Dikur

Rrëfimi i të mbijetuarit nga komunizmi, Tanush Kaso: S’e harroj kur u dënua me vdekje Pjetër Arbnori

"Nuk mund ta harroj atë çast, kur u dënuan me vdekje Uran Kalakulla dhe Pjetër Arbnori. Pjetri nuk u impresionua fare. Urani, ç’është e vërteta, u trondit pak; por edhe ai nuk e dha veten. Se të ndaheshe nga jeta në atë moshë, nuk ishte gjë e vogël. Dhe përse? Pa vrarë a prerë njeri!"
Featured image of article: Rrëfimi i të mbijetuarit nga komunizmi, Tanush Kaso: S’e harroj kur u dënua me vdekje Pjetër Arbnori Tanush Kaso, i mbijetuar i komunizmit

Uran Kalakulla ishte dënuar me pushkatim… E shoqja e Uranit ishte me djalin e vet, Platorin, që ende nuk i kishte mbushur dy vjeç. I foli me zë të dredhur të shoqit: -“Mos u mërzit, Uran!” …Tanush Kaso rrëfen çastet kur mori dënimin, si pjesë e grupit të të rinjve që tentuan të krijojnë partinë Socialdemokrate… kur u dënua me pushkatim edhe Pjetër Arbnori… çastet prekëse, kur familjarët u njohohën me vendimet e gjykatës ushtarake

Tanush Kaso është një ndër të mbijetuarit e krimeve të komunizmit. Ai kaloi kalvarin e torturave dhe presionit psikologjik në burgjet e diktaturës, dhe mbijetoi për të na e sjellë sot atë pjesë të historisë, përmes detajesh të imta, për mënyrën se si funksionoi makineria vrastare e diktaturës, që vrau mijëra djem nënash të pafajshëm, që burgosi e vrau vajza e gra të pafajshme, e persekutoi egër familjet e tyre. Tanush Kaso ka rrëfyert në një intervistë të gjatë dhe mjaft intersante për librin “Zërat e Kujtëses” botim i ISKK-së, kalvarin e tij në burgjet komuniste, por edhe vuajtjet e shokëve të tij. Është mjaft interesante një pjesë e këtij rrëfimi, kur dy prej anëtarëve të grupit ku Tanushi ishte pjesë, dënoheshin me pushkatim. Reagimi i familjarëve nëpër shkallët e hetuesisë, do të mbeten përjetë në kujtesën e tyre. Takimi i Uran Kalakullës me të shoqen dhe amaneti që i la, kur mendoi se do të shkonte drejt pushkatimit, lotët e dy motrave të Pjetër Arbnorit, që gjithashtu ishte marrë vendimi për t’u dënuar me vdekje, janë çaste që i sjell përmes emocionesh, në një rrëfim të detajuar, Tanush Kaso.

Amanet djalin!

Prokurori dha pretencën, kërkoi dënimin me vdekje për Uran Kalakullën, si kryetar i grupit të Tiranës, për të kaluarën e tij, për lidhjen me Arshi Pipën, por edhe për moshën që kishte mbi ne, si personi influent. Për Pjetrin gjithashtu, kërkoi dënimin me vdekje për aktivitetin e tij, për prejardhjen familjare, etj., etj. Urani dhe Pjetri u trajtuan edhe si kryetarë grupesh. Për ne të tjerët, u dhanë dënime nga dhjetë vjet e lart. Mua më dënuan me trembëdhjetë vjet burg; po kaq edhe Agimin. Rizanë e dënuan me pesëmbëdhjetë vjet; Zeqirin me njëzetë. Kahraman Paftalin e dënuan me dhjetë vjet burg. Ky ishte anëtar i Partisë së Punës së Shqipërisë; por, na e solli në grup Uran Kalakulla, sepse e kishte njeri të vetin, nip. Dhe, ç’është e vërteta, Kahramani u tregua shumë më i ndershëm se ndonjë tjetër i grupit tonë. Megjithëse ishte anëtar partie, ai nuk rëndoi asnjërin nga ne, qëndroi korrekt. Edhe nëpër kampe e burgje, me sa kam dëgjuar, (se unë s’kam qenë me të), shihte punën e vet. Ishte profesionist, kryente detyrën e tij si elektriçist dhe u shmangej bisedave. Të gjithë ne kemi pasur respekt për të.

Nuk mund ta harroj atë çast, kur u dënuan me vdekje Uran Kalakulla dhe Pjetër Arbnori. Pjetri nuk u impresionua fare. Urani, ç’është e vërteta, u trondit pak; por edhe ai nuk e dha veten. Se të ndaheshe nga jeta në atë moshë, nuk ishte gjë e vogël. Dhe përse? Pa vrarë a prerë njeri!

Kur zbritëm nga shkallët, familjarët ishin në të dyja anët. U flisnin të afërmve të tyre. E shoqja e Uranit ishte me djalin  e vet, Platorin, që ende nuk i kishte mbushur dy vjetët. I foli me zë të dredhur të shoqit: -“Mos u mërzit, Uran!”. Edhe dy motrat e Pjetrit, me lotë ndër sy, e përshëndetën dhe e inkurajuan vëllanë e tyre të vetëm. Më ka bërë përshtypje e ëma e Agimit, që ishte si tipi i “Nënës” së Maksim Gorkit, si Pelageja, me ato tipare siç e kemi parë në film. Ajo  foli me zë të lartë: -“Qëndroni, djema!” …Ajo e shkreta nuk e dinte se çfarë kishte ndodhur me atë dhe me të tjerët. Ajo skenë nuk më harrohet, sepse ishte shumë prekëse. Familjarët, ndonëse nuk u lejuan në gjyq, i kishin marrë vesh dënimet me vdekje. Ata na shoqëruan deri tek kamioni i Policisë që do të na çonte në burg, duke na përshëndetur me fjalë e lëvizje duarsh. Urani i foli që nga makina së shoqes: – “Deti, kujdes Patin!”. Policët, duke ulëritur, i shtynin dhe i largonin familjarët dhe kalimtarët kureshtarë.

“Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del”

Mbas dënimit, na mbajtën në biruca veç e veç, për disa javë. Urani dhe Pjetri, të cilët u dënuan me vdekje, u mbajtën në kushte izolimi më të vështira. Si rregull, të dënuarit me vdekje i mbanin të lidhur e nën mbikëqyrje të vazhdueshme. Atyre u viheshin edhe kaska në kokë, që të mos e përplasnin kryet pas murit për vetëvrasje. Por, Urani nuk më ka thënë se i kishin vënë kaskë. As në librin e tij “21 vjet burg komunist”, ai nuk e thotë. As Pjetri nuk ka folur për kaskë në kokë… Kurse atyre të “Grupit të Teme Sejkos” dhe të “gjeneralëve puçistë”, ua kanë vënë kaskat, deri sa i çuan në vendin e pushkatimit. Vazhduan të na mbanin të izoluar nëpër qelitë, derisa bënë planinfikimin se ku do ta çonin njërin e ku tjetrin.

Ka qenë fillimi i vjeshtës së vitit 1962, kur na nisën me një autoburg, mua, ca të dënuar të grupit të Temo Sejkos, disa vllehë dhe dy-tre të dënuar të tjerë, që nuk i njihja. Edhe Agimin e futën në të njëjtin autoburg. Ne nuk e dinim se ku po shkonim, veç kur arritëm  në Burrel. Nuk pamë asgjë gjatë rrugës dhe as në atë qytet, sepse autoburgu ishte krejtësisht i mbyllur. Të merrej fryma brenda; madje, disa patën të përziera dhe dikush volli. Makina nuk ndaloi askund.

Sapo zbritëm në tokë, u rrethuam nga policët. Na bënë kontrollin personal. Njëri nga ata bëri pyetjen e zakonshme, që u bëhej të dënuarve që mbërrinin për herë të parë në Burrel:  -“A e dini ku jeni këtu?” -“Jo”- u përgjigjëm ne. Dhe ai na sqaroi:  -“Këtu i thonë Burrel, ku hyn e nuk del.”

Kjo ishte “përshëndetja e parë”, që të jepnin policët kur shkoje në Burrel. Pasi përfunduan kontrollin e imët, për secilin nga ne, na ndanë nëpër qeli, nga një ose nga dy vetë. Burreli kishte mjaft qeli të tilla. Nuk na futën menjëherë nëpër dhoma, nëpër “kaushe”- siç quheshin ndryshe. Na mbajtën fillimisht, për disa ditë nëpër qeli, për arsyet që vetëm ata i dinin. Për presion, për studim, a kush e merr vesh se përse. Gjatë asaj kohe, ishim në kushte izolimi. Vetëm bukë na jepnin. Supën dhe çajin pa sheqer që u jepej të tjerëve, neve nuk na e jepnin. Nuk na nxirrnin as për ajrosje në oborr, kur dilnin të tjerët. Vetëm kur u mbush afati, apo “stazhi” i caktuar nga Komanda, na ndanë nëpër dhoma. Mua më caktuan në dhomën numër 10. Dhoma një dhe dhoma dhjetë ishin në anë të kundërta të Burgut të Burrelit. Ato qenë më të mëdhatë. Ajo ku isha unë, kishte 40 vetë. Në mungesë të krevateve, secili kishte shtruar në çimento ndonjë copë rrogoz që ua kishte sjellë familja ose që kishte mbetur nga ata që nuk ishin më aty. Po edhe rrogozat ishin kalbur nga lagështia. Po ashtu, edhe copa qilimash të vjetër shtroheshin e pastaj ndonjë dyshek a shilte e batanije. Komanda e burgut nuk u jepte asgjë atyre që nuk kishin. Unë, përshembull, nuk kisha asnjë plaçkë nga shtëpia. Si unë, edhe ndonjë tjetër. Por, kishte një solidaritet të shkëlqyer midis të burgosurve asokohe. Nuk kishte degjeneruar burgu ende, siç degjeneroi në vitet shtatëdhjetë, kur futën në burg, si të dënuar për motive politike, edhe persona ordinerë. Më dolën disa të njohur nga Vlora, të gjyshit tim nga nëna, dhe ca çamë të njohur nga babai. Atëherë ishte e fortë ndjenja e solidaritetit krahinor. Dikush më dha një copë si qylym, të cilin e shtrova aty; një tjetër më dha një batanije. Kështu, u rregullova njëfarësoj. Kështu bënin të gjithë. Ata që liroheshin, nuk i merrnin rrobat me vete, i linin aty. Komanda nuk merrte përsipër asgjë. Sipas saj, “le të kalbeshin në çimento e të vdisnin armiqtë e Partisë, se nuk i ftoi njeri të vinin në burg”.

Citimet i përkasin intervistës së Musa Çapanit, të publikuar në “Zërat e Kujtesës” V, botim i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, me autorë Agron Tufën dhe Luljeta Lleshanakun.

(Marrë nga Kujto.al)

2 Komente në “Rrëfimi i të mbijetuarit nga komunizmi, Tanush Kaso: S’e harroj kur u dënua me vdekje Pjetër Arbnori

  1. Kujt ja tregon o zotni
    Atij torturuesit qe perfitoi azil ne gjermani
    Tariffe ambasadorit qe s’ mesoi gje nga amerika
    Apo Vetes tuaj qe e shitet kauzen te partite
    Pjese te bajges ppsh.

  2. Shkoni i tregoni ne kongresin amerikan
    Si ajo kosovarja.
    Se vajti komunizmi 100 vjet ne Shqiperi.

Shto Koment