Aktualitet

Tërmeti/ 9 të arrestuar për godinat e shembura në Durrës, prangosen pronarët e ‘Tropical’ dhe ‘Miramare’, 8 në kërkim, akuza edhe për vrasje

Një javë pas vizitës së kryeprokurorit të ri, Olsian Cela, i cili paralajmëroi se nga hetimet për godinat e shembura nga tërmeti në Durrës do të ketë arrestime, 9 persona janë prangosur sot. Mes të arrestuarve zyrtarë të Kavalishencës ku vdiq komisar Hajdarmataj, dy pronarët e hotel Miramare dhe Tropikal, si edhe pronarja e një studioje private. Ata akuzohen edhe për vrasje me dashje, dhe në rrethana cilësuese.
Featured image of article: Tërmeti/ 9 të arrestuar për godinat e shembura në Durrës, prangosen pronarët e ‘Tropical’ dhe ‘Miramare’, 8 në kërkim, akuza edhe për vrasje Bajram Hajdarmataj
Përditësuar:

DURRES- Prokuroria e Durrësit ka lëshuar 17 urdhër arreste për përgjegjësit e sigurisë së ndërtesave që u shembën në tërmetin e 26 nëntorit. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se gjithashtu janë shoqëruar edhe 30 ndërtuesë, inxhinierë dhe zyrtarë, për të cilët dyshohet se kanë lejuar me veprimet dhe mos-veprimet e tyre degradimin e ndërtesave që morën 51 jetë njerëzish. Ndërkohë që në një deklaratë zyrtare për shtyp, Policia e Shtetit bashkë me prokurorinë, bënë publike edhe emrat e të arrestuarve.  Të arrestuar janë drejtori dhe nëndrejtori i Kavalishencës në Durrës, ku humbi jetën komisari Bajram Hajdarmataj, Ahmet Doda dhe Kujtim Hasa.

Ish-drejtori i ALUIZNI-t, Arben Isaku, sot i vendosur si nëndrejtor Kadastre, gjithashtu është një nga të arrestuarit, bashkë me Klajdi Lamen, inspektorin e pallatit 6 katësh, por edhe Albrend Qetka, specialistin e ALUIZNI-t në Durrës, janë të arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Gjithashtu në pranga kanë rënë edhe disa nga biznesmenët, pronarë të godinave të shembura. Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, pronari i Hotel Miramare, ku vdiqën dy vetë, është arrestuar bashkë me pronarin e Hotel Tropikal, Abdulla Osmani. Mbi të dy ndërtuesit rëndon akuza e vrasjes në rrethana cilësuese.

Ndërkohë që lista e të arrestuarve është zgjeruar, dhe tek projektuesit. Defrim Celami, specialist që ka përpiluar aktin e ekspertimit të pallatit 6 katësh, është prangosur, e bashkë me të edhe Nevjana Isufi, pronare e një studioje private, që hartonte projekte fiktive. Mbi Isufin rëndon edhe akuza e falsifikimit të dokumenteve.

Të arrestuarit:

Arben Isaku, ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Klajdi Lame, inspektor i INUV në Durrës, në pallatin 6-katësh ku vdiqën dy vetë, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Albrend Qetka,specialisti i ALUIZNI-t që verifikoi pallatin 6 katësh në Durrës, i akuzuar për shpërdorim detyre

Kujtim Hasa,  shefi i shërbimeve të Kavalishencës, i akuzuar për “vrasje me dashje”.

Ahmet Doda, drejtor i Kavalishencës, i akuzuar për shpërdorim detyre

Rruzhdi Xheka, ndërtues informal i ‘Hotel Mira-Mare’, ku vdiqën 2 vetë, i akuzuar për vrasje në rrethana të tjera cilësuese”.

Avdulla Osmani, ndërtues informal i “Hotel Tropikal”, ku vdiqën dy kosovarë, i akuzuar për vrasje në rrethana cilësuese

Defrim Celami, specialisti që përpiloi akti-ekspertimin e pallatit 6 katësh, i akuzuar për shpërdorim detyre

Nevjana Isufi,  e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshuar si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në kërkim
Arben Qato, pronar i Vila Palma
Dëshira Qato, shefe e urbanistikës në Kavajë (Gruaja e Arben Qatos)
Aldo Dakovelli, shef sektori në Kadastrën e Durrësit
Artemis Malko, punonjës terreni në Kadastrën e Durrësit
Artur Cela, ish-drejtori i INUV
Flamur Gjuzi, ish-drejtori i ALUIZNIT Durrës
Ndërtuesi i banesës së familjes Lala në Kënetë

Arrestimet vijnë një javë pas vizitës së kryeprokurorit të ri, Olsian Cela, i cili tha nga Durrësi se në hetime nuk do të kursehet askush.

(F.g/dosja.al)

  • 12:20

    Arrestimet në Durrës, policia dhe prokuroria deklaratë zyrtare: 9 të arrestuar, 8 të shpallur në kërkim (EMRAT)

    Policia e Shtetit jep të dhëna zyrtare për të arrestuarit e tërmetit të 26 nëntorit 2019. 9 të arrestuar, 8 të shpallur në kërkim, është ky rezultati i këtij bashkëpunimi.

    Njoftimi i plotë: 

    Konferencë e përbashkët për shtyp mes Policisë dhe Prokurorisë nga Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës Lorenc Shehu, Prokurorja e Rrethit Anita Jella dhe Drejtori i Drejtorisë për Krimet Ekonomike e Financiare në Policinë e Shtetit Lutfi Minxhozi. Policia e Shtetit, menjëherë pas rënies së tërmetit orët e para të mëngjesit të datës 26 nëntor, kaloi në gatishmëri dhe u përfshi në operacionet e kërkim-shpëtimit. Në këto operacione u angazhuan 4012 forca policore, në Durrës, Tiranë e Lezhë.

    Gjithashtu, u morën masa të menjëhershme për ruajtjen e rendit e sigurisë, ruatjen e objekteve të dëmtuara apo të braktisura nga banorët si pasojë e panikut, si dhe u morën në ruajtje objektet që u cilësuan të pabanueshme, me qëllim moslejimin e futjes së banorëve për shkaqe sigurie.

    Krahas angazhimit dhe veprimeve të kryera në këto operacione dhe masave për ruajtjen e rendit dhe pronës, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ngriti menjëherë një grup të posaçëm hetimor, me secialistë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale, në përbërje të tyre edhe specialistë për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Finaciare në Drejtoritë Vendore të Policisë Durrës, Tiranë e Lezhë, nën drejtimin e njësive të posaçme të ngritura nga prokuroritë përkatëse, me objekt “Kryerjen e veprimeve, dokumentimin e paligjshmërisë dhe mbledhjen e provave në objektet e shkatërruara dhe të dëmtuara nga tërmeti”, me qëllim vënien para përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.

    Në këtë kuadër, grupet e punës kanë kryer një sërë veprimesh hetimore dhe procedurale në të gjitha objektet duke filluar me:

    • Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve të firmave që kanë ndërtuar objektet, të cilat janë dëmtuar nga tërmeti.

    • Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve nga bashkia respektive, lidhur me dhënien e lejeve të ndërtimit, projektin, supervizimin, zbatimin, si dhe lejen e shfrytëzimit.

    • Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në hipotekën respektive.

    • Marrjen dhe këqyrjen e dokumenteve në institucionet e tjera.

    • Si dhe në kryerjen e detyrave të tjera që do diktojë situatë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

    • Në zbatim të këtyre detyrave, grupet hetimore kanë punuar me përkushtim e profesionalizëm, duke grumbulluar çdo provë që do i shërbejë hetimit.

    Pas një pune intensive dyjavore, në përfundim të fazës së parë të punës, në bazë të provave të grumbulluara nga grupi i punës, Prokuroria e Rrethtit Gjyqësor Durrës, gjatë mbrëmjes së djeshme, lëshoi 17 urdhra ndalimi, nga të cilat, 9 prej tyre janë ekzekutuar dhe vijon puna në terren për gjetjen e personave të tjerë.

    Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur dhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit.

    Për këto arsye, mbështetur në provat e administruara në këtë procedim penal është bërë ndalimi i këtyre shtetasve:

    1-Arben Isaku, 42 vjeç, me detyrë ish-drejtor i ALUIZNI-it Durrës, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

    2-Klajdi Lame, 32 vjeç, në cilësinë e inspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

    3-Albrend Qetka, 35 vjeç, në cilësinë e specialistit të verifikimit në terren pranë ALUIZNI-it, Durrës, në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

    4-Kujtim Hasa, 53 vjeç, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i vepres penale “Vrasja me dashje”.

    5-Ahmet Doda, 52 vjeç, në cilësinë e drejtorit të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

    6-Rruzhdi Xheka, 79 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal në objektin “Hotel Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

    7-Avdulla Osmani, 61 vjeç, në cilësinë e ndërtuesit informal të legalizuar më vonë në menyrë të paligjshme të objektit “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë, i dyshuar si autor i veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”.

    8-Defrim Celami, 44 vjeç, në cilësinë e specialistit që ka përpiluar aktin e ekspertimit teknik në objektin pallat 6- katësh, i cili ndodhet në lagjen Nr. 6, rruga “Shoqëria Bashkimi”, ku humbën jetën dy shtetase, i dyshuar si autor i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës.

    9- Nevjana Isufi, 45 vjeçe, e cila me studion e saj private hartonte projekte fiktive, e dyshaur si autore e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

    Grupi i posaçëm, nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe nxjerrjen e përgjegjësive për personat përgjegjës, për çdo rast që është evidentuar si pasojë e tërmetit të datës 26 nëntor.

    Ndërkohë, vijon puna e pandërprerë në terren për gjetjen dhe ndalimin e personave të tjerë, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi, por për arsye hetimi nuk i bëjmë me dije gjeneralitetet e tyre. Theksojmë faktin se disa prej personave, për të cilët Prokuroria ka lëshuar urdhër-ndalimi janë larguar jashtë shtetit menjëherë pasi ra tërmeti.

    Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medias në transmetimin dhe nxjerrjen para kohe dhe të pakonfirmuara të lajmeve për urdhër-arreste apo arrestime, pasi këto lajme dëmtojnë hetimin dhe për rrjedhojë përbëjnë vepër penale.

    Në kuadër të transperencës me median dhe publikun, Policia e Shtetit jep informacion zyrtar të konfirmuar edhe nga prokuroritë respektive kur lajmi ka të bëjë me vijimësinë apo cënimin e hetimeve.

    Policia e Shtetit garanton qytetarët se është tërësisht e vendosur dhe e përkushtuar për të garantuar rendin e sigurinë, për të luftuar krimin e organizuar, atë ekonomik e financiar duke çuar para drejtësisë personat përgjegjës.

    Falënderojmë qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm dhe i ftojmë sërish që të denoncojnë në 112 e Komsiariatin Dixhital çdo paligjshmëri duke u garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të pananshëm.

  • 12:05

    Prokuroria zgjeron listën e zyrtarëve, arrestohet ish-kreu i INUV, Artur Cela

    Prokuroria e Durrësit e ka zgjeruar listën e të pandehurve të përfshirë në hetimet për tërmetin e 26 nëntorit. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se mes të shpallurve në kërkim është edhe ish-kreu i INUV, Artur Cela.

  • 10:36

    Shembja e hotelit në Durrës/Në kërkim pronarët e Vila Palmës

    Pronaret e Vila Palmes

    Janë shpallur në kërkim edhe Dëshira Qato dhe Arben Qato, pronarë të Vila Palmës, hotelit që u shemb, dhe mori disa jetë njerëzish. Dëshira Qato, pronarja  e Vila Palmës është shefe urbanistike në qytetin e Kavajës. Në tragjedinë e 26 nëntorit ajo humbi babain e saj Sadik Qato, ndërsa u nxor i gjallë djali i saj, Klajdi Qato.

    Ajo kërkohet nga Policia pasi ky hotel kishte dy kate shtesë, nga 6 kate që kishte marrë lejen nga ish-komuna e Rrashbullit. Objekti është kolauduar nga vetë pronari i “Vila Palma” Arben Qato, kolaudim i cili i ka hapur rrugë ndërtimit edhe të dy kateve shtesë, duke mbingarkuar kolonat e godinës me mbipeshë.

  • 9:15

    Tërmeti tragjik/ Shkon në 5 numri i të shoqëruarve, merret në pyetje edhe zv.drejtor i Hipotekës në Durrës

    Kanë nisur shoqërimet në Durrës, pas nisjes së çështjes penale për tërmetin e 26 nëntor, ku si pasojë e tij u shembën një numër ndërtesash. Mësohet se janë shoqëruar në Polici, Arben Isaku, ndërsa është shpallur në kërkim, Aldo Dakovelli shef sektori në Kadastrën e Durrësit dhe Artemis Malko punonjës terreni.

Shto Koment