Aktualitet

Incident diplomatik, ministrat serbë nuk pranojnë të ulen në tavolinë me ata kosovarë

  • Ministri Klosi: Negociuam dy orë me delegacionin serb
  • Ministri i Kosovës: OKB, rregulla që të prezantohemi me siglën e UNMIK, t’a harrojnë!
  • Ka nisur me një incident konferenca mbi "Klimën në Ballkanin Perëndimor" në Tiranë. Delegacioni serb nuk ka pranuar të rrijë bashkë në të njëjtën tavolinë me delegacionin kosovar duke bojkotuar kështu edhe konferencën.
    Featured image of article: Incident diplomatik, ministrat serbë nuk pranojnë të ulen në tavolinë me ata kosovarë Ministri kosovar, Fatmir Matoshi
    Përditësuar:

    TIRANË- Incident diplomatik mes Serbisë dhe Kosovës në konferencën mbi “Klimën në Ballkanin Perëndimor” në Tiranë.

    Konferenca, e planifikuar për të nisur në orën 10:00, ka nisur 2 orë me vonesë për shkak se delegacioni serb nuk ka pranuar që të qëndrojë në të njëjtën tavolinë duke bojkotuar kështu edhe konferencën.

    Serbia nuk ka pranuar që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në Kombet e Bashkuara, dhe sipas ministrit Kosovar, Fatmir Matoshi, në bazë të rregullores së OKB, Kosova mund të marrë pjesë në konferenca vetëm me siglën e UNMIK.

    Ajo që ka ndodhur sot ka të bëjë me rregulla strikte të përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, që kërkojnë që Kosova të jetë e përfaqësues nën siglën e UNMIK-ut, ose persona të qeverisë ose të shoqëruar nga pjesëtarë të UNMIK-ut, gjë që është e papranueshme për ne,”-tha Matoshi. (Lexoje të plotë).

    Ndërkohë, me nisjen e konferencës e cila ka vijuar në nivel teknik, mes zv.ministrave, para gazetarëve është pyetur ministri i Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ishte edhe organizator i konferencës.

    Klosi tha se Shqipëria është vend mikpritës i Konferencës, dhe shtoi se ka patur edhe dy orë debat për praninë ose jo të ministrit Matoshi, dhe në fund u pranua delegacioni i shtetit të Kosovës, por jo ministri Matoshi.

    “Aktiviteti është i organizuar nga OKB. Shqipëria është vend mikpritës. Unë ftova ministrin Matoshi. Ne do të vazhdojmë bisedimet bilaterale me donatorët. OKB dhe donatorët e pranuan Kosovën si pjesë e këtij diskutimi. Ne bëmë ftesën si ministri shqiptare, se është e palogjikshme që në një aktivitet për Rajonin, Kosova mos të jetë pjesë e diskutimeve. Kishim dakordësi me OKB dhe me Serbinë sa i përket zhvillimit të aktivitet, prezencës së Kosovës si i ftuar special. Prezenca me të drejta të plota si folës në tryezën e OKB-së, dhe mos prezenca e ministrit, më detyroi dhe mua që pas 2 orë diskutimesh dhe negociatash me ta.Konferenca po zhvillohet me stafet teknike, zv.ministrat”, tha Klosi.

    Përveç dy delegacioneve në fjalë, pjesëmarrëse në konferencë janë edhe delegacionet e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, si dhe përfaqësues të lartë përgjegjës për mjedisin dhe klimën në rajon, si dhe donatorë. Konferenca do të zgjasë 2 ditë. 

    (k.m/dosja.al)

    Shto Koment