektimi, sipas parashikimeve ligjore në fuqi.
3. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe strukturat për mbrojtjen e fëmijës në nivel vendor, kryejnë inspektime për identifikimin e rasteve të fëmijëve që kryejnë punë të ndaluar dhe/ose shfrytëzohen ekonomikisht.
4. Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore shkëmben me Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës dhe Policinë e Shtetit të dhënat e mbledhura nga raportimi vjetor i inspektimeve të punës së fëmijëve dhe masat e marra nga ky institucion.

VI. DISPOZITA TË FUNDIT

Ngarkohen mekanizmat këshillimorë e koordinues institucionalë dhe strukturat për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës, në nivel qendror dhe vendor, sipas paragrafëve 2, 3 e 4, të nenit 34, të ligjit nr.18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, Policia e Shtetit dhe Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

Shto Koment