Editorial

Rama e demaskoi vetë sot Këshillin Teknik, pse u mblodh dhe ç’na tregoi…pikëpyetjet e një karantine që tashmë s’ka kuptim

Transparenca tregoi se muhabeti i Ramës me mjekët e Task Forcës që për arsye politike e quajti Komitet Teknik, ishte vetëm një shprehje opinionesh sipas kërkesës së shefit. Ajo mbledhje tregoi se Komiteti nuk ka patur dhe nuk ka kryetar, sepse kryetarja, as e hapi dhe as e mbylli mbledhjen e Komitetit.
Featured image of article: Rama e demaskoi vetë sot Këshillin Teknik, pse u mblodh dhe ç’na tregoi…pikëpyetjet e një karantine që tashmë s’ka kuptim

Edi Rama nuk mund të mos surprizonte të gjithë me shfaqjen e fundit, të mistikut “Komitet Teknik”. Nëse njerëzit do të ishin vërtet në shtëpi, do ishin argëtuar vërtet. Ai gjithmonë di si t’i argëtojë masat. Për fat të keq, njerëzit ishin derdhur nëpër rrugë, të grumbulluar në ato pak ambiente pushimi që kanë lënë pallatet ose nëpër tregje fruta-perimesh.

E humbën mundësinë për të parë se si merren vendimet në një mbledhje të Komitetit Teknik, të dominuar nga përfaqësues politikë.

Nis me Kryeministrin që tregon rendin e ditës. Del një mjek i pavarur në zyrë që i tregon situatën, pastaj një tjetër nga terreni, me uniformën e veshur, por pa mëngë përveshur (se nuk është ky rasti), që gjithashtu i jep llogari.

Një tjetër mjeke – drejtoreshë, pastaj, e katërta, por jo nga rëndësia, vjen Kryetarja e Komitetit Teknik që është zëvendësministrja e emëruar nga Edi Rama.

“Të flasë Kryetarja e Komitetit Teknik – tha Rama – se na pyesin kë keni Kryetare”. Mira Rakacolli, që ka mbajtur një peshë të jashtëzakonshme këtë periudhë, nuk mund të mos bënte detyrën politike për të cilën është emëruar.

Me sinqeritetin e të emëruarës politike, ajo raportoi për situatën, ndërsa Shefi pa asnjë koment pas saj, ia dha fjalën shefes direkte të Rakacollit. Manastirliu, madje mori në dorë edhe mbledhjen, duke ftuar një tjetër anëtar të Komitetit të flasë. Në fund, Kryeministri dha detyrat dhe mbylli mbledhjen.

Nuk u mor asnjë vendim. Nuk ishte ky qëllimi i mbledhjes publike. Ai show kishte për qëllim të mbyllte gojët e liga që prej kohësh thonë se Komiteti Teknik është vetëm një justifikim i Edi Ramës, të ndalojë mërmëritjen e pasigurtë të ministrave dhe mjekëve kur i pyesin për Kryetarin e Komitetit dhe të japë një shembull transparence dhe demokracie, në kohën kur liderë si Edi Rama po akuzohen nga Bashkimi Europian se po e përdorin Pandeminë për të shtuar autoritarizmin.

Në fakt ishte një shembull që tregoi se Edi Rama nuk e ka kulturë qeverisëse transparencën, por, si gjithë elementët e demokracisë, e përdor vetëm për propagandë, vetëm për të përgënjeshtruar akuzat dhe për të nxjerrë bllof kundërshtarët.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Madje transparenca propagandistike e përkeqësoi mbrojtjen, që edhe para kësaj ishtë e dobët.

I refuzoi propozimet e opozitës me justikimin e Komitetit Teknik, por sot u pa qartë se Komiteti teknik nuk merr asnjë vendim, madje nuk arrin të japë as mendim, sepse nuk u thirr fare as për vendim dhe as për mendim.

Transparenca tregoi se muhabeti i Ramës me mjekët e Task Forcës që për arsye politike e quajti Komitet Teknik, ishte vetëm një shprehje opinionesh sipas kërkesës së shefit. Ajo mbledhje tregoi se Komiteti nuk ka patur dhe nuk ka kryetar, sepse kryetarja, as e hapi dhe as e mbylli mbledhjen e Komitetit.

Ajo u hap dhe u mbyll nga Edi Rama, që në atë mbledhje nuk ka asnjë status. Ajo mbledhje tregoi se Komiteti Teknik nuk ka marrë asnjë vendim sepse mblidhet vetëm kur do Edi Rama dhe ka në rend të ditës vetëm nevojat politike të tij.

Nëse do të ishin në shtëpi, duke respektuar “masat e Komitetit Teknik” do ta kishin kuptuar edhe fëmijët të vërtetën pse u mbyll viti shkollor. Në vend të ishin duke mësuar, ishin jashtë me prindërit ose pa ta.

Nuk ka më karantinë për të dalë, ka vetëm karantinë për të punuar dhe për të mësuar.

Ndërsa njerëzit dalin dhe rregullat injorohen, karantina po godet pa asnjë arsye ekonominë, arsimin dhe shëndetin e njerëzve.

Është vendim i një njeriu të vetëm, që shkruan në Facebook kur t’i thotë mendja dhe çfarë t’i thotë mendja në një moment të ditës, dhe pastaj statusi i tij kthehet në vendim. Mund të jetë në kundërshtim me ligjin, me Kushtetutën me Konventat Ndërkombëtare, mund të jetë në kundërshtim me mirëqënien, me zhvillimin, me të ardhmen e vendit, por nuk ka rëndësi për atë dhe ndjekësit e tij. Mjafton të jetë në favor të interesave të tyre.

Shto Koment