Editorial

Rruga europiane dhe rruga drejt mandatit të tretë të Edi Ramës

Për Shqipërinë nuk ka datë, derisa të plotësohen kushtet. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Reforma Zgjedhore dhe Ligji I Medias, përmenden nga Schutz, si kushte për hapjen e negociatave.
Featured image of article: Rruga europiane dhe rruga drejt mandatit të tretë të Edi Ramës

TIRANË- Sussane Schutz, Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme Federale në Gjermani, duke folur për BIRN, konfirmoi që Shqipëria nuk do të ketë një datë për hapjen zyrtare të negociatave. Brenda presidencës Gjermane, pra deri në dhjetor 2020, do të jetë Konferenca e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë nuk ka datë, derisa të plotësohen kushtet. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Reforma Zgjedhore dhe Ligji i Medias, përmenden nga Schutz, si kushte për hapjen e negociatave.

Duket sikur është një refren I përsëritur, por në fakt është një lajm I keq: Nuk do të ketë hapje të negociatave përpara zgjedhjeve. Nuk është deklaratë politike, Schutz, ndryshe nga deputetët e CDU, është drejtuese teknike, shpreh qëndrimin zyrtar të qeverisë. Ndërsa Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë, me gjithë shtyrjet, mund të ndërtohen brenda këtyre muajve të presidencës gjermane, reforma zgjedhore tashmë ka dështuar, ndërsa ligji për median qëndron si kërcënim I heshtur në sirtarët e drejtuesve të maxhroancës.

Mes rreshtave të zyrtares së lartë gjermane, gjen vendimin e Edi Ramës për të ndjekur një tjetër rrugë nga ajo që të çon në Perëndim. Një rrugë të shkretë, me institucione të rrënuara, me zgjedhje të paracaktuara dhe mediat të kontrolluara. Një rrugë që u ngjan miqve të tij, jo të rastësishëm, Erdogan dhe Vuçiç.

E vetmja rrugë që i siguron, një mandat të tretë dhe pushtet pa kufij. Jemi në pikën, kur hapja e negociatave, nuk e ndihmon Edi Ramën të marrë mandatin e tretë, sepse është vetëm një detyrë e pabërë prej vitesh, që nëse ndodh, është vetëm lehtësim, heqje e barrës. Si një ngelës për disa vite, që më në fund e kalon klasën, vetëm për të mos qëndruar më në shkollë.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Që në 2013 kur erdhi në pushtet, nuk eci asnjë shkallë më sipër drejt Brukselit. Marrja e statusit të vendit kandidat, që u bllokua për 3 vjet nga vetë ai, ishte premtuar të jepej menjëherë pas zgjedhjeve, në tetor 2013. U shty prej Holandës në qershor 2014. Çlirimi i Lazaratit, kontributi që dha qeveria, u zhbë 2 vjet më vonë, kur hashashi u shpall me urdhër të brendshëm, kulturë bujqësore zyrtare. Edhe sikur statusi I vendit kandidat të njihej si arritje e Ramës, janë bërë 6 vjet ngecje në procesin e integrimit dhe në zgjedhjet e 2021 do të mbushen 7 vjet të humbur.

Një bilanc i tillë do ta çonte në zgjedhje për të humbur çdo politikan, por Edi Rama e sheh si avantazh. Ka parë më shumë leverdi në prishjen e konsensusit për reformën zgjedhore, sesa tek 5 qershori që i hapte negociatat. Me respektimin e 5 qershorit do të merrte vetëm një ceremoni ndërqeveritare dhe një mal me detyra që nuk I pëlqejnë asnjë qeverie, ndërsa me prishjen, siguron një kod zgjedhor që mund t’i japë fitoren në tavolinë, një mundësi për të ndërhyrë në zgjedhje njësoj ose më shumë se në 2017 dhe një shpresë që opozita të jetë fasada e procesit.

Njësoj me ligjin për median. Reflektimi i ndryshimeve të sugjeruara nga Komisioni i Venecias, do të favorizonte mediat e pavarura, apo kundërshtare dhe do ta çonte më afër Evropës, por ligji kështu siç është I jep kontroll mbi gjithë mediat, të drejtën për të mbyllur ato që nuk ka nën kontroll dhe hyrjen në zgjedhjet e ardhshme me ERTV dhe përsëritësit e tij.

E thënë më thjesht, sa më afër Europës, aq më larg mandatit të tretë. Fjalët e Schutz, që kanë trishtuar gjithë shqiptarët e orientuar nga Perëndimi, nuk kanë të njëjtin efekt për Edi Ramën. Ai ka zgjedhur mandatin e tretë, mbylljen e derës së BE për Shqipërinë dhe mbretërimin në një vend ku njerëzit janë mpirë nga e keqja deri në pikën që të mos reagojnë, vetëm ikin çdo ditë nga sytë këmbët, për të shpëtuar xhepat, jetën dhe ëndrrat.

Shto Koment