Rajoni

Rriten rastet e reja me Covid-19/ A po kalon Maqedonia e Veriut një valë të re pandemie?

Shtohen rastet me Covid-19 pas lehtësimit të masave kufizuese në Maqedoninë e Veriut. Me gjasë mosrespektimi i distancës sociale dhe higjienës kufizuese ka çuar në rritje të papritur të infektimeve.
Featured image of article: Rriten rastet e reja me Covid-19/ A po kalon Maqedonia e Veriut një valë të re pandemie? Foto ilustruese

MAQEDONI E VERIUT- Maqedonia e Veriut shënon rritje të numri të të infektuarve me koronavirus. Gjatë 24 orëve të fundit nga 727 teste të realizuara 89 syresh kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Sipas qyteteve vetëm në Shkup janë regjistruar 35 raste. Numri më i madh është në Çair, Saraj dhe Gazi Babë, komuna këto që janë në kuadër të qytetit të Shkupit. Gjatë 24 orëve të fundit 7 pacientë kanë humbur betejën me Covid-19. Sipas statistikave të fundit në Maqedoninë e Veriut nga fillimi i pandemisë janë diagnostifikuar 2315 persona me koronavirus, prej të cilëve 1.569 janë shëruar. 140 pacientë kanë rënë viktimë. Për momentin në Maqedoninë e Veriut janë 606 raste aktive me koronavirusin e ri. Komisioni për sëmundje infektive në Maqedoninë e Veriut është duke shqyrtuar mundësinë të rekomandojë kthim të orës policore. Po mendohet për kthim të pjesshëm të ndalim qarkullimit në Shkup, Tetovë dhe Shtip, ku edhe janë shënuar shifrat më të larta ditët e fundit.

Virusi korona izolon disa funksionarë shtetërorë

“Tani ndodhemi para dy sfidave të mëdha, që të mësohemi me respektimin e masave për mbrojtjen e shëndetit, që janë parakusht për stabilizimin e gjendjes, ose me mos respektimin e masave të rrezikojmë kthimin e tyre të sërishëm. Deri tani kishim sukses në përballjen me virusin, andaj edhe ndërmorëm veprime për normalizimin e gjendjes, por masat për mbrojtje personale mbeten në fuqi dhe ato duhet të respektohen”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë Venko FIlipçe.

Zoran Zaev

Pas njoftimit të nënkryetarit të LSDM-së, Muhamet Zeqiri se është i infektuar me virusin korona, edhe drejtoresha e të Ardhurave Publike, Sanja Llukarevska bëri të ditur se testi i saj ka rezultuar pozitivisht me Covid- 19. Edhe një pjesë tjetër e funksionarëve të LSDM-së dhe Qeverisë njoftuan se pas takimit me Zeqirin janë në vetizolim. Në rrjetet sociale këtë e njoftuan zv/kryeministrja për Çështje Ekonomike Milla Carovska dhe Ministri i Shoqërisë Informatike Damjan Mançevski.

Zaev: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 5 korrik

Lideri i socialdemokratëve LSDM-së, Zoran Zaev duke komentuar numrin e lartë të rasteve të reja me Covid-19 ka thënë se për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve duhen institucione funksionale dhe se sipas tij zgjedhjet janë zgjidhje. Zaev pohoi se është i bindur se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen më 5 korrik.

“Për shkak të mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, zgjedhjet janë zgjidhje, kurse data për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve tashmë është punë e kryer. Zgjedhjet do të mbahen me 5 korrik në mënyrë që sa më shpejt të kemi Kuvend funksional dhe qeveri politike”, është shprehur kryetari i LSDM-së Zoran Zaev.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Zaev qëndrimin e tij për zgjedhje e arsyeton me faktin se shteti ka nevojë për institucione funksionale përmes të cilave më me sukses do të luftohej koronavirusi. Sipas të cilit zgjedhjet do të mbahen 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, e ajo është 5 korrik. Zaev shton se deri tani ka toleruar opozitën, por fillimi i korrikut është datë e betonuar për të gjithë ata që duan institucione funksionale. Fushata do të zhvillohet në media, rrjete sociale dhe në bazë të masave të rekomanduara.

VMRO-DPMNE: Zgjedhjet në kohë pandemie janë çmenduri

Këmbënguljen e pushtetit për zgjedhje në kohë pandemie partia opozitare VMRO-DPMNE e cilëson si çmenduri. “Të kërkohen zgjedhje në këtë situatë është çmenduri e pastër dhe dëshmi se Zaev ka ikur nga realiteti. Se bëhet fjalë për çmenduri e dëshmojnë edhe afishet e shpërndara në të cilat LSDM-ja dhe Zaevi lavdërohen tek qytetarët se e kanë fituar betejën e parë me virusin”, deklaron zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillkovski.

Dezinfektime në ambiente publike

Qëndrimi i partive shqiptare

Partia BDI mbetet në qëndrimin se për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare duhet të arrihet konsensus midis partive politike duke mos anashkaluar rekomandimin e Komisionit për sëmundje infektive. Partia Demokratike Shqiptare vlerëson se duhet të ketë zgjedhje më 5 korrik. Sipas kryetarit të partisë, Menduh Thaçi kjo nevojitet për shkak të mos funksionalitetit të Qeverisë. “Pasi të hiqet gjendja e jashtëzakonshme për 22 ditë me të vërtetë na duhen zgjedhje. Sinqerisht mendoj se duhet të kemi zgjedhje që të përfundojë ky aktrim i forcave politike, të kemi qeveri dhe institucione të fuqishme dhe funksionale, të cilat shumë sinqerisht do të luftojnë me gjithë këtë të keqe që na kaploi. Përndryshe vazhdimi i situatës së tillë mund të na sjellë në agoni ku të gjithë do ta akuzojmë njëri-tjetrin”, ka thënë Thaqi.

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski në takimin e fundit të Këshillit Kombëtar për Sigurinë ka kërkuar nga liderët partiakë të merren vesh për datën e zgjedhjeve, sepse situata është tejet serioze.

Marrë nga DW

Shto Koment