Editorial

SHËNIM: Virusi që na ktheu barazinë, të bëjmë vendin tonë ose do të ngelemi pa atdhe!

Sot është momenti që të gjithë, të shkurorëzuar nga korona, të kuptojmë që fatin e kemi të përbashkët, nuk mund t'i shmangemi përjetësisht, që vendin e kemi të përbashkët, nuk mund të ikim pambarimisht
Featured image of article: SHËNIM: Virusi që na ktheu barazinë, të bëjmë vendin tonë ose do të ngelemi pa atdhe!

Është e pamundur të gjesh një zgjidhje jashtë sistemit shëndetësor që kemi. Deri në 2 mars kishte shumë që nuk donin t  ja dinin për cilësinë ë sistemit shëndetësor. Kryesisht ata me të ardhura të mira, që për çdo problem shkonin jashtë. Në Greqi, Itali, Austri, Gjermani, Angli janë mijëra shqiptarë të mesëm dhe të pasur të regjistruar në klinika dhe spitale. Mjaftonte një shqetësim dhe merrnin makinën ose avionin për ta zgjidhur andej, ndërsa sistemi shëndetësor në vend degradonte.

Nga 2 marsi është ndryshe. Kufijtë janë mbyllur, vendet duhet të bëjnë llogaritë me veten, askush nuk është i gatshëm të ofrojë qoftë edhe një shtrat në spital. Ata që prej vitesh kanë qenë klientë të rregullt të klinikave të shtrenjta, tani mund ta ndiejnë veten të tradhëtuar, të kapur në çarkun e koronavirusit, të detyruar të shërbehen nga sistemi shëndetësor që kanë refuzuar.

Prej 18 ditësh të gjithë janë të barabartë, të detyruar të ndajmë këto që kemi, shtretër të mirë dhe të këqinj, me shumë të këqinj, kushte të durueshme dhe të padurueshme, më shumë të padurueshme. Virusi me kurorë, ua hoqi kurorën të gjithëve dhe i shtriu në të njëjtin pavion, të shohin të vërtetën që disa e kanë refuzuar, të tjerët janë detyruar ta pranojnë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Nuk është barazi e plotë, pa dyshim. Të privilegjuarit do të kenë mundësinë të shërbehen më mirë, në ato pak shtretër që vlejnë, me ato pak aparatura që funksionojnë më mirë, nga ata pak mjekë që bëjnë diferencën. Ata mund ta gjejnë mënyrën për t’u diferencuar, por përsëri do të marrin maksimumin e këtij sistemi, do të jenë pacientët e këtij sistemi dhe do të vuajnë pasojat njësoj.

Të shtrirë në tapet, tani duhet të mendojmë të gjithë nëse është zgjidhje lënia në degradim e sistemit shëndetësor vendas, meqë dikush ka mundësi të shkojë jashtë, apo në spitalet e shtrenjta private me mjekë të huaj që sot janë në vendet e tyre dhe nuk vijnë dot për të ndihmuar. Nëse duheshin lënë të iknin mijëra mjekë dhe infermierë të pakënaqur me kushtet, nëse duhet shtuar fondi për shëndetësinë, nëse duhet të shpërndahen ato para tek një grup klientësh të preferuar që japin një shërbim të përkohshëm dhe në fund lënë asgjënë. Sot është momenti që të gjithë, të shkurorëzuar nga korona, të kuptojmë që fatin e kemi të përbashkët, nuk mund t’i shmangemi përjetësisht, që vendin e kemi të përbashkët, nuk mund të ikim pambarimisht. Nëse nuk bëjmë vendin tonë, në kohën e shkurorëzimit do të mbetemi pa spitale dhe ndoshta pa atdhe.

(Dosja.al)

2 Komente në “SHËNIM: Virusi që na ktheu barazinë, të bëjmë vendin tonë ose do të ngelemi pa atdhe!

  1. deri para 2 marsit ajo flokekuqja ne rresht ne interviste ne tvklan lutej e mezi priste te vinte rasti i pare …marrezi te tille se kishim degjuar as nga antikapatet …zoti na ndihmofte te gjitheve ..gjithe boten mbare

  2. Kjo pra eshte mjekesia qe deshem. Shame perfolem cdo pozitive per ta sjelle ne kete gjendje mizerabel. Porosia eshte: rrini (vdisni) ne shtepi, se na spital s’ka vend per tabere kete.
    Çudi, as Çek Api i famshem nuk na ndihmoka dot?
    Aferim Hamit Beqja, shpirti mos ju zent rehat!

Shto Koment