Politike

Sherri/ I nxorri plagjiaturën, Gjylameti-Dades: S’ke pse më sulmon me gazetën e djalit, Rama s’rrëzohet me gjoba

Mbetet me interes për t’u parë sesi do të vijojë përballja, në një kohë kur ajo që u duk se ishte një ‘qejfmbetje’ rastësore është kthyer në një debat të fortë politik brenda të majtës, 3 muaj para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
Featured image of article: Sherri/ I nxorri plagjiaturën, Gjylameti-Dades: S’ke pse më sulmon me gazetën e djalit, Rama s’rrëzohet me gjoba Arta Dade, ish-deputete e PS, apertura e gazetes Dita dhe Blerina Gjylameti, kryetare e PS ne Tirane

TIRANË- Tashmë është zyrtare! Kryetarja e Partisë Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti është në një debat të hapur me ish-deputeten dhe ministren e PS, Arta Dade. E gjitha nisi me deklaratat e Dades tek Babaramo për qeverinë Rama por pa iu referuar emrave konkret, e tani ka sjellë një tjetër deklaratë të Gjylametit.

Gjylameti thotë se që pas reagimit të saj në rrjetet sociale, gazeta Dita e sulmoi hapur, dhe shton se kjo nuk ka qenë rastësi. Gjylameti thotë se kjo është një kulturë e vjetër që ka dëmtuar PS në të shkuarën. Më tej, Gjylameti thotë se Rama e çrrënjosi këtë kulturë që jepte poste me anë të shantazhit dhe gjobave.

“Fatmirësisht ajo kulturë edhe pse jo e varrosur përfundimisht, nuk ka më fuqi ta dëmtoje PS-në dhe mbase kjo është edhe merita më e madhe e Edi Ramës dhe e gjeneratës tonë. Kjo është padyshim edhe arsyeja pse ti dhe ndonjë tjetër tanimë tek – tuk nuk bëni dot paqe me idenë se me Edi Ramën në krye të PS, s’ka më shanse për gjoba e për kërcënime në emër të parimeve dhe në këmbim të posteve.”-shkruan Gjylameti.

Reagimi i plotë:

E dashur Arta,

Që kur unë shkruajta dashamirësisht dy fjalë për prononcimin tënd, gazeta e djalit tënd më ktheu në tabelë qitje.
A të jetë vallë rastësi? Nuk e besoj!
Edhe ti shoqe e di që nuk është rastësi. Sulmohem me fjalë rrugësh dhe akuzohem për faje që nuk i kam bërë kurrë. S’ka problem, jam mësuar siç u mësove edhe ti me sulmet e padenja në adresën tënde, kur ishe këtu ku jam unë sot. Por çka ti me siguri nuk do e kishe pranuar kurrë do të ishte të sulmoheshe në nder e në dinjitet nga djali im!
Unë edhe këtë e pranoj si pjesë të një kulture të vjetër e të shëmtuar që aq dëm i bëri PS në të shkuarën: Të gjithë kundër të gjithëve!
Fatmirësisht ajo kulturë edhe pse jo e varrosur përfundimisht, nuk ka më fuqi ta dëmtoje PS-në dhe mbase kjo është edhe merita më e madhe e Edi Ramës dhe e gjeneratës tonë. Kjo është padyshim edhe arsyeja pse ti dhe ndonjë tjetër tanimë tek – tuk nuk bëni dot paqe me idenë se me Edi Ramën në krye të PS, s’ka më shanse për gjoba e për kërcënime në emër të parimeve dhe në këmbim të posteve. Sidoqoftë ftesa ime për kafe mbetet në fuqi dhe unë të vlerësoj për gjithë sa bëre në të mirë të PS. Qofsh mirë Arta dhe mos ki asnjë merak, PS dhe Edi Rama nuk rrëzohen dot as me fjalë as me gjoba.

Por pse u indinjua sot kryesocialistja e Tiranës?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Ditën e djeshme, Gjylameti tha se Dade fliste me gjuhën e Saliut dhe Monika Kryemadhit, dhe se ishte koha që të kalonte për të pirë një kafe me socialistët, që sipas saj as nuk kishin vrarë e as kishin prerë. Disa orë më vonë, Dade në një komunikim me Dosja.al, tha se nuk përgjigjet për emra që nuk i thonë asgjë.

Ndërkohë, ditën e sotme, Gazeta Dita, e njohur si media e djalit të Dades, në faqe të parë ka vendosur Blerina Gjylametin si Pinoku dhe me kapele diplomimi.

Apertura e Gazetës Dita për Blerina Gjylametin

Ndër të tjera, Dita shkruan se 90% e doktoraturës së Blerina Gjylametit është e vjedhur.

“Në rastin e zonjës Gjylameti, burimi origjinal nuk është referuar, është kopjuar një përqindje shumë e lartë rreth 90 % e studimit të vitit 2008 dhe në disa pjesë të tezës është pa diskrecion (faqe të tëra).” – shprehet studiuesi për Dita.

Mbetet me interes për t’u parë sesi do të vijojë përballja, në një kohë kur ajo që u duk se ishte një ‘qejfmbetje’ rastësore është kthyer në një debat të fortë politik brenda të majtës, 4 muaj para zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.

(f.g/dosja.al)

Shto Koment