Opinione

SHËNIM: Qeverisja, e paralizuar! Nga Tatimet, tek Doganat, ARRSH dhe Kadastra, socialistët në hall për drejtor

Tatimet, Doganat, Kadastra, ARRSH, AKU… Janë institucione shumë të rëndësishme, por nuk kanë “kokën”. Dorëheqjet, largimet e shkarkimet nga detyra kanë sjellë një situatë amullie në këto institucione ku e gjitha barra bie mbi qytetarët, pasi atyre nuk u jepen shërbimet në kohë, ndërsa arka e shtetit sa shkon edhe groposet, aty ku askush nuk e di më.
Featured image of article: SHËNIM: Qeverisja, e paralizuar! Nga Tatimet, tek Doganat, ARRSH dhe Kadastra, socialistët në hall për drejtor Foto ilustruese

TIRANË- Termi “drejtues i përkohshëm i X institucioni”, kurrë nuk ishte dëgjuar më parë, por ka më shumë se 2 vite që në Shqipëri kjo është fraza më e përdorur. Sot numërohen disa drejtorë institucionesh që janë të përkohshëm, ku më e rëndësishmja është Prokurorja e Pëgjithshme. Por kur ky institucion drejtohet nga titullar i përkohshëm në disa të tjera, titullari mungon fare…

Tatimet, Doganat, Kadastra, ARRSH, AKU… Janë institucione shumë të rëndësishme, por nuk kanë “kokën”. Dorëheqjet, largimet e shkarkimet nga detyra kanë sjellë një situatë amullie në këto institucione ku e gjitha barra bie mbi qytetarët, pasi atyre nuk u jepen shërbimet në kohë, ndërsa arka e shtetit sa shkon edhe groposet, aty ku askush nuk e di më.

Tatimet deri në korrik janë drejtuar nga Enton Duro, por Duro, qëndroi vetëm 3 muaj. Asokohe ky shkarkim u shoqërua me hije dyshimi, por tashmë në krye është Delina Ibrahimaj. Edhe tek doganat është e njëjta situatë ku pas 7 muaj në krye Arlind Gjokutaj u dorëhoq, dhe në krye është emëruar Gjon Bardhi.

 

Delina Ibrahimaj dhe Enton Duro

 

Situata sa shkon edhe rëndohet, kur kthejmë sytë nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Brenda 1 viti në AKU janë ndërruar 3 drejtorë. Në fillim ka qenë në krye të këtij institucioni Agim Ismaili, i cili u largua nga kjo detyrë dhe u emërua Agron Hetoja. Emërimi i këtij drejtori u shoqërua me prapaskena, dhe u vu nën akuza nga mediat. Por aventura e Hetosë në krye të AKU do ishte e shkurtër, pasi në 2 tetor Ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi vendosi shkarkimin e tij dhe në krye tashmë qëndron Robert Lili.

 

Agim Ismaili, Agron Hetoja dhe Robert Lili

 

Sapo harron dramën ku ndodhet AKU dhe kontrolli i ushqimeve, situata sa vjen e përkeqësohet në Autoritetin Rrugor Shqiptar. Për 1 vit, ky institucion ka ndërruar 4 herë titullarin. Pas skandalit të Unazës së Re, u shkarkua Afrim Qendro, i cili u pasua nga Sonila Qato. Qato dha dorëheqjen pas kërcënimeve nga kompania ‘Gjoka Konstruksion’ me hedhje në gjyq për anulimin e tenderit Kardhiq-Delvinë, dhe zbulimin e punimeve të rreme në rrugën e Arbrit… Por kur u duk se situata u qetësua, vetëm 3 javë pas emërimit në detyrë, pasuesja e Qatos, Vasilika Vjero u largua sërish, këtë herë për arsye personale. Tashmë në krye qëndron Ergys Verdho. 

 

Afrim Qendro, Sonila Qato, Vasilika Vjero dhe Ergys Verdho

 

E nëse kthejmë sytë nga Kadastra, një shkrirje institucionesh ALUIZN-I dhe Hipoteka, nuk ka më koment…

 

Liridon Pula

Në Vlorë dhe Durrës, drejtorët nuk po gjejnë qetësi… Liridon Pula në krye të Kadastrës në Durrës u arrestua dhe më pas u lirua. Por në Vlorë janë emëruar dhe dorëhequr 3 drejtorë, të cilët nuk pranojnë të firmosin një dokument për problemin e pronave në Jalë. Për herë të parë në të gjithë historinë e shtetit shqiptar, Kadastra e Vlorës mbetet pa drejtor dhe ata që emërohen shkojnë me truproja të armatorus në zyrë, nga frika.

 

Florian Alimadhi, Elona Hodaj, Alteo Nazeraj

 

Por largimet dhe dorëheqjet nga institucionet është një pjesë e të keqes, pasi dhe brenda Partisë Socialiste nuk po gjendet një drejtues për qarkun e Shkodrës. Njësoj si tek Kadastra, ARRSH, AKU, Tatimet e Doganat dhe brenda PS, vështirësia për drejtor është e madhe.

Arsyet e situatës ende nuk dihen publikisht, por ajo që po ngremë si shqetësim është fakti se qeverisja socialiste përveç mungesës së largpamësisë, transparencës, dhe luftës ndaj korrupsionit, tashmë ka një tjetër tipar dallues: Kolapsin.

Nuk do ishte ekzagjerim po të thonim se Shqipëria është i vetmi vend në Europë… ku ngritja në detyrë nuk gëzon askënd. Ata që do të duhet të ishin fatlumë, e quajnë veten fatkeq, dhe sa hap e mbyll sytë japin dorëheqjen…

Shto Koment