Bota

SHBA/ Blinken mbështet Ukrainën ndaj veprimeve ‘agresive’ të Rusisë

Gjatë një vizite në Ukrainë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i siguroi udhëheqësit se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kievin ndaj atyre që ai i quajti veprime "të pamatura dhe agresive" të Rusisë.Zoti Blinken nuk njoftoi rritje të ndihmës ushtarake.
Featured image of article: SHBA/ Blinken mbështet Ukrainën ndaj veprimeve ‘agresive’ të Rusisë Antony Blinken

UKRAINA- Gjatë një vizite në Ukrainë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken i siguroi udhëheqësit e atjeshëm se Shtetet e Bashkuara do të mbështesin Kievin ndaj atyre që ai i quajti veprime “të pamatura dhe agresive” të Rusisë. Por zoti Blinken nuk njoftoi rritje të ndihmës ushtarake.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken erdhi me një mesazh kryesor në Kiev: Se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në krah të popullit të Ukrainës kundër agresionit rus. Ai foli me Radion Evropa e Lirë mbi tërheqjen e pjesshme të trupave ruse nga zonat kufitare.

“Kemi parë të tërhiqen disa pajisje të rënda, por shumë të tilla ende kanë mbetur aty. Rusia e ka aftësinë që, me një njoftim të vetëm, të ndërmarrë brenda një kohe të shkurtër veprime të mëtejshme agresive. Prandaj ne jemi shumë vigjilentë, po e ndjekim situatën me shumë kujdes dhe po marrim masa që ta ndihmojmë Ukrainën të ketë mjetet për të mbrojtur veten, për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e saj,”- tha Sekretari i Shtetit.

Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenskiy i tha zotit Blinken se ai është ende i shqetësuar për kërcënimin ushtarak rus.

“Ne mendojmë se pakësimi i trupave ruse pranë kufirit është i ngadaltë, prandaj, ndoshta ende mund të ketë një kërcënim. Askush nuk i dëshiron këto surpriza,” -tha zoti Zelenskiy.

Kievi do të dëshironte që Uashingtoni t’i ofrojë më shumë ndihmë ushtarake Ukrainës, duke përfshirë pajisje për t’iu kundërvënë aftësisë së Rusisë për të bllokuar komunikimet ukrainase, sisteme të mbrojtjes ajrore dhe teknologji anti-snajper.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Zoti Blinken tha se SHBA po shqyrtojnë mundësinë për më shumë ndihmë në fushën e sigurisë, por nuk tha çfarë saktësisht do të përfshinte kjo ose kur mund të jepet. Ish-Ambasadori Steven Pifer i tha Zërit të Amerikës se Sekretari Blinken po dërgonte një mesazh të mbështetjes së fortë për Ukrainën nga Presidenti Joe Biden, por shpresonte që ai do të jepte edhe një mesazh tjetër.

“Mesazhi tjetër që unë besoj dhe shpresoj që Sekretari Blinken t’i japë Kievit është nevoja që qeveria ukrainase të lëvizë realisht dhe shumë seriozisht për reformat, luftën kundër korrupsionit, frenimin e ndikimit të oligarkëve, në mënyrë që ekonomia të përparojë,“- tha Ambasadori Pifer.

Shtetet e Bashkuara kanë qenë mbështetësi më i fuqishëm i Kievit që kur filloi konflikti midis ushtrisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në vitin 2014. Ukraina thotë se në luftime janë vrarë rreth 14,000 njerëz.

Marrë nga VOA

(F.I/DOSJA.AL)

Shto Koment