Editorial

Samiti i Berlinit, një lajm i keq për Shqipërinë, 2 për Ramën

Ajo që duhet të bëjnë 6 vendet problematike, është që të rrinë urtë, të paktën deri para zgjedhjeve.Për herë të parë nuk duhet të kërkojnë gjë, vetëm të mos shkaktojnë probleme. Një kërkesë e ngjashme me atë që u bëhet fëmijëve grindavecë që kanë hyrë gabimisht në një ambient të rriturish që i kanë seriozisht ato që thonë dhe bëjnë.
Featured image of article: Samiti i Berlinit, një lajm i keq për Shqipërinë, 2 për Ramën

Sinqeriteti mund të ishte zgjidhja më e mirë për kreun e qeverisë sonë.

Pas Samitit informal të Berlinit, do të mjaftonte të përsëriste versionin zyrtar për axhendën dhe arsyet e Samitit, per të justifikuar mungesën e rezultateve.

Deutche Welle i analizoi në detaje arsyet dhe konluzionet e Samitit. Nuk do të flitej për perspektivën europiane, pra për integrimin e 6 vendeve në BE, nuk do të flitej për Procesin e Berlinit, pra as për projektet ekonomike rajonale që janë nxitur nga procesi dhe që kanë gjetur financime nga vendet e BE.

Do të flitej vetëm për çështjet që shqetësojne vendet kryesore të BE më pak se 1 muaj nga zgjedhjet për Parlamentin Europian, ku ekstremistët po fitojnë terren dhe do të kenë një përfaqësim shqetësues, që mund të bllokojë gjithë proceset e BE.

Këtu integrimi i Ballkanit Perëndimor është procesi më i parëndësishëm.

Ajo që duhet të bëjnë 6 vendet problematike, është që të rrinë urtë, të paktën deri para zgjedhjeve.

Për herë të parë nuk duhet të kërkojnë gjë, vetëm të mos shkaktojnë probleme.

Serbia me Kosovën të rinisin bisedimet, kriminaliteti dhe korrupsioni të luftohen më shumë.

Një kërkesë e ngjashme me atë që u bëhet fëmijëve grindavecë që kanë hyrë gabimisht në një ambient të rriturish që i kanë seriozisht ato që thonë dhe bëjnë.

Ky shpjegim do t’a justifikonte Edi Ramën që nuk mori përsëri asnjë datë për hapjen e negociatave.  Erdhi në Shqipëri një shtyrje për shtator, si një provim vjeshte i një ngelësi të përjetshëm.

Askush nuk gëzoi, askush nuk po gëzon, por ai e drejtoi prapë gishtin nga ata që e amplifikuan dështimin, duke nënkëptuar kështu opozitën dhe mediat që e mbështesin.

E ndau të vërtetën në 2 pjesë partiake që publiku të mos e kuptojë.

Mund ta zgjidhte sinqeritetin, mediat gjermane në gjermanisht dhe në shqip e thanë të vërtetën. Ishte një dështim i paralajmëruar që nuk lidhet vetëm me qeverinë dhe as vetëm më Shqipërinë.

Por në atë pjesë që i takon, Shqipëria dhe qeveria, sigurisht kreu i Qeverisë, ka pjesën e vetë të përgjegjësisë, që si gjithmonë zgjodhi t’ja ngarkojë opozitës.

Nuk mund të ishte i sinqertë Rama, megjithëse tha se në takimin me Merkel u fol nga të dyja palët kundër djegies së mandateve dhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Nuk mund të ishte sepse qëllimi kryesor i Samitit ishte rrëzimi i tezës së shkëmbimit të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës. Ai ishte një samit kundër treshes Vuçiç- Thaçi- Rama, që ishin ulur në sofrën e bisedimeve me lugë në brez për të marrë ç’të mundin.

E shndërruan luftën e Kosovës për pavarësi në një pazar ballkanik që tronditi gjithë mendjet e arsyeshme dhe solli këtë samit.

Jo më kot Haradinaj ishte stari i Samitit përkrah Zaevit që dominoi dhe e fitoi hapjen e negociatave.

Jo më kot, Thaçi i zhgënjyer përsëriti gënjeshtrën bajate të marrjes së Preshevës dhe tentoi diversionin duke thirrur në ndihmë SHBA.

Jo më kot, Samiti ia hoqi ekskluzivitetin Mogherinit si mbikqyrëse e negociatave dhe shtoi përfaqësuesit e Gjermanisë dhe Francës.

Jo më kot, Thaçit i dhanë zhgënjimin më vete ndërsa Haradinajt premtimin për heqjen e vizave në qershor.

Jo më kot, i vetmi vendim i Samitit ishte rihapja e bisedimeve Serbi- Kosovë.

Tre “liderët globalë” që gënjyen veten dhe të tjerët me një marrëveshje të paparë dhe të padëgjuar, u kthyen me vesh të skuqur, por pa i hequr shpresat se një tjetër forcë e madhe do t’i rikthejë në sofrën e kufijve me të njëjtën babëzi.

Për të fshehur këtë të vërtetë foli për atë që nuk ka ndodhur, u mundua ta përqëndrojë vëmendjen tek ato që nuk u thanë dhe nuk kishin ndërmend të thuheshin.

Propaganda qeveritare u përdor si zhurmues për mediat gjermane që thanë se Rama erdhi nga Berlini me një lajm të keq për Shqipërinë dhe 2 lajme të këqija për veten. I pari që nuk po zgjidh problemet brenda kufijve dhe i dyti që po shkakton probleme jashtë kufijve.

Shto Koment