Editorial

SHËNIM: Pështymë, babëzi dhe njerëz, çfarë pamë sot në rrugët e Tiranës, shqiptarët s’duan t’ja dinë për COVID-19

Njerëzit nuk duan t 'ja dinë, pushtetarët bëjnë filma, një grup mjekësh luftojnë çdo ditë me vdekjen, si ushtarët e fundit të një ushtrie të dorëzuar, si trupat elitë që nuk janë gati ta pranojnë humbjen. Dhe një grup "frikacakësh" që shohin me gojë hapur gjithçka dhe nuk kuptojnë...
Featured image of article: SHËNIM: Pështymë, babëzi dhe njerëz, çfarë pamë sot në rrugët e Tiranës, shqiptarët s’duan t’ja dinë për COVID-19

E martë e vështirë për të patur shqetësime shëndetësore. Klinikat janë mbyllur, spitalet plot, urgjenca nuk të pranon po nuk pate temperaturë dhe kollë. Gjen një mjek diku afër Liqenit që mund të të vizitojë vetëm në shtëpi. Nisesh, në këmbë sigurisht. Makinat janë ndaluar. Ose jo. Kështu duket kur je në shtëpi.

Sa del jashtë kupton që jeta vazhdon si në dite te zakonshme. Ato sheshe te vogla lagjesh që ka lënë betonizimi, janë mbushur me njerëz, kryesisht djem të rinj dhe nuk hezitojnë të mbështeten tek njëri- tjetri ndërsa bërtasin dhe qeshin.

Me siguri nga telefonat po shkëmbejnë meme për të tremburit që rrinë në shtëpi. Të vjen të krenohesh edhe ti, perderisa ata nuk e dinë që ke dalë për hall. Mund të përfshihesh te trimat më në fund, njeë rast që ia ke mohuar vetes gjithë jetën, duke u kujdesur e duke u trembur përballë rreziqeve që mendja jote i rrok komplet ndryshe nga mendja e tyre. Meqënëse ke frikë t’u afrohesh, rikthehesh vetvetja dhe vazhdon jetën prej frikacaku, me hapa të kujdesshëm.

Të kujdesshëm, sepse çfarë nuk gjen në rrugë nga betejat e trimave. Fara, pështyma, çamçakëza e të tjera produkte të mbushura me mukozë trimash, që me siguri nuk i përballon dot çdo kush. Të vijnë në mendje imazhet e Kinës ku rrugët pastrohen me dezinfektantë të hedhur me presion, Turqinë ku lahen më sapunë, madje edhe Kosovën që përdor të njëjtën mënyrë, pastaj sheh të dergjen produktet mukozale dhe kujton dezinfektuesin e luleve me të cilat Bashkia e Tiranës xhiron filmat e luftës kundër armikut të padukshëm. Të kujtohet shprehja “parfumi nuk e zëvendëson dushin”, i jep kurajo vetes me shprehjen tonë të dashur ” shqiptarët nuk i gjen gjë” dhe vazhdon.

Sapo del në rrugën kryesore, kupton se përveçse te pakica e frikacakëve hyn edhe tek pakica e idiotëve. Makinat i kanë zënë rrugën njëra – tjetrës, trafiku dhe pluhuri janë pothuajse si në ditët e zakonshme. Të gjithë kanë marrë lejen ose edhe guximin të dalin për qejfin e vet me makinë, ndërsa ti nuk ke as tarafin as guximin të nxjerrësh makinën dhe të shkosh si njeri tek mjeku që të pret. Mund të arrije atje për 10 minuta por në fakt do ecësh 40, me erën e ftohtë që ngre pluhurin, sjell tymin e makinave dhe teshtimën e vajzës që ecën me maskë përpara teje dhe heq sa për të lëshuar stërkalat në ajër. Pastaj e vë prapë sigurisht, kaq gjë e ka mësuar nga 2 javë propagandë. Maska mbahet për të mos infektuar të tjerët më stërkalat e pështymës, kur nuk e ke duhet të vesh përpara bërrylin, ka 14 ditë që thuhet.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Një frikacak, idiot dhe i pafat është duke ecur pa shpresë në rrugët e Tiranës së kërcënuar seriozisht nga një prej pandemive të tralla të botës. Ai je ti.

Je akoma më shumë, kur sheh te 21- shi, dyqanin celularëve hapur, atë të luleve që ka pushtuar trotuarin, një zdrukthtar a saldator që ka hapur kanat punishten dhe ka ndezur sharrën per qejfin e vet, dy makina policie që duket sikur bëjnë gara me njëri – tjetrin, ndërsa në kryqëzimin e Vasil Shantos nuk arrin të numërosh makinat, nga tonazhet më të larta deri tek smartët.

Je akoma më shumë kur shikon tek rreth- rrotullimi i Komunës së Parisit njerëz dhe birra në krikëll ngjitur me njëri- tjetrin, në një lokal të hapur vetëm në anën e kundërt të rrugës, dendësia e kalimtarëve të detyron të dalësh në rrugë, trafiku të detyron të ecësh në korsinë e biçikletave, biçiketat të detyrojnë të ngjitesh ne bordurën fundore të trotuarit dhe të ecësh si një ekuilibrist në tel, që ka vite që nuk qarkullon në Tiranën pa cirk.

Është e martë, 9 ditë pasi u konfirmua i prekuri i parë me virusin më ngjitës të 20 viteve të fundit, në kulmin e pandemisë botërore. Janë 55 të prekur të konfirmuar, nderkohë që për 1 javë hyjmë në kulmin e përballjes. Njerëzit nuk duan t ‘ja dinë, pushtetarët bëjnë filma, një grup mjekësh luftojnë çdo ditë me vdekjen, si ushtarët e fundit të një ushtrie të dorëzuar, si trupat elitë që nuk janë gati ta pranojnë humbjen. Dhe një grup “frikacakësh” që shohin me gojë hapur gjithçka dhe nuk kuptojnë. Me gojë hapur kthehesh në shtëpi, mbyll deren me çelës, me shpresën se do të mbyllësh jashtë virusin, budallallëkun, babëzinë dhe paaftësinë, me mendjen tek çdo detaj që mund të jetë bërë shkaktar për infektim. Në dorë të virusit.

(Dosja.al)

3 Komente në “SHËNIM: Pështymë, babëzi dhe njerëz, çfarë pamë sot në rrugët e Tiranës, shqiptarët s’duan t’ja dinë për COVID-19

  1. Te lutem a nuk mundesh te jesh pak me shume optimist.. Pak me shume objektiv dhe se fundi.. Pak, shume me pak partiak…

  2. Ku e sheh partiakun qe ta lexoj dhe une, ky eshte nje realitet. Je ndjere mire neper rruge sot!?…

  3. Në dorë të virusit…dhe Zotit!

Shto Koment