Politike

Rritja e numrit të të infektuarve dhe e viktimave, Meta del me thirrjen e fortë: Qeveria të marrë masa menjëherë, Covid-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë

Sipas Metës, nuk duhet të ndodhë më që qytetarët të presin me orë të tëra në ambulance apo të të mos u jepet përgjigje problemeve të shumta të tyre.
Featured image of article: Rritja e numrit të të infektuarve dhe e viktimave, Meta del me thirrjen e fortë: Qeveria të marrë masa menjëherë, Covid-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë

TIRANË– Presidenti Ilir Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të marrë masa për menaxhimin e situatës së Covid-19 në Shqipëri. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta shkruan se Covid-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë.

Sipas Metës, nuk duhet të ndodhë më që qytetarët të presin me orë të tëra në ambulance apo të të mos u jepet përgjigje problemeve të shumta të tyre.

“Shpreh shqetësimin e thellë për përshkallëzimin e situatës së pandemisë COVID-19. Rastet e shtuara të humbjeve së jetëve, si dhe të qytetarëve të infektuar, përbëjnë një preokupacion madhor. Shtimi i urgjencave me qytetarë të prekur nga COVID-19 në gjendje të rëndë, të cilët vijnë drejt spitaleve të Tiranës dhe detyrohen të presin gjatë në autoambulanca, kërkon marrjen e masave të menjëhershme, që kjo situatë të mos përsëritet. Kërkohet një organizim i fortë, që u jep përgjigje të menjëhershme problemeve të shumta dhe shpesh të dhimbshme të qytetarëve lidhur me COVID-19. Çdo ankesë e qytetarëve, duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe në mënyrë urgjente, pasi çdo vonesë rrezikon jetë dhe kjo është e papranueshme. Qeveria duhet të bëjë maksimumin në këtë luftë me pandeminë, duke mos kursyer financimet e nevojshme dhe mobilizimin e organizuar të të gjitha resurseve njerëzore për përballimin e saj. COVID-19 është një armik i rrezikshëm dhe duhet trajtuar si i tillë, me qëllim mbrojtjen e shëndetit dhe jetës së çdo qytetari,”- shkruan Meta.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Bilanci i Covid-19 në Shqipëri sa vjen e rëndohet. Në 24 orët e fundit ndërruan jetë 16 persona dhe u identifikuan 840 raste të reja. Në total, numri i jetëve të fundit ka shkuar në 905, ndërsa 20 mijë e 466 persona janë të infektuar aktivë. Nga ana tjetër, 21 mijë e 617 qytetarë e kanë fituar betejën me këtë virus të tmerrshëm.

(f.m/dosja.al)

Shto Koment