Politike

“Sherri nuk duhet të precipitojë”, Majko thirrje Metës për Kushtetuesen: Ji protagonist i stabilitetit, PS është e gatshme për dialog (VD)

Majko i ka bërë thirrje Metës që duhet të jetë protagonist i stabilitetit dhe jo i sherreve.

Tiranë- Pas seancës së sotme të jashtëzakonshme për ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, e në të cilën u votua rezoluta e PS-së, një mesazh i ka dërguar edhe ministri Pandeli Majko, presidentit Ilir Meta.

Majko u shpreh për gazetarët jashtë Kuvendit se presidenti duhet të jetë protagonist i stabilitetit dhe se sherri mes politikanëve nuk duhet të degradojë.

“Ka disa nene të Kushtetutës që duhen respektuar. Presidentit i takon të jetë protagonistë i stabilitetit. Nuk besoj që sherri duhet të perceptojë në histori të natyrave të tilla. Shqipëria duhet të ketë stabilitet politik dhe rajonal. Nga PS është shprehur gatishmëria për një dialog dhe jo për të ecur në një drejtim të paditur”, tha Majko.

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 97 vota pro projektrezolutën për Gjykatën Kushtetuese. Kuvendi e quajti me anë të kësaj rezolute, shkelje, kalimin e afatit nga ana e presidentit Ilir Meta për të dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Pak më herët në një dalje për mediet,  Meta la të kuptohet se mund të kërkojë referendum popullor për ndryshimin e Kushtetutës dhe për këtë do të kërkojë ndihmën e popullit. Presidenti ndër të tjera me gazetarët u shpreh se me një dekret mund të shpërndajë edhe Parlamentin.

Presidenti Meta futi dje në ngërç ngritjen e Gjykatës Kushtetuese,duke dekretuar Marsida Xhaferllarin si anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vendin që ishte zënë nga Arta Vorpsi para përfundimit të afatit 30 ditor të presidentit për t’u shprehur mbi listën e propozuar nga KED. Nga ana tjetër anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi ka injoruar autoritetin e presidentit Ilir Meta, duke shmangur ceremoninë e betimit tek ai dhe duke u betuar tek një notere private. Kopjen e betimit, Vorpsi ia ka dërguar Metës, KED dhe Gjykatës Kushtetuese me Postë, ndërkohë që akti bie ndesh me nenin 8 të Kushtetutës ku parashtrohet qartë se anëtari i Gjykatës fillon detyrën pasi betohet tek presidenti.

J.V/Dosja.al

Shto Koment