AktualitetPolitike

Rikthimi i vizave/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thirrje MEPJ: Merrni demarshet e nevojshme sa s’ është vonë

Në deklaratën e bërë publike, theksohet se ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë.
Featured image of article: Rikthimi i vizave/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thirrje MEPJ: Merrni demarshet e nevojshme sa s’ është vonë

TIRANË- Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka reaguar pas kërkesës së parlamentit holandez për rikthimin e vizave për shqiptarët, ku 108 deputetë të pesë partive kryesore politike të vendit nga 150 gjithsej, votuan në favor të propozimit për fillimin e procedurave për rikthimin e vizave për shtetasit shqiptarë që udhëtojnë në Hapësirën Schengen. 

Në deklaratën e bërë publike, theksohet se ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bashkohet shqetësimit të shprehur nga i gjithë opinioni publik për këtë zhvillim negativ – një kthim prapa për një nga arritjet më madhore të shqiptarëve që pas rënies së diktaturës komuniste, atë të lëvizjes së lirë e pa viza në hapësirën Schengen. Ky vendim dëmton rëndë interesat e shtetasve shqiptarë dhe imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve në Europë dhe në botë. Ai mund të shërbejë si një argument shtesë për të gjitha ato forca politike evropiane që, për arsye e motive të ndryshme, kundërshtojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thuhet bënë deklaratën e bërë publike.

Më tej, Këshilli i Ambasadorëve shprehet se kjo ngjarje duhet të alarmojë të gjithë strukturat zyrtare shqiptare, për të adresuar sa më parë dëmin e madh të krijuar.

“Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë vëren me shqetësim të madh mungesën e një analize të thelluar të këtij vendimi të Parlamentit holandez nga strukturat përgjegjëse shqiptare. Interpretimi i këtij vendimi si një çështje hipotetike dhe që nuk do të ndodhë, është sa sipërfaqësor aq edhe jo profesional. Një vendim i tillë, me pasoja të rënda për imazhin dhe lëvizjen e lirë të shqiptarëve, duhet shoqëruar me një analizë serioze dhe me përgjegjësi të lartë institucionale, duke përcaktuar dhe masat konkrete për adresimin, frenimin dhe minimizimin e të gjithë problematikave që kanë ndikuar në marrjen e këtij vendimi.

Për më shumë bëhu pjesë e grupit më viral në Facebook, Dosja.al

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i bën thirrje Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në funksion të prioriteteve politikës së jashtme dhe mbrojtjes së interesave të shqiptarëve kudo që ndodhen, të ndërmarrë menjëherë demarshet e nevojshme me Holandën dhe agjencitë e saj ligjzbatuese, si dhe me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian, në mënyrë që ky vendim të mos ketë efekt të mëtejshëm dhe të mos shoqërohet me vendime të tjera të ngjashme”, deklaron Këshilli.

CAA shpreh gjithashtu besimin se Komisioni Evropian, si instanca përfundimtare vendimarrëse do të refuzojë këtë propozim dhe do t’i përmbahet konkluzioneve të Raportit të tij të muajit dhjetor 2018, ku pohon se Shqipëria i përmbush kriteret për vazhdimin e rregjimit pa viza për qytetarët shqiptarë në Hapësirën Schengen.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë nënvizon se marrja e sinjalit pozitiv në muajin qershor për çeljen e negociatave të antarësimit në BE është dhe mbetet përparësia madhore, në interes të vendit dhe të vetë BE-së”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, dy ditë më parë Parlamenti Holandez, ka votuar ‘PRO’  kërkesës së 5 grupeve parlamentare, VVD, CDA, SP, CU dhe PVV(Lexo këtu) që detyrojnë qeverinë t’i kërkojë Komisionit Europian rikthimin e vizave për Shqipërinë, me argumentin se shifrat e krimit të organizuar të dominuar nga shqiptarët në Holandë kanë ardhur në rritje.

(a.m/dosja.al)

Shto Koment