Sport

“Sekreti” i Dajës për derbin: “Lart koka duhet të jetë e ftohtë, ndërsa zemra të jetë zjarr”

“Partizani ka një gjendje psikologjike mjaft të mirë. Kemi konsoliduar goxha mirë edhe manovrën, kemi gjendje të mirë fizike dhe mbi të gjitha, kemi një shpirt skuadre. Tirana është ekip për t’u mundur. Edhe me gjysmë goli të fitojmë, jam në rregull”
Featured image of article: “Sekreti” i Dajës për derbin: “Lart koka duhet të jetë e ftohtë, ndërsa zemra të jetë zjarr”
Përditësuar:

TIRANE – Traditën nuk e prishi edhe trajneri i Partizanit, Ilir Daja. Edhe ai doli ditën e sotme në konferencën për shtyp, në prag të derbit ndaj Tiranës, që do të zhvillohet ditën e nesërme në orën 18:00 në stadiumin “Air Albania”. Në prononcimin e tij para gazetarëve, tekniku i të kuqve, veç të tjerave u shpreh, se koka duhet të jetë e ftohtë në këtë sfidë dhe zemra do të jetë zjarr…

Derbi i parë si trajner i Partizanit, si ndiheni për këtë gjë?

“Në fakt derbi, më shumë se për trajnerët, është për tifozët. Është një ndeshje që duhet fituar. Sigurisht që ne e kemi të qartë që përveçse ka 3 pikë si çdo ndeshje, ka një bonus psikologjik për vazhdimësinë. E kemi përgatitur me qetësi derbin, sepse vimë nga një gjendje psikologjike goxha e mirë. Natyrshëm, që nuk presim kundërshtar si në ndeshjet e tjera, por lart koka duhet të jetë e ftohtë, ndërsa zemra të jetë zjarr”.

Mendoni se jeni më lart se sa rivali?

“Ne jemi me këmbë në tokë. Sipas historive të derbit, edhe kur ekipet kanë pasur diferenca, që në këto moment nuk ka diferenca, madje Tirana vjen pas një suksesi të vjetshëm, edhe atëherë nuk thuhet që ka favoritë në derbi, jo më tani, që ekipet janë aty-aty. Partizani ka një gjendje psikologjike mjaft të mirë. Kemi konsoliduar goxha mirë edhe manovrën, kemi gjendje të mirë fizike dhe ajo që është mbi të gjitha, kemi një shpirt skuadre, që do të duhet ta tregojmë me patjetër nesër, sepse siç dihet është një përballje mjaft e vështirë”.

Keni deklaruar, se Dede është futbollisti më i mirë që keni trajnuar. A keni frikë nesër që “nxënësi” mund të jetë më i mirë se “mësuesi”?

“E them edhe sot që ka qenë një nga futbollistët më të mirë që kam drejtuar, me një mentalitet fituesi, jo i vështirë për t’u menaxhuar. Nëse di t’i menaxhosh lojtarët që kanë mentalitet fituesi, gjërat bëhen jo të vështira. Besoj që ka një eksperiencë jo të mjaftueshme në trajnim. Në këtë rast, nuk besoj se do të kem unë frikë Nevilin, Nevili duhet të ketë respekt për mua. Kjo është e vërteta”.

Sa do t’i mungojë tifozëria derbit të kryeqytetit?

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Flasim për dy tifozeritë më të mëdha në Shqipëri. Është mungesë e madhe dhe në këtë situatë që jetojmë, e ndiejmë akoma më shumë, pavarësisht se ne kemi pasur marrëdhënie të mirë dhe na kanë ndjekur edhe pse nuk lejohet. Nuk i kemi në stadium, por do na ndjekin në televizion dhe e dimë se janë të përqendruar në këtë derbi.”

Sa i rëndësishëm është rikuperimi i Asanit?

“Asani, Melo e Llanaj janë lojtarë me cilësi individuale, por do luajnë ata që kanë gjendjen më të mirë fizike. Ata kanë një javë që stërviten, por nuk rrezikojmë, pasi na duhen në vazhdimësi, jo veç në derbi. Duam t’u marrim maksimumin lojtarëve.”

A mendoni se e kanë dobësuar largimet skuadrën e Tiranës?

Tirana ka larguar ata që kanë menduar se nuk u bëjnë punë. I vlerësojmë për cilësitë që kanë, por edhe ne kemi cilësi. Më vjen mirë që na shohin si favorite, gjithsesi Tirana është ekip për t’u mundur. Edhe me gjysmë goli të fitojmë, jam në rregull.”

Jeni i kënaqur që derbi do të luhet në “Air Albania?

Stadiumi i ri është më i miri në Shqipëri dhe duhet përshëndetur ndërtimi i tij, por ne na intereson fusha më shumë, pasi tifozët na mungojnë. Na shqetëson fusha, për shkak se luajmë me qarkullim topi. Nuk jam ndjerë mirë kur pashë gjendjen e fushës, pasi klubi e kishte filmuar. Mund të ishte luajtur diku tjetër.”

B.T (Dosja.al)

Shto Koment