Opinione

SHËNIM: Si po dikton Rama arrestimin e prokurorit që i prangosi drejtorin

Investimi qeveritar për t’i diktuar prokurorisë arrestimin e Arjan Ndojit, është pasqyra e asaj që rrezikon çdo prokuror i cili do të ketë guximin për të arrestuar zyrtarët e PS në Kadastër, Bashki, e qeveri.
Featured image of article: SHËNIM: Si po dikton Rama arrestimin e prokurorit që i prangosi drejtorin Arjan Ndoj dhe Edi Rama

TIRANË-Pakkush do t’ja merrte mendja se kryeministri i një vendi që është futur në “hulli” për një drejtësi të re, del publikisht dhe kërkon arrestimin e një prokurori, i cili i ka arrestuar socialistëve drejtorin e Kadastrës.

Pas Ramës, në skenë del publikisht Braçe, i cili e çon edhe më tej akuzën e tij, dhe thotë se prokurori në fjalë, Arjan Ndoj, jo vetëm që është i lidhur me bandat, por ka kërkuar legalizim në kundërshtim me ligjin, për disa prona te Gjiri i Lalzit.

Përtej çdo fakti se prokurori në fjalë mund të jetë realisht i lidhur me bandat, ka 10-fishuar pasurinë në 4 vite, siç më herët kemi raportuar në Dosja.al, (Lexo këtu), a është normale kjo që ka ndodhur në 24 orë?

A mund të ndërhyjë dhe përcaktojë kryeministri se kush është kriminel, kush është i korruptuar dhe kush duhet të arrestohet?

Nëse prokurori ka shkelur ligjin dhe ka abuzuar me detyrën, atëherë është puna e Prokurorisë që duhet t’a zbardhë, por jo e partisë-qeveri, dhe e shpurës qeveritare.

Përtej argumenteve që z.Braçe solli sot, ku iu referua Kushtetutës dhe ligjit, që sipas tij, përcaktojnë qartë se prokuroria ka për detyrë të provojë akuzat, dhe jo i akuzuari, në cilin ligj dhe Kushtetutë janë bazuar socialistët për të marrë kompetencat e gjyqtarit dhe prokurorit?

Deklarata e kryeministrit për Arjan Ndojin është intimiduese. Jo më larg se mbrëmë e quajti “pis”, duke kërkuar publikisht arrestimin e tij, e duke tejkaluar edhe atë që Berisha, në kohën e tij si kryeministër, ndaj ish-kryeprokurores Ina Rama. Edhe Sali Berisha, në ditët e tij më të këqija, nuk arriti dot që të artikulonte fjalën “arrestim” për Ina Ramën.

Sot Edi Rama e ka bërë. Investimi qeveritar për t’i diktuar prokurorisë arrestimin e Arjan Ndojit, është pasqyra e asaj që rrezikon çdo prokuror i cili do të ketë guximin për të arrestuar zyrtarët e PS në Kadastër, Bashki, e qeveri.

Deklarata e Erion Braçes sot nga Durrësi, zbuloi edhe më tej skandalin ku është zhytur qeveria. Braçe tha se ka një muaj që është në dijeni të presioneve që ky prokuror iu ka bërë nënpunësve të Kadastrës në Durrës. 

Në cilin vend të botës, mund të ndodhë, që të ketë dijeni kryeministri dhe zv.kryeministri se një prokuror po shkel ligjin dhe është i lidhur me bandat e të mos e denoncojë?  Pse nuk e ka denoncuar kryeministri Rama në prokurori Ndojin, por i bëri gjyqin publik në Kuvend?

Një qeveri e shqetësuar, që ka një informacion të tillë kaq të rëndë, se një prokuror punon për grupet kriminale, duhet të kishte ndjekur që prej fillimit çdo hap ligjor për të vënë para drejtësisë shkelësin e ligjit. Pra, çfarë na bind ne qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, se mund të gjejmë drejtësi, kur rrugën e saj nuk e respekton as kryeministri?

Shto Koment