Sport

Shehi: “Tirana nuk ka limite, shkojmë për fitore ndaj Teutës”!

“Futbolli ka edhe fatin dhe shpresoj që nesër ta kemi në anën tonë. Mendojmë vetëm për veten tonë dhe nuk shohim askund përveç se para. Javët sa vijnë dhe pakësohen”
Featured image of article: Shehi: “Tirana nuk ka limite, shkojmë për fitore ndaj Teutës”!

TIRANE – Sfida e nesërme ndaj Teutës, e vlefshme për javën e 29-të të Superiores, krijon nostalgji për Orges Shehin, i cili si trajner i Tiranës do të sfidojë skuadrën ku ka hedhur hapat e parë si futbollist. Në intervistën para ndeshjes, numri një pankinës bardheblu, ka folur për gjëndjen e Seferit, për kundërshtarin e radhës, por edhe për objektivat për të cilat është ende në lojë Tirana.

Mungesa e Seferit? “Gjendja e Seferit është e mirë, vetëm në ditët e para nuk është stërvitur, pastaj ka vazhduar normalisht. Edhe ditën e sotme do të jetë në fushë për t’u stërvitur normalisht për të qenë i gatshëm nesër. Në kushtet që jemi prej pandemisë, nuk kemi ç’bëjmë. Në ndeshjen e shkuar ndaj Teutës, kisha fatin e keq dhe nuk isha në krye të ekipit. Sigurisht është tjetër ndjesi të jesh aty. Është një ndeshje që na karikon shumë sepse luajmë ndaj vendit të parë”.

Nostalgji ndaj Teutës? “Kam një karrierë të gjatë me shumë vite mbi supe dhe sigurisht që do përballem me ekipe, që kam luajtur. Ka nostalgji, por jemi profesionistë dhe do bëjmë maksimumin. Janë një skuadër e mirë dhe shifrat i japin të drejtë. Kanë lojtarë shumë cilësorë dhe është i drejtë konstatimi se janë një skuadër hermetike, por ne do bëjmë maksimumin për të marrë pikët sepse është e domosdoshme”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Të gjithë tifo për ne? “Ne bëjmë tifo për veten tonë sepse duhet të kishim marrë më shumë në dy ndeshjet e shkuara. Sigurisht futbolli ka edhe fatin dhe shpresoj që nesër ta kemi në anën tonë. Mendojmë vetëm për veten tonë dhe nuk shohim askund përveç se para. Javët sa vijnë dhe pakësohen dhe kur jep maksimumin dhe nuk fiton ndeshjen, pikët të vënë në vështirësi”.

Objektivat e Tiranës? “Ka ende javë në lojë dhe jemi brenda objektivave dhe të shohim ndeshje pas ndeshje. Duam të luajmë si me Kukësin, por këtë herë e duam fatin në anën tonë. Kemi bërë punë të mirë të gjithë, kemi marrë rezultate të mira, por nuk mjaftohemi sepse Tirana nuk ka limite. Do provojmë maksimumin, duke ruajtur ekuilibrat dhe duke pasur rrjedhshmëri në lojë. Do punojmë të mos ndëshkohemi nga detajet e vogla dhe atë që japim në fushë, ta marrim mbrapsht pas ndeshjes.”

B.T (Dosja.al)

Shto Koment