Editorial

SHBA, Rusia dhe lufta e armëve

Nëse qeveria kanalizon paratë e buxhetit të shtetit për të shpëtuar bankat dhe mban hapur impiantet e falimentuar të mbrojtjes, kjo do të krijojë pengesa të mëdha në shërbimet sociale.
Featured image of article: SHBA, Rusia dhe lufta e armëve

Me përfundimin e traktatit për Fuqitë e Mesme Bërthamore (INF) në fund të korrikut, ka filluar një garë e re armësh midis SHBA dhe Rusisë. Gara e fundit e armëve, ajo e viteve ’80 kulmoi në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Tridhjetë vjet më vonë, gara Trump-Putin mund të çojë në shpërbërjen e Rusisë.

Presidenti i SHBA Ronald Reagan dhe udhëheqësi Sovjetik Mikhail Gorbaçov nënshkruan traktatin e INF në vitin 1987, duke ndaluar raketat bërthamore tokësore, me rreze nga 500 deri 5,500 kilometra. Muajt e fundit, Uashingtoni akuzoi Moskën për shkelje të marrëveshjes, me vënien në punë të një lloji të ri të raketave ujore, SSC-8 dhe pezulloi detyrimet e Shteteve të Bashkuara ndaj traktatit, me mbështetjen e plotë të aleatëve të NATO-s.

Si përgjigje, Presidenti Vladimir Putin paralajmëroi se Rusia do të detyrohej të fillonte zhvillimin e raketave bërthamore tokësore, me rreze të shkurtër e të mesme dhe bëri SHBA-në përgjegjëse për prishjen e traktatit. Ai parashikoi që një garë e pakontrolluar armësh do të fillonte, teksa Rusia do ndërtonte armët e ndaluara më parë.

Sidoqoftë, herën e fundit që Moska hyri në një garë armësh bërthamore me Uashingtonin, vendi u shpërbë. Reagan u bë president në vitin 1981 me tre objektiva: të rivendoste besimin e kombit Amerikan pas Luftës së Vietnamit; të rivendoste epërsinë politike dhe ushtarake amerikane; dhe të bënte të pamundur një luftë të tretë botërore, përmes eliminimit ose neutralizimit të armëve bërthamore.

Reagan dëshironte të braktiste doktrinën e shkatërrimit të sigurt reciprok, që po shkonte drejt një konflikti bërthamor, ndërsa rishikonte politikat amerikane për frenimin e Luftës së Ftohtë. Qëllimi i tij ishte të ulte përhapjen e ndikimit Sovjetik në të gjithë botën, duke sfiduar ekonominë sovjetike në rënie. Administrata e re e rriti ndjeshëm buxhetin ushtarak të Amerikës dhe i futi financat e Moskës nën një presion të madh, përmes një gare armësh.

Për të mbrojtur Amerikën nga çdo sulm bërthamor, Reagan nxiti zhvillimin e Nismës Strategjike të Mbrojtjes (SDI) ose “Star Wars” (Lufta e Yjeve), një mburojë teorikisht e padepërtueshme nga raketat bërthamore që Uashingtoni do të ndante me vendet e tjera, përfshirë BRSS. Megjithëse skeptikët pretendonin se një mburojë e plotë do të ishte e paarritshme, udhëheqësit sovjetikë hynë në panik, duke besuar se kjo do ta bënte Amerikën të paprekshme dhe të aftë të shkatërronte Bashkimin Sovjetik.

Në të njëjtën kohë, si kundërpërgjigje të vënies në dispozicion për vendet e Paktin të Varshavës të raketave sovjetike SS-20 me rreze të mesme që synonin Evropën Perëndimore, SHBA, gjithashtu, vendosi raketa Pershing II, me rreze të mesme në Evropë, të cilat ishin në gjendje të godisnin Moskën.

Kur Gorbaçovi mori përsipër udhëheqjen Sovjetike në vitin 1985, kuptoi se një garë armësh e përshpejtuar do e dëmtonte buxhetin e mbrojtjes të Rusisë dhe do të falimentonte ekonominë (sovjetike ). Si rezultat, ai angazhoi Reagan në negociata për të parandaluar programin “Star

Wars” dhe gjatë bisedimeve, filloi të lëshonte terren në lidhje me uljen e numrit të raketave bërthamore. Sidoqoftë, Reagan refuzoi të braktisë programin SDI dhe madje u largua nga seancat e bisedimeve me Gorbaçovin.

Në fillim të vitit 1989, çmimi i naftës ra në rreth 10 dollarë për fuçi dhe kështu, Bashkimi Sovjetik falimentoi e kërkoi hua domethënëse, që iu refuzuan nga Uashingtoni. Bashkimi Sovjetik u shpërbë, ndërsa komunistët humbën autoritetin; ushtria ishte demoralizuar dhe shumë popuj të mbajtur në robëri kërkuan pavarësinë nga perandoria ruse. Gara e armëve, që Moska nuk mundi ta përballonte, dha një kontribut themelor në rënien sovjetike.

Rusia është përsëri në vështirësi ekonomike dhe politike. Rritja e saj vjetore është në rënie, standardet e jetës janë duke u ulur dhe rajone të shumta të Rusisë, ashtu si ish-republikat sovjetike, janë duke u rebeluar gjithnjë e më shumë. Ndërsa Kremlini zotohet të zhvillojë dhe vërë në përdorim armë të reja, përfshi llojet e reja të armëve bërthamore, raketa ujore dhe nëndetëse të operuara me dron, burimet e tij po thahen.

Sektori ushtarako-industrial i Rusisë është në çrregullim. Industria e mbrojtjes po përballet me një borxh në rritje, sepse shteti nuk ka arritur të paguajë pajisjet ushtarake dhe nuk është në gjendje të prodhojë komponentë, importi i të cilave është i ndaluar për shkak të sanksioneve. Shumë impiante mbrojtjeje do të duhet të mbyllen përfundimisht dhe një pjesë e madhe e dy milion njerëzve të punësuar në sektorin e prodhimit për mbrojtjen mund të mbeten pa punë.

Me ndërprerje të menjëhershme, ushtria ruse nuk do të arrijë të marrë avionët, tanket dhe raketat që Putin i ka premtuar, çfarë do të kompromentojë mundësitë e Kremlinit për të vazhduar një ndërtim ushtarak. Kjo, gjithashtu, do të dëmtojë disa banka ruse që i kanë dhënë hua shuma të mëdha parash sektorit të mbrojtjes. Nëse qeveria kanalizon paratë e buxhetit të shtetit për të shpëtuar bankat dhe mban hapur impiantet e falimentuar të mbrojtjes, kjo do të krijojë pengesa të mëdha në shërbimet sociale. Një veprim i tillë ka të ngjarë të përshpejtojë trazirat sociale dhe ta shtyjë Rusinë më pranë grykës së shpërbërjes.

Shto Koment