Aktualitet

Rritja e rasteve me Covid-19, epidemiologu: Një infermiere e papërgjegjshme infektoi shumë persona, ishte këshilluar që të qëndronte në shtëpi e izoluar

Alimehmeti nënvizoi se stina e ngrohtë “është aleati jonë kundër virusit” dhe theksoi se plazhi është vend i sigurt
Featured image of article: Rritja e rasteve me Covid-19, epidemiologu: Një infermiere e papërgjegjshme infektoi shumë persona, ishte këshilluar që të qëndronte në shtëpi e izoluar Ilir Alimehmeti, Aulona Minga dhe Blendi Salaj

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, në një lidhje direkte me “Dita jonë” në A2, deklaroi se rritja e rasteve me koronavirus në vendin tonë gjatë ditëve të fundit e ka një shpjegim.

“Në Shqipëri nuk kemi pasur kurrë kurbë, por një plan të rrafshët. Luhatja e shifrave ditët e fundit erdhi si pasojë e dy vatrave që e ngritën shumë bilancin: një “call center” dhe një infermiere e papërgjegjshme, e cila ka infektuar një numër shumë të madh njerëzish, ndërkohë që kishte simptoma të qarta dhe ishte këshilluar që të qëndronte në shtëpi e izoluar. Në vend të izolimit, ajo takonte njerëz sipas dëshirës”, shpjegoi Alimehmeti.

Sipas tij, pavarësisht shifrave, virusi është dobësuar: “Në prill, kemi pasur më pak se 20% të rasteve aktive të shtruar në spital. Në maj, përqindja ka qenë më pak se 10%. Kjo tregon dobësim të virusit. Por, edhe pse është më i butë, prapë virusi mbetet mes nesh”.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Alimehmeti nënvizoi se stina e ngrohtë “është aleati jonë kundër virusit” dhe theksoi se plazhi është vend i sigurt: “Nuk ka asnjë provë që në det apo rërë të jetë gjetur gjurmë virusi. Të bllokosh plazhin dhe të lësh “call center”-in hapur është mungesë koherence në vendimmarrje”.

Kur u pyet për një valë të dytë të koronavirusit, mjeku u shpreh: “Ka disa skenarë: në rastin më të keq do të vijë një valë e dytë, që do të jetë më e fortë sesa e para. Kjo, duke parë se çfarë ka ndodhur me viruset e tjera gjatë historisë. Në rastin më të mirë, virusi po dobësohet dhe nuk e ka më fuqinë e transmetimit te njeriu. Ka dhe skenarë të tjerë mesatarë, që, si në rastin e tërmetit, ka një goditje të fortë dhe pasgoditje më të lehta”. Marrë nga A2News.com

Shto Koment