Editorial

SHËNIM: Mungesa e gjurmimit, Koronavirusi në Shqipëri po ikën në drejtim të paditur

Sepse gjithkush mund të jetë i infektuar, ata 3 mijë që marrin çdo ditë 127, ata që luftojnë në shtëpitë e tyre me mjete rrethanore duke u munduar të ruajnë familjarët, ata që dalin pa e menduar mirë duke infektuar të tjerët.
Featured image of article: SHËNIM: Mungesa e gjurmimit, Koronavirusi në Shqipëri po ikën në drejtim të paditur
Përditësuar:

Para disa ditësh Kryeministri u gjend pa përgjigje kur iu kërkua si do të ishte ecuria e virusit. “Jemi në situatë somnambolike”, ishte përgjigja e tij, duke e krahasuar ecjen e vendit me atë të një somnambuli, ( një person që ecën në gjumë).

Më thjesht, nuk e dimë ku jemi dhe ku po shkojmë, mundohemi vetëm të shmangim dëmet. Duket sikur e gjithë bota është në amullinë somnambolike, përballë një pandemie të panjohur më parë.

Kjo lidhet me virusin, me përhapjen e tij dhe me mënyrat e infektimit që zbulohen çdo ditë për të ndryshuar stategjitë. Ndërsa me popullatën, vendet e tjera kanë ndjekur një politikë ndryshe nga Shqipëria në masë.

Komiteti Teknik që, çuditërisht ka më shumë pushtet se Kryeministri dhe përbëhet kryesisht nga drejtorë politikë, ka vendosur të bëjë sa më pak teste, vetëm për njerëzit më të afërt të të infektuarve dhe për ata që, jo vetëm kanë shenja të dukshme, por nuk mund ta përballojnë dot më në shtëpi.

Të tjerët duhet të vetëkarantinohen në kushtet e shtëpisë dhe të kërkojnë tamponin vetëm kur kanë shenjat e dukshme të koronavirusit.

Rasti i sotëm, i togës së policëve të infektuar është më tipiku. Të shqetësuar nga rastet e kolegëve, kërkuan t’u bëhej tamponi, por përgjigja ishte vetëkarantinimi. Tamponin, vetëm nëse kanë shenja të virusit.

Efektivët e policisë që jetojnë në kushte modeste, do të karantinohen në shtëpi ku mund të infektojnë familjen e tyre, ose në dhomat e paraburgimit që të mos i infektojnë.

Nëse do të kenë shenja do të marrin në telefon 127, ata do iu përgjigjen me formulën e njohur: trajtojeni si grip, pini paracetamol, rrini të izoluar.

Deri kur ta kalojnë vetë në rastin më të mirë, apo të shkojnë me simptoma të forta në spital dhe aty t’u bëhet trajtim intensiv. E ilustruar me shembull konkret, kjo është strategjia e qeverisë.

Duke mbetur tek ky shembull, lindin disa pyetje:

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

1. Çfarë i kushton Task-Forcës të gjurmojë deri në fund rastin e 4 ose 6 policëve të infektuar?

2. A janë kolegët bartës potencialë të virusit dhe si rrjedhim përhapës potencialë në familjet e tyre?

3. Pas kësaj, familjarët a janë bartës dhe përhapës potencialë në ambiente të tjera?

4. A humb kështu mundësia për gjurmim dhe favorizohet shpërndarja pa kontroll e virusit?

Sigurisht që për këtë arsye, shumica absolute e vendeve kanë zgjedhur si politikë gjurmimin. Të gjithë kontaktet e të infektuarve iu nënshtrohen testeve, virusi lokalizohet për çdo vatër të zbuluar dhe përhapja evitohet në maksimum.

Ka patur vende si Koreja e Jugut që për gjurmimin krijuan një aplikacion, duke e fituar shumë shpejt luftën për të vazhduar jetën.

Ndryshe ndodh këtu, ku megjithëse u morën masat e izolimit më herët se gjithë vendet e tjera, ende nuk e dimë ku ka virus, ku do jetë nesër nje vatër e re apo infeksion zinxhir, kur mund të kemi ulje dhe kur rënie.

Sepse gjithkush mund të jetë i infektuar, ata 3 mijë që marrin çdo ditë 127, ata që luftojnë në shtëpitë e tyre me mjete rrethanore duke u munduar të ruajnë familjarët, ata që dalin pa e menduar mirë duke infektuar të tjerët.

Kjo është vërtetë situatë somnamboleske. Kryeministri ka të drejtë. Por është një situatë që mund të shmangej që në rastet e para nëse do të bëhej gjurmimi i menjëhershëm.

Është një situatë që u prodhua nga politika e refuzimit të testeve që ende nuk po shpjegohet nga autoritetet. Kështu do ecim më rastësinë, një ditë 8, një ditë 20 pastaj 6 pastaj 17 të infektuar. Nuk ka një kurbë të qartë, sepse nuk ka asnjë ide per shkallën e infektimit të popullsise. I pagjurmuar, virusi ka ikur në drejtim të paditur.

Shto Koment