Aktualitet

Rindërtimi në Laç, Ahmetaj nënshkruan marrëveshjen me palën turke: Projekti do kthehet në model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik

Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka nënshkruar sot marrëveshjen me palën turke, për projektin e rindërtimit të Laçit, ku përveç banesave përfshihen edhe ndërtesa publike apo ambjente shërbimi.
Featured image of article: Rindërtimi në Laç, Ahmetaj nënshkruan marrëveshjen me palën turke: Projekti do kthehet në model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik Ministri turk dhe Ahmetaj

TIRANË -Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, nënshkroi sot marrëveshjen me ministrin turk të Mjedisit, Murat Kurum, për ndërtimin e 522 banesave individuale në Laç. Lajmin e ka njoftuar vetëm Ahmetaj nëpërmjet një postimi në Facebook. Më tej ai shton, se hapi i radhës do të jetë fillimi i punës. Ahmetaj ka thënë se përveç njësive të banimit, në projektin e marrë përsipër nga qeveria turke, përfshihet edhe ndërtimi i godinës së Bashkisë, shkollës 9-vjeçare “Gjon Gjonaj” dhe ambienteve të shërbimit apo njësive tregtare.

Postimi i Ahmetajt në Facebook

”Me Ministrin turk të Mjedisit dhe Urbanizimit, Murat Kurum, nënshkruam Marrëveshjen e Bashkëpunimit për Projektin e Ndërtimit të 522 banesave në Laç. Hapi i radhës, është fillimi i punës në një tjetër kantier të madh të Rindërtimit brenda hapësirës së dëmtuar nga tërmeti dhe një ndër projektet e parë të ndërtimit të zonave të reja për zhvillim. Përtej 522 njësive të banimit, brenda hapësirës prej 72,000m2 të ndërtimit do të ketë edhe ambiente shërbimi dhe tregtare, parkim nëntokësor si dhe hapësira të gjelbëruara. Sheshi qendror i qytetit, godina e Bashkisë dhe shkolla 9-vjecare Gjon Gjonaj, janë gjithashtu pjesë e integruar e tij. Projekti është dizenjuar me standardet më të larta dhe sigurisë dhe cilësisë dhe do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe social-ekonomik për Laçin.”

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Laçi ishte një nga qytetet më të prekura si pasojë e lëkundjeve nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar. Qindra qytetarë mbetën në qiell të hapur, si pasojë e dëmtimit të banesave. Gjithashtu tërmeti dëmtoi edhe godinat publike. Rindërtimi në Laç u mor përsipër nga qeveria turke, e cila  vetëofrua për ndërtimin e mbi 500 banesave individuale dhe godinave publike.

(g.sh./dosja.al)

Shto Koment