Blog

Rrëfimi i gazetarit: Si e mbanim një shishe sikur të ishte akuarium. Mamasë desh i ra të fikët kur iu gris etiketa

E vumë në bufe dhe dhoma shkëlqente. Nga që ishte një gjë e rrallë aty do i kishin sytë të gjithë. Peçi kishte qënë në Kinë me një grup sindikalistësh e në kthim e kishte gjetur bosh në një tavolinë kafeje në Romë,në aeroport. Para ca vitesh,por e kishte mbajtur mirë e shoqja dhe shishja ndriste.
Featured image of article: Rrëfimi i gazetarit: Si e mbanim një shishe sikur të ishte akuarium. Mamasë desh i ra të fikët kur iu gris etiketa Agim Xhafka

Sa herë shoh Coca Cola më kujtohet një histori që sot duket groteske,por ishte dramatike për atë kohë.
Nënës iu shkrep të festonte 40 vjetorin. Mendoi të ftonte në shtëpi disa shoqe të punës dhe të argëtoheshin me muhabete,se s’kishte me se tjetër. Rregulloi dhomën me dy divanë,ku flinim unë dhe vëllai. La veç njërin,tjetrin e hodhi mbi krevatin e vet. Shtroi një qilim të falur nga tezja,e vendosnim me raste nga që pandehnim se hollohej. Te bufeja i pastroi gotat dhe filxhanet kinezë,në mes të dhomës vuri një tavolinë të vogël që ia morëm Vasilit,fqinjit një kat më poshtë ndërsa nga Andrea morëm 6 karrike prej druri me mbështetëse të skalitur. U kam vënë emrin tim poshtë,nuk ngatërrohen me të tjerat,na tha ai.
Një ditë para motra u kujtua të merrnim te Peçi një shishe të madhe Coca Cola. Ta vendosim në bufe se i jep bukuri dhomës,tha ajo.
Shkoi babai ta kërkonte dhe na e solli,duke e ledhatuar me kujdes sikur të kishte ndër duar një akuarim plot me peshq të kuq.
-Mbajeni mirë,më porositi Petro,-u justifikua babai.
E vumë në bufe dhe dhoma shkëlqente. Nga që ishte një gjë e rrallë aty do i kishin sytë të gjithë. Peçi kishte qënë në Kinë me një grup sindikalistësh e në kthim e kishte gjetur bosh në një tavolinë kafeje në Romë,në aeroport. Para ca vitesh,por e kishte mbajtur mirë e shoqja dhe shishja ndriste.
-Ta mbushim me limonadë,-tha mamaja.
Babai nuk donte,po ku pyeste ajo. E mbushur me limonadë trëndafili dukej si mrekulli e rënë nga qielli.
Ditën kur erdhën shoqet e mamasë muhabeti ngeli te shishja.
-Ku e ke gjetur këtë bukuri,moj Valkë!- çuditeshin shoqet.
-Ma solli Ilia,kushëriri,punon në ambasadë,-ia futi kot ajo.
Por nuk e cyti njeri më tej se në ç’ambasadë e kush qe Ilia.
Gratë donin që limonadën ta hidhnin vetë nga shishja e Coca Colës. Pandehnin se po jetonin në Itali ato çaste. E vërtet sa merrnin shishen në dorë bëheshin më të qeta e më të matura. Deri sa,Buqja,shoqja më e ngushtë e mamasë e gërvishti etiketën me thikën që po priste një mollë. Ah,ç’bera ,tha ajo e mamasë gati i ra të fikët. Motra vrapoi në kuzhinë, ia tregoi babait e ai fap u gjend para shishes. Qetësi varri. U harrua festa. Sytë tek dëmi që shkaktoi termeti Buqe. Babai mori shishen e doli jashtë. Gratë ikën bashkë në një çast. Shtëpia qetësi,sikur po flinte ndonjë bebe te dhoma e mamasë.
Pas një ore babai solli lajmin se etiketa ishte dëmtuar te gërma 0 e fjalës së dytë . Tani lexohej Coca C.la.
-Më premtoi Avniu se ka bojë si kjo dhe do e ndreqë.
Fjetëm me ëndërra shishesh. Kur u zgjova në mëngjes babai kishte dalë me shishen. Deri mbasdite me sytë nga dera.
-Tak,tak,tak.
Vrapova dhe para meje Peçi:
-Mbaruat punë me shishen?
U stepa. Gëlltita pështymën.
-E ka futur mamaja me celës në dollap.
-Mirë ka bërë se ju kalamajtë çfarë s’ju thotë truri.
Iku ai dhe erdhi babai. Me shishen e rregulluar.
-Nuk kuptohet fare,-i thashë.
-Çoja urgjent,-më urdhëroi.
Kur i treguam mamasë qante nga gëzimi.
-Po u bëj një lakror me qepë e domate dhe festojmë sot ditëlindjen,-tha.
Pas ca ditësh dëgjoj te shkallët që Lenca grindej me Peçin.
-Ma ke grisur etiketën e shishes-ulërinte ai.-Ku është gërma O? Ku?
-Të betohem që kështu ma dhe,-qante Lenca.
Nuk ia tregova sherrin mamasë se do shkonte t’i tregonte te vërtetën Peçit.
Pas ca vitesh do festoja unë 20 vjetorin. Babai,kur po bëheshin përgatitjet,më ngacmoi:
-Gimo,t’ja marim Peçit atë shishen e Coca Colas?
-Jo,jo,s’ka nevojë. Rinia e sotme nuk pi limonada,-i thashë duke qeshur…
Dhjetra vite fluturuan,por shishja ka bërë fole në trurin tim dhe e ngre kokën si gjel sa herë dëgjoj Coca Cola…

Shto Koment