Sociale

Rimbursimi i ilaçeve për COVID-19 nuk disiplinoi trajtimin e pacientëve

Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të të infektuarve parashikon rimbursimin 100% , të formës së lehtë dhe të moderuar të trajtimit, por jo më shumë se respektivisht 1 650 lekë dhe 10 900 lekë.
Featured image of article: Rimbursimi i ilaçeve për COVID-19 nuk disiplinoi trajtimin e pacientëve Foto ilustruese

Nga Ola Mitre

17 nëntorin e vitin 2020, teksa kryente një inspektim rutinë në Qendrën Shëndetësore Nr. 4 në kryeqytet, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu njoftoi se qeveria do të rimbursonte ilaçet e COVID-19 për ata pacientë, që trajtohen në banesë për shkak të fomave të lehta të sëmundjes. Vendimi, erdhi pas ankesave të  vazhdueshme nga ana e qytetarëve, të cilët po paguanin shuma të mëdha për blerjen e ilaçeve të rekomanduara nga mjeku, por edhe pas shqetësimit të shumë ekspertëve, të cilët deklaronin se qytetarët shqiptarë po trajtoheshin gabim apo po “mbingopeshin” me ilaçe të panevojshme. Për këtë arsye, Manastirliu deklaroi se një nga qëllimet e rimbursimit të skemave të mjekimit ishte disiplinimi i protokolleve të trajtimit. “Ky është një investim për shëndetin dhe një mbështetje më shumë për familjet, në mënyrë që të kemi mundësi, e para që të lehtësojmë familjet ,duke i rimbursuar nga buxheti i shtetit por edhe për të disiplinuar protokollet e trajtimeve, që edhe kjo është shumë e rëndësishme”, -tha Manastirliu, duke shtuar se në dispozicion ishin vënë 1.2 mld lekë nga buxheti i shtetit.

Paketa e barnave për trajtimin ambulator në banesë të të infektuarve parashikon rimbursimin 100% , të formës së lehtë dhe të moderuar të trajtimit, por jo më shumë se respektivisht 1 650 lekë dhe 10 900 lekë. Megjithatë, rreth 3 muaj nga hyrja në fuqi e këtyre skemave, ekspertët thonë që, jo vetëm që nuk po lehtësojnë barrën financiare të qytetarëve, por edhe nuk ka arritur të disiplinojë trajtimin, sikurse u pretendua. Deri në datën 21 shkurt, Ministria e Shëndetësisë raporton zyrtarisht 100 246 persona të prekur nga infeksioni që prej fillimit të epidemisë, ndërkohë që rreth 50% e tyre janë regjistruar pas 20 nëntorit, kur edhe hynë në fuqi listat e barnave të rimbursuara për pacientët me COVID-19. Por, pavarësisht rritjes së lartë të të infektuarve, në 3 muajt e fundit rimbursimi i ilaçeve është tejet modest. “Skema thuajse nuk ka funksionuar fare. Nga informacionet që unë kam nga farmacitë, përshkrimi i këtyre barnave me recetë është shumë i vogël”,-thotë Diana Toma, president e Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë.

Toma rendit disa arsye, që sipas saj kanë ndikuar në këtë situatë. “Ka shumë mundësi që është vetë qytetari që nuk interesohet, kur merr parasysh se çfarë rimbursohet. Në një kohë që ka nevojë për barna e shërbime të tjera, nuk shkon fare. Plus, për barnat me rimbursim duhet të shkohet te mjeku i familjes, por pacientët shkojnë direkt te mjeku specialist. Ndëkohë që, klinikat apo spitalet private nuk përfshihen fare në skemën e rimbursimit”, -shton Toma, duke theksuar se shuma e rimbursuar  është e papërfillshme, krahasuar e vlerën që shpenzohet realisht nga pacientët.

Sipas përllogaritjeve të bëra nga organizata “Together for Life”, trajtimi për fazën e lehtë të sëmundjes shkon rreth 3 mijë lekë në javë, ndërsa për fazën e dytë  kërkohen minimalisht 43 mijë lekë. “Të dyja këto shuma janë shumë larg vlerës reale të trajtimit ambulator, ndërkohë që çmimi i medikamenteve dhe ekzaminimeve nuk janë e vetmja kosto që duhet të paguajnë pacientët Covid që trajtohen në shtëpi”,-thuhet në një dokument, që organizata ia ka dërguar edhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Një i sëmurë Covid që duhet të kryejë edhe injeksionet, duhet të përballojë edhe koston e shërbimit në shtëpi nga infermieri, që në Tiranë ka shkuar deri në 10,000 lekë në ditë. Ndërsa, në rastet kur infektohet e gjithë familja, kostot shumëfishohen. Për katër anëtarë, duhet të kesh mënjanë të paktën 800,000 lekë për të përballuar infektimin me Covid-19”,-shtohet më tej në dokument. 

Eksperti i shëndetësisë, Erion Dasho e lidh ndër të tjera përfitimin e paktë të skemave të barnave me rimbursim me detyrimin për të patur një test pozitiv, ndërkohë që numri i testimeve është i ulët. “Dhënia e mjekimit me rimbursim kushtëzohet me testin pozitiv dhe të gjithë e dimë se testimet kanë qenë jashtëzakonisht të ulta. Ne testojmë sot 4 apo 5-fish më pak i asaj që kemi nevojë të testojmë realisht. Shumë persona që kanë shenja e me shumë mundësi janë me COVID, nuk testohen dhe mjekimin me rimbursim nuk e marrin. Ndërkohë që, edhe ata që bëjnë tamponin presin me ditë të tëra për të marrë përgjigjen, ku efekti i asaj skeme është larguar tashmë”,-shprehet Dasho. “Ndaj rezultati është vetëm rreth 100 mijë USD rimbursim sipas kësaj skeme”,-shton ai.

Sipas përllogaritjeve të bëra nga vetë eksperti, shqiptarët kanë shpenzuar rreth 100 mln euro në sektorin privat apo jashtë vendit për trajtimin e COVID-19. “Pra, rimbursimi ka qenë 1 për mijë e shumës së shpenzuar realisht nga shqiptarët. Kjo tregon se ai protokoll ka qenë më tepër një tallje sesa një përgjigje ndaj nevojave reale që kanë patur qytetarët gjatë epidemisë”,-përforcon Dasho.

Ndërkaq, edhe sipas kreut të Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, Fatmir Brahimaj, miratimi i 2 skemave të barnave me rimbursim për pacientët me COVID-19, nuk ka dhënë rezultatet e pritshme në drejtim të disiplinimit të rutinës së mjekimit. “Po të nisemi nga fjalët që qarkullojnë, themi që ka mangësi, por kuptohet që  mjekësia nuk është matematikë dhe gjithmonë ka interpretime jo të sakta”,-thotë ai. “Protokollet duhet të disiplinojnë rutinën e përditshme të mjekut, të mos ketë shumë hallakatje, por sigurisht ka raste që bëjnë përjashtime”,-shton Brahimaj.

TERAPI TË GABUARA?!

Mjekët kanë shpjeguar shpesh që COVID-19 është një infeksion viral e për pasojë nuk mund të trajtohet me antibiotikë, që shërbejnë për trajtimin e infeksioneve bakteriale.

Megjithatë, sipas Brahimajt dhe presidentes së Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, është e vështirë të gjykohet nga jashtë nëse pacienti është trajtuar në formën e duhur apo jo, pa njohur historikun e sëmundjes. Por Toma e lidh përshkrimin e lartë të antibiotikëve, me diagnostikimin e vonë të sëmundjes.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

“Ka raste që pacienti nuk arrin ta bëjë kurrë tamponin dhe kjo sjell një diagnostikim të vonë të sëmundjes dhe më pas gjithçka rrjedh zinxhir. Në jo pak raste, pacienti futet në skaner privatisht, me shpenzimet e veta sepse nuk i mundësohet tampon dhe mund të konstatohet që i është prekur mushkëria. Në këtë rast normalisht që do e trajtosh”,-thotë Toma. Në të njëjtën linjë është edhe Dasho.

“OBSH e ka përqëndruar në tre terma fare të thjeshtë: testo-gjurmo-trajto. Por, ne vazhdimisht kemi dëgjuar ekspertët e Komitetit Teknik të Ekspertëve që thonë testimi nuk ka vlerë dhe sot Shqipëria është vendi që teston më pak. Testimi ka shumë vlerë sepse nënkupton diagnozë të hershme dhe fillim të hershëm të mjekimit”,-shprehet Dasho.

“Kolegët e Komitetit, që këtë ua mësojnë studentëve, që në vit të parë të fakultetit, bëjnë sikur e harrojnë nën presionin e politikës, e cila nuk e di për çfarë arsye nuk pranoi të rritë numrin e  testeve. Madje edhe sot që flasim, kemi mungesë të testeve të shpejta”,-shton më tej Dasho. Por, sipas ekspertit ka edhe një tjetër arsye, që favorizon trajtimin jo të përshtatshëm.

“Përfaqësuesit e Komitetit mendojnë se kur dalin në televizor dhe flasin, njerëzit i mbajnë shënim dhe i quajnë trajnime. Por ndërkohë, nuk kanë bërë asnjë trajnim për mjekët e familjes, të cilët janë ata që po përballen aktualisht me infeksionin e që duhet të kenë trajnimin e duhur”,-thotë Dasho.

“Tani shikojmë antarët e Komitetit që përsëritin se antibiotikët nuk duhen që në fazat e para, mirëpo askush nuk ka marrë mundimin të trajnojë dhe ritrajnojë mjekët e familjes. Pra, ne e kemi lënë mjekun e familjes në mëshirë të fatit dhe fatkeqësisht sot, situata vazhdon të jetë njësoj si në fillim të epidemisë: Menjëherë, me shfaqjen e shenjave të lehta, bombardohen me antibiotikë, fillojnë marrin mjekimet skandaloze me emrat komercialë dhe që nuk e kanë efektin që duhet të kenë mjekimet, siç janë përshembull holluesit e gjakut”,-shton ai.

Vetë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka pranuar se trajtimi për shumë pacientë po bëhet duke devijuar protokollet e mjekimit të formave të lehta dhe të moderuara, që sipas saj janë protokolle të standardizuara. “Ajo çka ne jemi duke bërë sepse vlerësojmë shqetësimin e qytetarëve, është që jemi duke marrë masa në raport me standardizimin e recetës së mjekëve kur ato dërgohen në farmaci”,-tha Manastirliu, gajtë një konference për shtyp.

“Kjo recetë e standardizuar do të na mundësojë ne të dimë, se cili është mjeku që përshkruan këto barna, mbi çfarë baze protokolli dhe sigurisht më pas për të marrë masat e nevojshme”,-shtoi ministrja, duke bërë me dije se do të bëhet edhe një rishikim i protokolleve që ekzistojnë aktualisht. Në fakt, ekspertët shikojnë hartimin e protokolleve të përditësuara për trajtimin e infeksionit dhe publikimin e tyre, si një masë e menjëhershme që duhet të ndërmerret.

“Për trajtimin e infeksionit, urgjentisht duhet të ketë protokolle dhe duhet të ketë trajnime, ndoshta të përjavshme ose të përmuajshme për mjekët e familjes, për t’i përditësuar ata me skemat e reja të trajtimit”,-thotë Dasho. Edhe sipas kreut të Urdhrit të Mjekut, protokollet nuk janë të gdhendur në gur.

”Ato kanë dinamikën e tyre. Latinët kanë lënë postulatin se “gjithmonë mjekohet i sëmuri me sëmundjen që ka, jo sëmundja. Ndaj Covid-19 nuk ka protokolle të mirëfillta e përfundimtare. Si në çdo sëmundje të ngjashme virale mjekimi është mbështetës dhe i drejtuar ndaj simptomave që paraqet i sëmuri”,-thotë Brahimaj. “Por para së gjithash dua të kujtoj se protokollet nuk bëhen në studio televizive as në zyra administrative. Ato janë produkti elitave të specialistëve që punojnë në klinika elitare apo qendra të rëndësishme studimore”,-shton ai.

Pak javë më parë edhe “Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë”, përmes një letre  gadishmërie drejtuar kryeministrit dhe ministrs së Shëndetësisë, e konsideronte si të një rëndësie të veçantë unifikimin dhe përditësimin e protokollëve të trajtimit. “Kërkohet që institucionet përgjegjëse në Shqipëri të publikojnë protokollet e trajtimit. Theksojmë mungesën e strukturave organizative dhe protokollet për menaxhimin për pacientët Covid-pozitiv të trajtuar në kushte ambulatore”,-thuhet ndër të tjera në letër, ku parashtroheshin edhe protokolle të unifikuar europianë.

“Po ashtu, kërkohet udhëheqje më e disiplinuar dhe efektive e shefave të pavionëve,-shtohej më tej në letër, duke theksuar se edhe gjurmimi i pacientëve në pjesën ambulatore përmes testeve të shpejta, që në Shqipëri aplikohet në një numër shumë të ulët, do të evitonte paraqitjen e panevojshme të pacientëve në institucionet shëndetësore.

Ndërkaq, Diana Toma kërkon që skema e barnave me rimbursim të ndryshojë, në mënyrë që qytetarët të përfitojnë prej saj. “Ne e kemi dhënë rekomandimin prej kohësh që me këtë situatë duhej vepruar ndryshe sepse i gjithë aspekti i financave të buxhetit të shtetit duhet të dilte në mbështetje të shpenzimeve dhe shpenzimet nuk kufizohen brenda listës së rimbursueshme”,-thotë Toma. “Mund të veprohej siç veprohet me barnat e veteranëve: që nuk janë brenda listës dhe merren. Duhej parë me prioritet: mundësitë kanë qenë, por këtë rrugë kanë zgjedhur”,-përfundon ajo.

Shto Koment