Rajoni

Seanca e jashtëzakonshme në Kosovë, a do arrijnë deputetët të shpërndajnë Parlamentin?

Në seancën e cila fillon në orën 10:00, deputetët pritet të votojnë së pari Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe më pas pikën e dytë të rendit të ditës
Featured image of article: Seanca e jashtëzakonshme në Kosovë, a do arrijnë deputetët të shpërndajnë Parlamentin? Kuvendi i Kosovës

KOSOVË- Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë sot një seancë të jashtëzakonshme, ku pritet që të shpërndahet dhe t’i hapë rrugë zgjedhjeve të reja që do të mbahen në vjeshtë. Kjo pritet që të jetë dhe seanca e fundit e legjislaturës së VI, pasi vendi pritet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Në seancën e cila fillon në orën 10:00, deputetët pritet të votojnë së pari Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe më pas pikën e dytë të rendit të ditës, propozimin e grupit të deputetëve për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Deri më tani të gjitha partitë parlamentare janë zotuar publikisht se do të votojnë për shpërndarjen e Kuvendit, madje për këtë qëllim janë dorëzuar edhe 93 nënshkrime të deputetëve. Me gjithë zotimet e liderëve politikë, ende ka dilema se mund të mos bëhen 80 votat e nevojshme për ta shpërndarë Kuvendin.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Por pse ka ardhur Kosova në këtë pikë?

Ishte dorëheqja e Kryeministrit Ramush Haradinajt në fund të muajit korrik që solli këtë krizë politike. Ai u tërhoq nga posti që mbante pasi u thirrë për të dëshmuar në Gjykatën e Hagës. Në daljet e tij për mediat dhe në deklaratat publike, Haradinaj u shpreh se donte të shkonte në Hagë si qytetar i lirë i Kosovës dhe jo si kyreministër i saj. Pas lënies së postit nga kreu i AAK, partitë e tjera të koalicionit, por dhe ato opozitare ishin të një mendimi se nuk duhet të zgjidhej një kryeministër i ri nga fituesit, por vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë që sot do të tentohet shpërndarja e Kuvendit, palët kanë nisur firmosjen e koalicioneve dhe përgatitjen për zgjedhjet e ardhshme.

(A.B. Dosja.al)

Shto Koment