Opinione

Rritja e antagonizmave amerikano-gjermane

Përçarja Trump-Merkel do të gërryejë marrëdhëniet transatlantike në sferat politike, diplomatike dhe ekonomike, edhe nëse NATO është forcuar përgjatë bregut të saj lindor për të penguar dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e Moskës. Me Mbretërinë e Bashkuar që me sa duket po largohet nga BE, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të përbëjnë thelbin e trans-Atlanticizmit. Çdo përkeqësim i mëtejshëm do të jetë në dobi të Moskës dhe do të kontribuojë në përçarjen perëndimore. Vetëm kur Trump-i të lërë Shtëpinë e Bardhë do të fillojë procesi i riparimit të marrëdhënieve me Berlinin.
Featured image of article: Rritja e antagonizmave amerikano-gjermane Janusz Bugajski
Përditësuar:

Megjithë trashëgiminë e tyre të përbashkët gjermane, Presidenti Donald Trump dhe Kancelarja Angela Merkel e përçmojnë njëri-tjetrin. Antagonizmi i tyre është i rrënjosur në pozicione politike diametralisht të kundërta për çështje të shumta dhe madje, edhe pasi Merkel të largohet nga zyra në vitin 2021, mosmarrëveshjet me Berlinin do të vazhdojnë nëse Trump do të rizgjidhet në vitin 2020.

Megjithëse Trump dhe Merkel përfaqësojnë partitë konservatore, Trump është kryesisht një populist i djathtë, ndërsa Merkel është një demokristiane më tradicionale. Pikëpamjet e tyre për botën janë krejtësisht kontradiktore. Merkel i sheh unitetin dhe bashkëpunimin si parime bazë, ndërsa Trump nxit përçarjen dhe konfliktin. Ndërsa Merkel është një mbështetëse e fuqishme e demokracisë në të gjithë globin, Trump preferon udhëheqësit autoritarë.

Konflikti midis Trump dhe Merkel rrotullohet rreth tre çështjeve kryesore: institucionet shumëkombëshe, pavarësia kombëtare dhe zhvillimi ekonomik. Për Merkelin, BE është një projekt i suksesshëm shumëkombësh që ka ankoruar Gjermaninë në një Evropë paqësore dhe të begatë. Për Trump-in, BE është një projekt i dështuar globalist që dhunon sovranitetin e shteteve anëtare.

Trump-i gjithashtu ankohet për faktin se Gjermania vazhdimisht bie ndesh me përmbushjen e objektivave të NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes. Ai ankohet se SHBA mbron Gjermaninë pa kompensim të mjaftueshëm. Në një takim të fundit në Uashington me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, për përvjetorin e 70-të të NATO-s, Trump-i qortoi Gjermaninë për mos pagimin e pjesës së saj të mjaftueshme për mbrojtjen e Aleancës. Trump-i po e shtyn Berlinin të përmbushë objektivin e shpenzimeve të mbrojtjes të NATO-s prej 2% të GDP-së deri në vitin 2024, një objektiv që ka gjasa të humbasë pavarësisht angazhimeve të Merkelit.

Trump-i injoron faktin se Gjermania kontribuon në mënyra të tjera për NATO-n, ajo strehon baza amerikane, ndërton infrastrukturën që mund të përdoret nga trupat e NATO-s dhe kontribuon në operacione të ndryshme të NATO-s. Gjermania ka qenë një shtet udhëheqës në Afganistan për shumë vite, komandon një nga grupet e reja luftarake në Lituani për të mbrojtur më mirë krahun lindor të NATO-s dhe është përgjegjëse për forcën e gatishmërisë së lartë të NATO-s.

Për Trump-in një tregues i rëndësishëm i sovranitetit kombëtar është kontrolli i kufijve. Trump-i u katapultua në detyrë me premtimin e ndalimit të emigracionit të paligjshëm në SHBA nga Amerika Latine. Prandaj ai nuk e duron faktin që administrata e Merkelit hapi kufijtë gjermanë dhe ato të BE-së për miliona refugjatë dhe emigrantë nga Lindja e Mesme.

Në frontin ekonomik, Trump është fiksuar në padrejtësinë e pretenduar të marrëveshjeve të tregtisë së lirë për SHBA. Cilado qofshin meritat ekonomike të pozicionit të tij, Trump-i kërkon marrëveshje tregtare bilaterale me shtete të veçanta ndërsa tregu i përbashkët i BE-së qëndron në mes. Zgjidhja e tij është të shkatërrojë Bashkimin dhe të rivendosë pavarësinë ekonomike për secilin shtet. Prandaj, ai është i zemëruar me qeverinë e Britanisë së Madhe në dështimin për të arritur një Brexit me forcë. Nëse Londra mbetet në Bashkimin Doganor të BE-së, kjo do të pengojë Uashingtonin në bërjen e një marrëveshje tregtare dypalëshe me Londrën që Trump-i ka premtuar.

Trump gjithashtu ka shprehur zemërim me Berlinin për marrëveshjet e biznesit me Moskën, veçanërisht në tregun e energjisë. Gjermania po ndjek projektin e gazsjellësit “Nord Stream 2” në Detin Balltik me Rusinë. Vendet e BE nën presion nga Kremlini, e kundërshtojnë fuqishëm tubacionin, pasi ai do të thyejë sanksionet kundër Moskës për pushtimin nga ana e saj të Ukrainës dhe do të dëmtojë më tej ekonominë e Ukrainës. Dërgesat ruse të gazit në Evropë kalojnë aktualisht nëpër Ukrainë, të cilat do të humbasin miliarda nëse tubacioni do të vihet në punë.

Uashingtoni është gjithashtu kundër “Nord Stream 2” dhe dëshiron që Evropa të blejë më shumë nga gazi i tij natyral të lëngshëm. Zyrtarët pretendojnë se “Nord Stream” do ta bënte BE-në tepër të varur nga Rusia për furnizimin e saj me energji. Zëvendëspresidenti Mike Pence ka pohuar se SHBA nuk mund të sigurojnë mbrojtjen e Perëndimit nëse aleatët e saj bëhen më të varur nga burimet ruse. Kohët e fundit, ai deklaroi se, nëse Berlini këmbëngul në ndërtimin e “Nord Stream 2”, kjo mund ta kthejë Gjermaninë, ekonominë më të madhe të Evropës, në një “rob të Rusisë”, që pranon heshturazi agresionin ushtarak të Rusisë.

Përçarja Trump-Merkel do të gërryejë marrëdhëniet transatlantike në sferat politike, diplomatike dhe ekonomike, edhe nëse NATO është forcuar përgjatë bregut të saj lindor për të penguar dhe për t’u mbrojtur nga sulmet e Moskës. Me Mbretërinë e Bashkuar që me sa duket po largohet nga BE, marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë do të përbëjnë thelbin e trans-Atlanticizmit. Çdo përkeqësim i mëtejshëm do të jetë në dobi të Moskës dhe do të kontribuojë në përçarjen perëndimore. Vetëm kur Trump-i të lërë Shtëpinë e Bardhë do të fillojë procesi i riparimit të marrëdhënieve me Berlinin.

Marrë nga VOAL

 

Shto Koment