
TIRANË– Deputeti Myslimi Murrizi do të ankimojë ditën e nesërme në orën 11:00 në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet e bëra në Kodin Zgjedhor.
Partia Lëvizja Demokratike Shqiptare do ankimojë nenin 163 të kodit të ri Elektoral, i cili lidhet me herësin që përftohet nga pjesëtimi duke shënuar kështu çështjen e parë që do të depozitohet në Gjykatën që sapo është bërë funksionale.
“Ndryshimet në nenin 163 lidhen me shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues të
listës. Çdo zgjedhës ka të drejtën që krahas partisë apo koalicionit zgjedhor të vendosë
shenjën edhe tek emri i një kandidati/kandidateje të preferuar. U jepet e drejta
zgjedhësve që të ndryshojnë renditjen e kandidatëve dhe respektivisht ndarjen e
mandateve duke vlerësuar ata kandidatë që demonstrojnë që gëzojnë një mbështetje të
madhe, edhe mbi vet renditjen e partisë që i propozon. Një parim i tillë aplikohet në
një sërë vendesh me sistem të ngjashëm elektoral ku zgjedhësit kanë të drejtë të rirendisin kandidatët e rrjedhimisht mandatet e fituara elektorale,“-shkruhet në Kodin Zgjedhor.
Gjatë votimit në Kuvend, Myslim Murrizi foli me tone të ashpra dhe votoi kundër ndryshimeve të propozuara nga ana e maxhorancës duke i konsideruar anti-kushtetuese. Megjithatë edhe pa votat e mbështetësve të tij në Kuvend, ndryshimet që do të zbatohen në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit do të kalojnë me 97 vota pro.
Ndryshimet e Kodit Zgjedhor përcaktuan një prag kombëtar 1%, një rirenditje të listës të ndarë në dy pjesë, në pjesë e parë, bazuar tek vota preferenciale, me një prag brenda listës prej 10 mijë votash, për kandidatët që duhet të thyejnë listën e parë, një e drejtë për kryetarin e Partisë që të garojë në 4 zona, e po ashtu edhe kandidimin e partive në një listë të përbashkët dhe ndalimin e koalicioneve tradicionale.
(k.m/dosja.al)